Home / Ekonomia / Deklarata e stabilitetit financiar, bankat të afta të përballojnë rreziqet

Deklarata e stabilitetit financiar, bankat të afta të përballojnë rreziqet

Banka e Shqipërisë ka publikuar deklaratën periodike të stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019.

Në Raportin e Stabilitetit Financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe theksohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës dhe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tij.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 (më tej, “periudha“), pas ndryshimeve të rëndësishme strukturore, sektori bankar vijoi të operojë në mënyrë të qëndrueshme. Treguesit e zhvillimit të veprimtarisë, të ekspozimit ndaj rreziqeve dhe të rezistencës financiare, mbeten në nivele të mira. Si rezultat, aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet vlerësohet e fortë. Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar.

Zhvillimet në mjedisin rrethues ekonomik dhe financiar

Gjatë periudhës, zgjerimi i aktivitetit ekonomik botëror u ngadalësua. Pavarësisht ecurisë pozitive të disa prej ekonomive të zhvilluara, përshkallëzimi i tensioneve tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës, pasiguria e tejzgjatur lidhur me Brexit dhe ngadalësimi ekonomik i disa rajoneve në zhvillim, patën efekt frenues në rritjen e tregtisë dhe të ekonomisë globale. Mbi bazën e këtyre zhvillimeve, kushtet në tregjet financiare të rajoneve të zhvilluara janë shtrënguar në muajt e fundit dhe luhatshmëria e tregjeve është rritur. Tek vendet në zhvillim, shtrëngimi i kushteve financiare është ndjerë kryesisht tek ato me klimë politike të pasigurt dhe strukturë të dobët makroekonomike. Presionet inflacioniste globale kanë mbetur të ndrydhura, duke reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe tregtar dhe ecurinë e çmimeve të naftës. Në këto kushte, bankat qendrore në ekonomitë më të mëdha, kanë ruajtur kahun lehtësues të politikës monetare. Në Ballkan, rritja ekonomike është ngadalësuar, presionet inflacioniste kanë mbetur të dobëta, por përmirësimet në tregun e punës kanë vijuar. Institucionet financiare ndërkombëtare, përgjithësisht presin që aktiviteti ekonomik botëror të vijojë të dobësohet më tej gjatë këtij viti dhe të stabilizohet gjatë vitit të ardhshëm.

Edhe në Shqipëri, norma vjetore e rritjes ekonomike u ul në tremujorin e dytë të vitit, duke shënuar 2.3%. Kërkesa agregate u mbështet nga zgjerimi i konsumit final të popullatës dhe investimet, private e publike. Sipas sektorëve, kontributi kryesor pozitiv u dha nga tregtia. Prodhimi i energjisë elektrike, tërësisht i ndikuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike, dha një kontribut negativ në normën e rritjes ekonomike. Në terma vjetorë, deficiti i llogarisë korrente u zgjerua në fund të tremujorit të dytë, por ai u mbulua plotësisht nga tepricat në llogarinë kapitale dhe financiare. Vijimi i zhvillimeve pozitive në tregun e punës u konfirmua me rënien e normës së papunësisë në nivelin 11.5%. Në kushtet e presioneve të dobëta inflacioniste, gjatë periudhës, Banka e Shqipërisë ruajti politikën monetare lehtësuese. Politika fiskale ka ruajtur prirjen për konsolidim fiskal, por me ritme më të ulëta.

Tregjet financiare dhe sistemet e pagesave

Veprimtaria e tregjeve financiare u zhvillua normalisht. Në tregun primar të titujve të borxhit të qeverisë, normat mesatare të interesit kanë shënuar rënie, edhe pse pjesa e dytë e periudhës është karakterizuar nga një rritje e lehtë. Në tregun sekondar, vëllimet e tregtimit janë rritur mbështetur te masat me natyrë strukturore që garantojnë tregtueshmërinë e disa titujve referencë, me afat të gjatë maturimi. Në tregun ndërbankar, transaksionet kanë qenë me afat deri në një javë, dhe normat e interesit janë luhatur pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë. Në tregun e këmbimit të monedhave, leku u mbiçmua ndaj euros dhe dollarit amerikan, por me ritëm më të ulët se gjatë vitit paraardhës. Indekset që monitorojnë ecurinë e çmimit të banesave në rang vendi dhe në Tiranë, shënuan rritje gjatë periudhës me një ritëm më të ulët se gjatë vitit të kaluar. Zhvillimet në disa faktorë përcaktues, tregojnë për rritjen e kërkesës dhe të ofertës në këtë treg. Gjatë periudhës, funksionimi i sistemeve të pagesave ka qenë optimal, duke njohur rritje të vëllimit dhe numrit të pagesave të procesuara.

Individët dhe bizneset

Për individët dhe bizneset rezidente, kredia dhe kursimet u rritën gjatë periudhës. Më konkretisht, kredia për subjektet rezidente u zgjerua me 3.3%, ku mbi 60% e tepricës së kredisë mbahet nga bizneset. Tek këta të fundit, kontributi në rritjen e kredisë ka ardhur nga kredia kufi, dhe ajo për ndërtim. Tek individët, kredia u rrit me 3%, e ndikuar kryesisht nga rritja e kredisë në lekë dhe kredia për pasuri të paluajtshme. Normat e interesit për kredinë e re të dhënë gjatë periudhës, si për bizneset dhe për individët, kanë shënuar rënie. Në të njëjtën kohë, individët rezidentë zgjeruan investimet e tyre në depozita, tituj dhe pjesëmarrje në fonde të investimit. Cilësia e kredisë u përmirësua për individët/familjet dhe ra lehtë për bizneset. Rezultatet e vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve dhe të bizneseve, tregojnë që ngarkesa me borxhin e tyre mbetet përgjithësisht në nivele të përshtatshme. Për familjet, rreth ¼ e tyre deklarojnë se kanë borxh për të paguar dhe për ¾ e familjeve huamarrëse, vlerat e shërbimit të borxhit zënë deri në 30% të nivelit të të ardhurave. Tek bizneset, rreth 39% e tyre kanë borxh për të paguar dhe për gati 76% të këtyre bizneseve huamarrëse, ngarkesa e borxhit vlerësohet se zë gati gjysmën e vlerës së kapitalit. Për shumicën e bizneseve që kanë borxh, shërbimi i tij është sa 20% e të ardhurave të veprimtarisë. Sipas rezultateve të vrojtimeve respektive, kërkesa për kredi e familjeve dhe e bizneseve për të ardhmen afatshkurtër mbetet e moderuar.

Veprimtaria e sistemit financiar

Veprimtaria e sistemit financiar, ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme dhe treguesit kryesorë të performancës dhe rezistencës financiare mbeten në nivele të mira. Pesha e aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka shënuar rënie me gati 2.1 pikë përqindjeje. Kjo rënie është diktuar kryesisht nga rënia e vlerës së raportuar të aktiveve të sektorit bankar, pas finalizimit të procesit të transformimit në filial të degës jashtë vendit të një banke. Ky efekt pakësues i kësaj thyerjeje strukturore të të dhënave, është përcjellë kryesisht nëpërmjet veprimtarive në valutë dhe të përqendruara te jorezidentët. Në mungesë të këtij efekti, aktivet e sektorit bankar do të ishin 1.3% më të larta për periudhën. Edhe mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut, i përqendruar në pjesën e dytë të periudhës, ka ndikuar negativisht në vlerat e raportuara në valutë të bilancit të sektorit bankar, por ky ndikim ka qenë i ulët. Në terma të treguesve të shëndetit financiar, sektori bankar u karakterizua nga nivele të mira të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë. Treguesit e likuiditetit vlerësohen në nivele të larta. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar vlerësohet i ulët, ndërkohë që, performanca e sektorit bankar mbetet me rëndësi kritike për aktivitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar jobankar.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë

Në lidhje me rreziqet e veprimtarisë me të cilat përballet sektori bankar, Banka e Shqipërisë vlerëson se ato janë të kontrolluara. Më konkretisht:

  1. a)          Kredia me probleme mbeti përgjithësisht e qëndrueshme gjatë periudhës, në nivelin 63 miliardë lekë. Raporti i kredive me probleme shënoi 11.2%. Kundrejt një viti më parë, kredia me probleme ka rënë me gati 18%, ndërsa raporti i kredive me probleme ka rënë me 2 pikë përqindjeje. Sipas kontributit, në ecurinë vjetore të kredive me probleme kanë ndikuar shlyerjet, fshirjet e kredive të humbura dhe ristrukturimet. Gjatë periudhës, vlerësohet se bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 2 miliardë lekë kredi të humbura, dhe kjo vlerë ishte më e vogël në krahasim me kreditë e fshira në periudhat paraardhëse. Procesi i fshirjeve, ristrukturimeve dhe shlyerjeve të kredisë, është shoqëruar me ndryshimin e strukturës së kredive me probleme, ku pesha e kredive të humbura ka rënë në 45%. Ky ndryshim i strukturës, ka shkaktuar efektin statistikor të rënies me gati 4.4 pikë përqindjeje të raportit të mbulimit të kredive me probleme me fonde rezervë, në nivelin 62%. E lidhur me këtë, është edhe rënia që ka shfaqur treguesi i mbulimit me kapital të kredive me probleme neto. Nga ana tjetër, mbulimi me kolateral i kredive me probleme, paraqitet në nivele të larta.

Që prej fillimit të vitit 2015, kur bankat filluan të fshinin nga bilancet kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se 3 vitesh, nga bilancet e bankave janë fshirë rreth 57.4 miliardë lekë kredi të humbura. Fluksi i fshirjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme gjatë 2 viteve të fundit, duke reflektuar pakësimin e kredive të humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se 3 vite. Banka e Shqipërisë vlerëson që procesi i fshirjeve mbetet i nevojshëm për të ulur më tej nivelin dhe raportin e kredive me probleme, dhe për të çliruar burimet që bankat mund t’i angazhojnë më mirë drejt kreditimit. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë miratoi së fundi një ndryshim rregullativ, sipas të cilit bankat duhet të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se dy vite. Ky ndryshim pritet të rrisë kontributin e procesit të fshirjeve të kredive të humbura, në uljen e kredive me probleme. Në tërësi, pavarësisht prirjes pozitive të rënies së kredive me probleme, Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat duhet ta ruajnë fokusin në këtë proces.

  1. b)            Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare mbetet i ulët. Raportet e aktiveve likuide, në lekë dhe valutë, ndaj detyrimeve afatshkurtra janë ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullator. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, që zënë rreth 80% të detyrimeve dhe që mbulojnë mbi dy herë vëllimin e kredive të sektorit. Si rezultat i peshës së konsiderueshme të depozitave pa afat dhe të llogarive rrjedhëse, diferencat në afatet e maturimit mes detyrimeve dhe aktiveve janë në vlera negative për afatin e shkurtër. Megjithatë, këto diferenca mbulohen në mënyrë të mjaftueshme nga aktivet likuide të bankave. Prania e lartë e valutës në veprimtarinë e sektorit bankar, pavarësisht zvogëlimit relativ të shkaktuar nga efekti i thyerjes strukturore, evidenton nevojën për monitorimin e ecurisë së treguesve të rrezikut dhe për identifikimin e masave të tjera korrigjuese në përgjigje të zhvillimeve. Nga ana tjetër, kjo prani e lartë reflekton përdorimin e gjerë të valutës në sektorin real të ekonomisë, dhe përforcon nevojën për një angazhim konkret të autoriteteve të tjera publike në adresimin e këtij fenomeni.
  2. c)            Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut, ndonëse ka ardhur në rënie gjatë periudhës, mbetet i rëndësishëm. Ekspozimet ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të kursit të këmbimit, shënuan një rënie relative, në kushtet kur vlerat e pozicionit të hapur valutor dhe të kredisë në valutë të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit u ulën gjatë periudhës. Megjithatë, kredia e pambrojtur ende zë rreth 24% të totalit të tepricës së kredisë, dhe bizneset vijojnë të mbajnë rreth 2/3 e vlerës. Në lidhje me ndikimin e lëvizjeve në normën e interesit, sektori bankar mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të normës së interesit. Të dhënat tregojnë që ndikimi i drejtpërdrejtë është i moderuar, në kushtet kur pozicionet e hapura në bilanc midis aktiveve dhe pasiveve të ndjeshme ndaj normës së interesit, në raport me kapitalin rregullator të sektorit, janë të ulëta. Ndikimi i tërthortë i rrezikut të normës së interesit mbetet I rëndësishëm, pasi në kushtet kur në portofolin e kredisë mbizotërojnë ato me normë interesi të ndryshueshme dhe kur vlerat e spread-eve të normave të interesit janë në nivele të ulëta historike, rritet madhësia e  ndikimit të një korrektimi të mundshëm të normave të interesit në aftësinë paguese të huamarrësve, në periudhën afatmesme. Mbështetur në informacionin e disponueshëm, probabiliteti i këtij korrektimi në periudhën afatshkurtër, vlerësohet i ulët.
  3. d)            Përfitueshmëria e sistemit financiar ndikohet nga mjedisi me norma të ulëta interesi për një kohë të gjatë, ndaj ka nevojë të monitorohet në vijimësi. Treguesit e produktivitetit të veprimtarisë bankare qëndrojnë në nivele të mira dhe aktualisht, sipas një përafrimi metodologjik, vlerësohet se kthimi nga kapitali mbulon koston e tij. Megjithatë, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, vërehet rënia e të ardhurave neto nga interesi që reflekton rënien e të ardhurave nga interesi për veprimet me klientët, dhe rënie e marzhit neto të interesit. Në një afat më të gjatë, prirja rënëse e të ardhurave neto nga interesi reflekton më gjerë ndikimin e pranisë së mjedisit të brendshëm dhe të jashtëm me norma të ulëta të interesit për një kohë të gjatë. Si e tillë, presioni mbi rezultatin financiar të sektorit bankar, por edhe të sistemit financiar në tërësi, do të vijojë përsa kohë që zhvillimet ekonomike, presionet inflacioniste dhe normat e interesit, brenda dhe jashtë vendit, do të mbeten pranë niveleve aktuale. Në një skenar të tillë, është e nevojshme që sektori bankar të kërkojë mënyra që mbajnë nën kontroll kostot e veprimtarisë dhe lejojnë investime në zgjerimin e aktiviteteve/ produkteve me efektivitet më të lartë dhe nivele rreziku që njihen drejt dhe vlerësohen saktë. Për sa kohë që nivelet e normave të interesit mbeten të ulëta, ndjeshmëria e bilancit të institucioneve financiare ndaj luhatshmërisë së tyre, tenton të rritet. Mes institucioneve financiare, ky efekt ndryshon sipas disa elementeve ku përfshihen profili i veprimtarisë financiare, si edhe përbërja dhe afati mesatar i portofolit të investimeve. Në përgjithësi, është e rëndësishme që për të gjithë sistemin financiar, e  veçanërisht në veprimtarinë e shoqërive të investimeve kolektive, të monitorohet me kujdes respektimi i kërkesave rregullative që përcaktojnë cilësinë dhe nivelet e likuiditetit të aktiveve (investimeve), me qëllim që të zbuten rreziqet që lidhen me luhatshmërinë e vlerës dhe cilësisë së këtyre investimeve si rezultat i luhatshmërisë së mundshme në normat e interesit.

Rreziqet për stabilitetin financiar

Për vlerësimin e rreziqeve sistemike është analizuar ecuria e treguesve që lidhen me materializimin dhe me akumulimin e rrezikut sistemik, me nivelin e stresit në sistemin financiar dhe me perceptimin e industrisë bankare lidhur me ekspozimin e veprimtarisë bankare ndaj rrezikut sistemik. Gjithashtu, harta e stabilitetit financiar synon të ofrojë një qasje të konsoliduar të vlerësimit për këto rreziqe.

Harta e stabilitetit financiar, indekset e materializimit dhe të akumulimit të rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, përgjithësisht tregojnë rreziqe të kontrolluara për stabilitetin financiar. Kontribut pozitiv në zbutjen e rreziqeve, kanë dhënë treguesit që lidhen me zhvillimet në sektorin real të ekonomisë, ndërsa treguesit që lidhen me sektorin bankar dhe me mjedisin e huaj ekonomik shfaqin luhatje të lehta në kahe të ndryshme. Përgjigjet e bankave në vrojtimin përkatës, tregojnë se perceptimi i bankave për rrezikun politik dhe ndikimin e tij mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike, është rritur dukshëm. Kjo përgjigje e bankave reflekton efektin e një klime politike të tensionuar gjatë periudhës, dhe evidenton nevojën për çtensionimin e saj.

Politika makroprudenciale

Gjatë periudhës, u avancua në përcaktimin dhe operacionalizimin e instrumenteve të politikës makroprudenciale. Kështu, pas një procesi të zgjeruar konsultimi me industrinë bankare, në 5 qershor 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren nr.41 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, e cila mbështet përdorimin e shtesës konservuese të kapitalit, të shtesës kundërciklike të kapitalit, të shtesës së kapitalit për bankat me rëndësi sistemike dhe të shtesës së kapitalit për rrezikun sistemik, si instrumente të politikës makroprudenciale. Mënyra se si Banka e Shqipërisë do të zbatojë shtesën kundërciklike të kapitalit dhe shtesën e kapitalit për bankat me rëndësi sistemike, është detajuar në dy metodologji specifike që shoqërojnë rregulloren. Kjo rregullore lejon për një periudhë disavjeçare (deri në 1 janar 2024) brenda së cilës bankat duhet të përmbushin nivelet maksimale të shtesave (eventuale) makroprudenciale të kapitalit dhe përmban, mes të tjerash, edhe përcaktime të instrumenteve në të cilat duhet të përmbushet shtesa e kapitalit, frekuencën e vlerësimeve për përcaktimin e tyre, periudhën e raportimit nga bankat dhe veprimet që kryhen në rast se nuk përmbushet niveli i shtesës së kombinuar makroprudenciale të kapitalit.

Mbështetur në autoritetin e dhënë nga kjo rregullore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori vendimin e datës 28 qershor 2019, “Për përcaktimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit”, ku përcakton: a) nivelin e shtesës kundërciklike të kapitalit për Shqipërinë, në 0%; b) listën e bankave me rëndësi sistemike dhe shtesën përkatëse të kapitalit që ato duhet të përmbushin për vitin 2020 (duke filluar nga data 29 mars), në të paktën 0.5%. Këto shtesa, i mbivendosen shtesës konservuese të kapitalit që në rregullore është përcaktuar 0.5% për të gjitha bankat, për të njëjtën periudhë. Vendimi i Guvernatorit u mbështet në konkluzionet e analizës së treguesve të vlerësimit të rrezikut sistemik, ciklik dhe strukturor, që Banka e Shqipërisë ka ndërtuar gjatë vitit të fundit. Rregullorja e mësipërme, i përgjigjet vlerësimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë në vitin 2018, lidhur me zbatimin e politikës makroprudenciale, dhe përafron në mënyrë të plotë përcaktimet përkatëse në direktivat evropiane.

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet duke analizuar gjendjen e tij të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë, si edhe duke provuar përshtatshmërinë e këtyre treguesve në skenarë stresi nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës.

Në fund të periudhës, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 18.5%, duke rënë me 0.2 pikë përqindjeje kundrejt fundit të vitit 2018, dhe duke mbetur dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar për këtë tregues prej 12%. Ecuria në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit është diktuar nga rënia e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik dhe rënia e vlerës së kapitalit rregullator. Rezultati financiar i sektorit për periudhën ishte në nivele të mira. Treguesit e rentabilitetit të sektorit, kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE) rezultuan përkatësisht 1.5% dhe 14.3%, duke qenë pranë niveleve të një viti më parë, dhe më të larta se në fund të vitit 2018. Gjatë periudhës, marzhi neto nga interesat zbriti në 3.4%, kundrejt 3.8% një vit më parë, duke reflektuar rënien e të ardhurave nga interesi.

Përshtatshmëria e treguesve të mësipërm, është verifikuar gjatë ushtrimit të provës së rezistencës, me skenarë që supozonin ndryshime të pafavorshme në treguesit makroekonomikë dhe financiarë për periudhën 2019-2020. Si edhe më parë, pjesë e supozimeve ekstreme në skenarin e rënduar (me një probabilitet të ulët ndodhjeje) ishin tkurrja e fortë e ekonomisë dhe e kredisë, rritja e shpejtë e normave mesatare të interesit dhe nënçmimi i fortë i kursit të këmbimit. Në përgjithësi, rezultatet e provave tregojnë se sektori bankar mbetet i kapitalizuar dhe me performancë të mirë në skenarët që përmbajnë supozime me probabilitet ndodhjeje më të lartë. Në skenarët më ekstremë, banka të veçanta dhe sektori bankar në tërësi do të kishin nevojë për rritje të kapitalit.

Mbështetur në këtë analizë, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit dhe e përfitueshmërisë së bankave paraqitet aktualisht e përshtatshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Si edhe më parë, nevojitet që bankat të analizojnë dhe testojnë aftësinë e tyre për të përballuar rreziqet e ndryshme, në mënyrë të rregullt, në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës.

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: