Politika

Profesori amerikan Daniel Serwer: Pjesëmarrja në zgjedhje, detyrim për partitë politike

“Njerëzit që nuk votojnë, partitë që nuk marrin pjesë në zgjedhje ose nuk zënë vendet në parlament nuk bëjnë më të mirën e tyre për të përmbushur detyrën përfaqësuese ndaj votuesve”, deklaroi sot profesor Daniel Serwer, një nga personalitetet më të njohura të politikës së jashtme dhe njohësit më të mirë të Ballkanit në Uashington D.C.

“Është e vërtetë që të jesh në opozitë është frustruese, por pjesëmarrja në zgjedhje është një detyrim edhe nëse mendoni se sistemi është i padrejtë. Ndonjëherë popujt në Ballkan mendojnë se mund të përfitojnë më shumë duke bojkotuar sesa duke marrë pjesë. Padyshim që ka procese politike që unë do të dëshiroja t’i bojkotoja, por sjellja normale do të ishte pjesëmarrja. Demokracitë liberale varen tek pavarësia e pushteteve. Njerëzit që nuk votojnë, partitë që nuk marrin pjesë në zgjedhje, ose nuk zënë vendet në parlament, nuk bëjnë më të mirën e tyre për të përmbushur detyrën përfaqësuese ndaj votuesve. Vendi nuk mund të shpresojë të luajë rolin e tij në rrafshin ndërkombëtar nëse është i paaftë të jetë përfshirës së brendshmi, pra në proceset e brendshme”, tha ai.

Serwer tha se, “Shqipëria ka bërë përparim fantastik. Juve jeni anëtarë të NATO-s dhe kandidatë për të hyrë në BE. Le të kujtojmë që kur erdha këtu 22 vite më parë vendi ishte në një kaos total, në vijim të rënies së skemave piramidale. Që prej asaj kohe ju keni kaluar zhvillim të mirë ekonomik, të mos themi spektakolar, dhe keni realizuar ndërtimin e një ekonomie të tregut dhe të hapur me integrimin e të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit”.

Në lidhje me procesin e hapjes së negociatave, Serwer tha se, “keni përmbushur kriteret për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe janë rrethanat e brendshme politike që e ndaluan hyrjen në BE. Franca dhe Holanda duhet t’u vijë turp sesi vepruan me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Çështja është sesi t’i përgjigjemi kësaj vonese kaq të madhe për të njohur ato arritje që si Shkupi, dhe Tirana janë vërtet krenarë. Ju padyshim jeni të zhgënjyer dhe të acaruar dhe ju mirëkuptoj, por këto nuk do t’ju çojnë përpara. Përgjigja e duhur them se duhet të jetë një angazhim ndaj kërkesave të reformës dhe kërkesave që duhen për t’u bërë anëtarë dhe jeni ende kandidatë, ju mund të përparoni ende drejt BE-së edhe pa të ashtuquajturën negociata që nuk është më shumë sesa zbatimi i Acquis Comunitaire. Shumica e të mirave të anëtarësimit në BE vijnë shumë më përpara prej reformave që do të ndërmerrni. Nuk ka pra arsye se pse kjo vonesë duhet të vonojë hyrjen eventuale të Shqipërisë në BE”.

“Ka dy çështje që kërkojnë vëmendje në Shqipëri. Njëra është shteti i së drejtës, tjetra është sjellja politike. Jeni të lodhur prej amerikanëve dhe europianëve që predikojnë shtetin e së drejtës. Por juve ju nevojitet kjo gjë. Jo për europianët, por për veten. Institucionet tuaja janë më të mira se ç’ishin dikur dhe ju jeni në proces të rinovimit, por sërish ju mungon kultura e ligjshmërisë. Nuk është e lehtë për t’u krijuar dhe e pranoj, ka dhe vende të caktuara në Amerikë që u mungon, por juve ju nevojitet shteti i së drejtës, sepse është ajo që kërkojnë me të vërtetë qytetarët”, tha ai.

“Do të vijë dita kur si këtu dhe në Chicago, ku unë kam jetuar, që t’i ofrosh punë një kushëriri të pakualifikuar nuk është nder që i bën familjes, por abuzim korruptiv me detyrën. Dita do të vijë kur nuk do të toleroni politikanë që kanë burime financiare të cilat nuk i justifikojnë dot. Siç edhe shumica e gjyqtarëve tuaj e kanë humbur detyrën e tyre, të drejtën për të ushtruar profesionin. Është vitale të mbështeteni tek individë të kualifikuar që varen nga merita dhe talenti për të vijuar karrierën”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button