Muzike

“PIANODROM” sjell në Tiranë pianistët më të talentuar të Europës

Edicioni i dytë i PIANODROM fton një tufë “avionësh” të ulen nga 14 tetori 2014 deri në 9 mars 2015 mbi këtë platformë ndërkombëtare të festivalit më të madh në Shqipëri, për të sjellë në skenën shqiptare nga sallat më prestigjioze të botës pianistët më të njohur dhe shkolla të ndryshme të pianos nga Gjermania, Italia, Austria, Rusia, Zvicra, Çekia, Malajzia, Slovakia, Kroacia, Shqipëria. Simbolika e lëvizjes centripete me simbolikën e lëvizjes centrifuge do të gjenerojë për 6 muaj nga Tetori në Mars e më pas për 6 muaj të tjerë në televizione, autorë, epoka, stile të ndryshme të muzikës klasike, paraklasike, muzikës jazz, danc bashkëkohorë, si dhe shkolla të ndryshme të pianos. Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar Pianodrom, është një nga projektet e mbështetura nga Ministria e Kulturës për vitin 2014.

big_cover_ftesa_pianodrom_14-15_(2)

Prof. Aleksandër Peçi (presidenti i PIANODROM) thotë: “Në edicionin e dytë ka 39 evenimente ndër të cilat: 27 premiera koncertale, 12 evenimente teorike dhe master class, 128 vepra shqiptare, 152 vepra të trashëgimisë botërore, 21 sonata, 6 rapsodi, 2 koncerte dhe koncertino, 10 sinfoni, 76 premiera botërore, 41 vepra të kompozitorëve të rinj, një koncert i plotë Homazh me krijimtarinë e Tonin Harapit, një tjetër me krijimtarinë e Kozma Larës, 3 koncerte me veprat e kompozitorëve të rinj dhe mjaft koncerte të tjera me pianistë të rinj, te cilat dëshmojnë se PIANODROM realizon një nga synimet e rëndësishme, atë të zhvillimit të kompozicionit. Pa zhvillim të kompozicionit nuk ka zhvillim të muzikës. Totali i veprave që luhen në PIANODROM 2014 – 2015 është 280 vepra që i shtohen 220 veprave që solli PIANODROMI 2013 dhe mund të themi, jo pa krenari, se Shoqata AELFIOR dhe PIANODROM sjellin 500 vepra në 2 vjet. Kjo është një shifër e kualitet i jashtëzakonshëm që pasuron ndjeshëm gjeostilistikën e Festivalit e që sfidon dhe institucionet profesioniste”.

AleksanderPeci

Mjeshtri Peçi konfirmon me tutje: “Surpriza e këtij PIANODROMI është se marrin pjesë laureatë të çmimeve Kombëtare e Ndërkombëtare. Do të veçoja: Recitalin e Frank Dupree (Gjermani): një pianist 23 vjeçar, Çmimi i Parë në “International Hans-von-Büloë Competition” fitues i 60 çmimeve ndërkombëtare e kombëtare; është dekoruar edhe me Deutscher Musikpreis, çmimi kombëtar i muzikës; recitalin e Mei Yi Foo (Malajzi): Grand Prix në Konkursin Ndërkombëtar “Maria Callas” – Athinë (Greqi), atë të Nataliya Deeva, Artiste e Merituar e Rusisë dhe pedagoge e Konservatorit Shtetëror të Moskës Çaikovskij; recitalin e Danil Sevostyanov (Rusi): Fitues i South-Russian Competition for Piano – Rostov-on-Don (Rusi), si dhe atë të Nora Skuta (Austri): Double 5 star regards në BBC Music Magazine për CD-në e saj John Cage Sonatas and Interludes; recitalin e Sára Medková – Republika Çeke; të Gaia Sokoli (Itali): Çmimi i Parë në Bradshaë & Buono International Piano Competition – Neë York (U.S.A.); Recitalin e duos pianistike Paola Biondi – Debora Brunialti (Itali); të Kostandin Tashko (Shqipëri): Çmimi i Parë në Konkursin Ndërkombëtar “Città di Palmanova” – Palmanova (Itali)”.

Një tjetër surprizë është pjesëmarrja në Pianodrom e Klajdi Sahatçi – violinë e Merita Rexha piano, Bledar Zajmi – violonçel dhe Etrita Ibrahimi piano, Admir Doçi kitarrë, Elton Balla e Mirjan Sulovari – accordion, Duo Anita Tartari dhe Eni Dibra-Hoffman, Duo Nora Çashku dhe Etrita Ibrahimi, orkestra In – Sequenca me dirigjent Fatos Qerimaj, Erinda Agolli soprano, etj., të cilët do të sjellin pasuri e freski timbrale në festival dhe thyejnë tipin e koncertit solo piano.

Por PIANODROM do të sjellë netë magjike edhe me recitalet e: Amir Xhakoviq, Herton Mikeli, Klejda Tare; me pjesëmarrjen e Ivana Vidovic (Kroaci), Ina Laço, Ardita Bufaj, Ana Kaçinari, atë të 12-vjeçares nga Liceu Artistik Iva Zurbo, si dhe kontributin teorik të Ivo Medek rektor i Akademise se Brno Vasil Tole, Holta Sina, Edmond Buharaja,Mikaela Minga, Dorian Çene, Jetmira Hyka dhe muzikologëve të tjerë të UA.

“Gjuha shqipe me tinguj, një ambicje kjo që buron nga palca e identitetit shqiptar të çdo autori, bën që nëpërmjet këtyre instrumenteve mediatikë të komunikojë natyrshëm me publikun disa milionësh të medias elektronike. Në këtë mënyrë PIANODROM thyen disa koncepte festivalesh tepër lokale, me rreze të shkurtër komunikimi brenda një hapësire ngushtësisht shqiptare të shumë festivaleve të tjera. Falë këtyre vizioneve, vepra të PIANODROM luhen në Carnegie Hall (New York), Miami, Gjermani, Angli, Moskë, Pragë, Brno, Bratislavë, etj”- përfundon Prof. Peçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button