Ekonomia

Vodafone blen Abcom, si do të ndryshojë tregu

Kompania më e madhe e telefonisë celulare Vodafone Albania ka hyrë në tregun e telefonisë dhe internetit fiks duke blerë aksionet e Abcom. Monitor ka mësuar se pas shumë negociatash është konfirmuar marrëveshja mes dy palëve që pritet të bëhet së shpejti publike.

Pajtimtarët dhe abonentët e Abcom do të kalojnë te Vodafone pasi ky i fundit ka vendosur të mbajë brandin e tij dhe të zëvendësojë atë të Abcom në të gjitha pikat e shitjes dhe materialet publicitare.

Monitor e kishte paralajmëruar faktin që “Abcom” ishte në negociata për t’u shitur te “Vodafone”, por konfirmimi erdhi këtë javë dhe pritet të bëhet publik në ditët e ardhshme.

Vitet e fundit po shënojnë rritje operatorët që veprojnë në tregun e telekomunikacioneve përmes shitjes së shërbimeve në tregjet e huaja, ose menaxhimin e faturimit të trafikut telefonik.

Marrëveshja pas nënshkrimit duhet të njoftohet për miratime pranë rregullatorit të tregjeve të komunikimeve elektronike AKEP dhe Autoritetit të Konkurrencës.

“Vodafone” mbetet më i madhi në tregun e telefonisë celulare dhe ka shënuar rritjen më të madhe në treg në vitin 2018. Të ardhurat u zgjeruan me 7.5%, në 16.3 miliardë. Kompania iu rikthye rezultatit pozitiv, duke raportuar fitime para taksave prej 1.7 miliardë lekësh, nga humbjet prej 790 milionë lekësh të vitit të mëparshëm.

Të dhënat më të fundit nga AKEP për tremujorin e dytë të vitit 2019 tregojnë se Vodafone mbetet kryesues në tregun celular me 49 % të tregut pasi zotëron 1 milionë e 204 mijë përdorues aktivë nga 2,460,718  që është numri total i përdoruesve celularë.

Abcom”, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), ka përshpejtuar aktivitetin në 2018-n, duke rritur të ardhurat me 12% në 2 miliardë lekë.

Të dhënat më të fundit nga AKEP për tremujorin e dytë të vitit 2019 tregojnë se Abcom zotëron 67 032 pajtimtarë nga akses broadband nga rrjetet fikse ose 16.7 për qind të tregut që raporton në total 399 mijë përdorues.

Ky transaksion shënon ndryshime të strukturës dhe konkurrencës së tregjeve të shërbimeve telefonike dhe sidomos të broadbandit nga rrjetet fikse ku tashmë Telekom Albania dhe Albtelecom që veprojnë në të dyja këto tregje do të ndjejnë më fort konkurrencën e Vodafone në të dyja tregjet, celulare dhe fikse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button