Kosova

Thaçi e citon Grenellin: Shpresoj që takimi Kosovë -Serbi do të ndodhë shpejt

Pas përfundimit të takimit me emisarin special të presidentit të SHBA-së për dialogun, Zyra e presidentit, Hashim Thaçi, ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën thuhet se Richard Grenell ka shprehur pritjet e tij që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë së shpejti dhe të gjendet një zgjidhje finale, shkruan Gazeta Express.

Sipas Grenellit arritja e një marrëveshjeje do të kishte impakt pozitiv për zhvillimin e gjithë rajonit.

Ndërkohë, Thaçi ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Pas takimit ndërkohë ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ka qenë i pranishëm në këtë takim Thaçi – Grenell.

Kosnet ka thënë se përfaqësuesi special i Trumpit për dialogun mezi pret të punojë me krerët e shtetit për të ndihmuar arritjen e paqes dhe prosperitetit në Kosovë.

“I dërguari special i presidentit Trump, Richard Grenell, mezi pret të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët tjerë të Kosovës për të ndihmuar në arritjen e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorin Richard Grenell, përfaqësues special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Marrëveshjen e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

Në këtë takim është thënë se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, përfaqësues special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vërë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button