Home / Kronika / Ambasada e SHBA-së kërcënon të korruptuarit. Pas Llallës, Doshit dhe Dakos, të tjerët në ditët në vijim

Ambasada e SHBA-së kërcënon të korruptuarit. Pas Llallës, Doshit dhe Dakos, të tjerët në ditët në vijim

Zyrtarët e tanishëm dhe të kaluar të korruptuar, bashkë me familjarët e tyre, janë në listën e Departamentit të Shtetit për t’ju hequr përgjithmonë e drejta e vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me një video informuese, Ambasada Amerikane në Tiranë bëri publike përcaktimet për korrupsion madhor, sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara.

Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, bën me dije ambasada.

Pasi rendit rastet e ish-prokurorit Llalla, deputetit Tom Doshi dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, për të cilët thotë se ka prova të besueshme për korrupsion madhor, video bën të ditur se Departamenti i Shtetit ka në radhë listën e ish-zyrtarëve dhe zyrtarë aktualë për të cilët disponohen prova për korrupsion madhor dhe se do t’i bëjë publike në ditët në vijim.

Shqipëria ka në listë 15 persona (përfshirë dhe familjarët e zyrtarëve) që ju është ndaluar përgjithmonë hyrja në SHBA nga rreth 100 persona në gjithë botën, duke zënë një pjesë të konsiderueshme në listën e zezë, për shkak të rolit aktiv të ambasadës në Tiranës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë”, e mbyll mesazhin ambasada amerikane.

Leave a Reply

%d bloggers like this: