Politika

E ardhmja e Shqipërisë në dorën e Merkel? Reuters: Kancelarja gjermane diskuton sot me Macron, priten përplasje

Presidenti francez Emmanuel Macron ka pasur një përplasje të fortë me kancelaren gjermane Angela Merkel këtë javë pasi Parisi u izolua të martën duke kundërshtuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, shkruan Reuters.

Danimarka dhe Holanda u bashkuan me refuzimin francez për fillimin e bisedimeve të pranimit me një vend tjetër të Ballkanit, Shqipërinë në një takim të ministrave të BE-së në Luksemburg, i cili përfundoi pa asnjë marrëveshje për çështjen që do të kërkonte mbështetje unanime të të gjitha 28 shteteve të BE-së.

“Më vjen shumë keq që vendet anëtare nuk mund të marrin një vendim”, tha dukshëm i mërzitur zyrtari i lartë i BE Johannes Hahn. “Nuk është një moment lavdie për Evropën.”

Reuters

“Ne duhet të rivendosim besueshmërinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe t’i zbatojmë angazhimet tona. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë dhe kanë zbatuar reforma të dhimbshme”, tha ai pasi shtetet e BE u larguan nga bërja e hapit për herë të tretë brenda një viti e gjysmë.

Por Franca injoroi mbështetjen e gjerë midis shteteve të BE për t’u dhënë dritë jeshile vendeve që qëndrojnë në një rajon strategjik në pragun e bllokut.

Amelie de Montchalin, ministre e çështjeve evropiane të Francës, tha që nuk mund të ketë hapje të negociatave përpara një reforme se si dhe kur kandidatët për anëtarë janë verifikuar nën objektivat e BE-së, në secilin varg nga politikat ekonomike deri tek të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Në Paris, një zyrtar i presidencës franceze tha se qeveria e Macron nuk do të pajtohej të hapte bisedimet tani.

“Këto vende do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian një ditë … por është shumë herët për të hapur procesin ligjor drejt zgjerimit”, tha zyrtari presidencial.

Franca thotë se BE përballet me shumë sfida – duke përfshirë planet e daljes së Britanisë, Kinën, migracionin dhe kërcënimet e sigurisë të paraqitura nga Rusia – për të lejuar hyrjen e dy shteteve të tjera nga Ballkani, një rajon ende nën ndikimin e luftërave të viteve 1990 dhe në luftë me krimin dhe korrupsionin.Por qëndrimi francez ka ngritur shqetësime për vonesa të mëtejshme në një proces tashmë të zgjatur që mund të nxehet dhe më duke nxitur shtetet e Ballkanit për të kultivuar lidhje më të ngushta me Rusinë, Turqinë ose Kinën.

Në Berlin, një zyrtar qeveritar tha se ishte çështje parësore për Gjermaninë, e cila do të mbajë samitin e saj vjetor me Francën të Mërkurën.
“Kancelarja Angela Merkel do ta diskutojë çështjen me Macron të mërkurën”, tha zyrtari, duke shtuar se ajo gjithashtu do të ngrejë çështjen në një samit të 28 liderëve në Bruksel të enjten dhe të premten. “Është një çështje strategjike për BE”.

Me më shumë shqetësim në lidhje me rekordet e Shqipërisë për luftën ndaj korrupsionit dhe një dëshirë të përbashkët për të shpërblyer Maqedoninë e Veriut për zgjidhjen e konfliktit të saj historik për emrin me Greqinë anëtare të BE-së, takimi i Luksemburgut në një moment diskutoi të shkojë përpara me Shkupin por jo me Tiranën. Parisi bllokoi edhe atë përpjekje.

“Gjëja e parë për të cilën duhet të flasim është se si Evropa duhet të reformojë mënyrën se si ajo bën zgjerimin dhe negociatat”, tha de Montchalin, duke e quajtur procesin “një telenovelë të pafund”. “A është procesi efikas? Nga këndvështrimi ynë, jo”.

Gjashtë vendet e Ballkanit, Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, pesë prej të cilave, përveç Shqipërisë dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë në vitet ‘90, konsiderohen anëtare të ardhshme të BE-së.

Ndërsa Holanda mbështeti Francën për Shqipërinë, e cila tashmë është anëtare e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA, shumica e vendeve të tjera të BE-së shfaqën zhgënjim me pozicionin francez.

“Është shumë e rëndësishme të japësh një sinjal politik se zgjerimi nuk ka vdekur”, tha George Ciamba, ministri i Rumanisë i BE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button