Home / Rajoni / Maqedonia / Në Shkup mbahet konferenca e Organizatës Doganore Botërore

Në Shkup mbahet konferenca e Organizatës Doganore Botërore

Në konferencën treditëshe do të marrin pjesë 200 mysafirë prej mbi 500 vendeve, ekspertë doganorë dhe akademikë, të cilët do t’i prezantojnë punimet e tyre hulumtuese të temës vjetore.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dje hapi PIKARD Konferencën e 14-të të Organizatës Doganore Botërore me temën “Kufij të mençur për tregti, udhëtim dhe transport të pandërprerë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën treditëshe do të marrin pjesë 200 mysafirë prej mbi 500 vendeve, ekspertë doganorë dhe akademikë, të cilët do t’i prezantojnë punimet e tyre hulumtuese të temës vjetore.

Në fjalimin e tij përshëndetës të konferencës, kryeministri Zoran Zaev duke rikujtuar se Republika e Maqedonisë së Veriut tërësisht e ka pranuar integrimin ekonomik në vendet e rajonit, në kontinentin evropian dhe në nivel botëror theksoi:

“Në disa pjesë të botës sot populli dhe qeveritë kanë humbur shpresën dhe entuziazmin për tregjet e hapura. Ato sot hapur e shtrojnë çështjen për vlerën dhe përfitimet e bashkëpunimit në tregtinë ndërkombëtare. Disa i shohin rregullat ndërkombëtare si pengesë për kontrollin e tyre sovran. Dua t’ju sigurojë se ky nuk është rasti me vendin tonë”, tha kryeministri Zaev.

“Përcaktimin e kemi të qartë”, tha Zaev duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut konfirmoi qëndrimin se inkluziviteti ndërkombëtar është shumë më i fuqishëm se të qëndruarit anash dhe se tregtia ndërkombëtare është mjet, jo qëllim.

Me rastin e mbajtjes së konferencës për vizitë në vend është edhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës Doganore Botërore (ODB), Kunio Mikuria.

Ai në fjalimin e tij tha se në konferencën do të bisedohet për shumë sfera të cilat janë në interes të gjithë bashkësisë së doganave.

“Në këtë konferencë do të shqyrtojmë shumë sfera që janë në interes për bashkësinë tonë të doganave, e-tregtia, dhe si mund t’i kyçim operatorët e rinjë ekonomik. Duke e pasur këtë parasysh, vitin e kaluar miratuam standardet e reja për e-tregti tejkufitare. Ajo që është me rëndësi është se si t’i zbatojmë këto standarde në terren”, theksoi sekretari i përgjithshëm i ODB-së, Mikuria.

Organizata Doganore Botërore është themeluar në vitin 1952 si Këshill për bashkëpunim doganor. Ajo është një trup i pavarur ndërqeveritar, misioni i së cilës është përforcimi i efikasitetit të drejtorive doganore. Në të sot bëjnë pjesë 183 drejtori doganore nga mbarë bota, që bashkarisht mbulojnë rreth 98 për qind të shkëmbimit të përgjithshëm tregtar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: