Kosova

KQZ përsërit se numërimi i votave me kusht, të diasporës dhe personave me nevoja të veçanta nuk do të nisë për disa ditë

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tashmë ka përfunduar numërimi i votave të gjashtë tetorit. Mirëpo, ajo se çka po ju sjellë edhe pak shpresë partive politike, sidomos atyre që po luftojnë për ta kaluar pragun zgjedhor e LDK-së që nuk ka hequr dorë nga vendi i parë janë votat e diasporës e ato me kusht. Për të ditur rezultatin që kanë marrë partitë nga numërimi i tyre, do të ju duhet të presin edhe disa ditë. Kështu kanë konfirmuar nga KQZ për Gazetën Express.

Në faqen zyrtare të KQZ-së duhet edhe pak kohë që të procedohet numri i saktë i votave, megjithatë, kanë bërë të ditur se ka përfunduar numërimi.

Tash çka ka mbetur janë votat e diasporës, ato me kusht e të personave me nevoja të veçanta.

Për të marrë rezultatet që kanë marrë partitë nga këto vota, duhet edhe pak ditë që të fillojë numërimi në QNR.

Nga KQZ kanë konfirmuar për Gazetën Express se pritet që  brenda disa ditëve të nis numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat që kanë arritur përmes postës.

“Sa i takon kohës se kur do fillojë numërimi i votave me kusht, i votave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës ne varemi nga procedura dhe dinamika e punëve që zhvillohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por shpresojmë se brenda pak ditësh do të arrijmë të gjitha këto punë në mënyrë që të fillojmë edhe numërimin të këtyre kategorive dhe votave jashtë vendit”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Sipas Valmir Elezit aktualisht KQZ nuk i ka të dhënat se sa persona me nevoja të veçanta e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar, apo sa është numri i votave me kusht, por që sipas tij këto të dhëna do bëhen të ditura pasi të mbaroj procedura e pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat votuese në Kosovë.

I njëjti shtoi se ka 2785 persona që kanë qenë të regjistruar si persona me nevoja të veçanta, ndërsa KQZ thotë se ka pranuar 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime.

“Sa i përket votave me kusht të cilat janë hedhur gjatë ditës së djeshme në vendvotimin e dyfishtë ne do ta dimë pasi të pranojmë të gjithë materialin e ndjeshëm zgjedhor dhe do kemi statistika për secilin komunë veç e veç. Sa i përket votave nga personat me nevoja të veçanta i cili zhvillohet si proces jashtë qendrave të votimit ku KQZ dërgon ekipet mobile për tu mundësuar qytetarëve që nuk mund të shkojnë në vendvotime për të votuar gjithashtu nuk i kemi të dhënat se sa është shfrytëzuar kjo mundësi, ne kemi të dhëna vetëm sa është numri i personave të regjistruar që kanë kërkuar këtë mënyrë të votimit”, tha ai.

Derisa thotë se deri shpallja e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet  e 6 tetorit varet nga procedura dhe dinamika e punëve në QNR.

“Sa i përket çështjes se kur KQZ do shpall rezultatet përfundimtare ne varemi nga procedurat dhe dinamika e punëve t cilat zhvillohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Nuk duam të japim ndonjë afat kohor sepse krejtësisht kjo varet prej këto procedura dhe punët që zhvillohen këtu. Po shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur të arrijmë që të shpallim rezultatet përfundimtare”, tha Elezi.

Nga rezultatet që janë proceduar deri më tani Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të qëndrojë si parti e parë me 25,52%, derisa  pas saj radhihet LDK-ja me 24.83%. Në vend të tretë radhitet PDK-ja me 21,26%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button