Bota

2 diplomatë amerikanë: Trump e shihte Ukrainën si të korruptuar

Catherine Croft, e cila ka punuar si eksperte për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, dëshmoi para hetuesve të Kongresit se në vitin 2017 ajo punoi për planin e presidentit Trump për t’i siguruar Ukrainës një sistem raketash anti-tank dhe gjithashtu organizoi takimin e tij me Presidentin ukrainas Presidenti Petro Poroshenko në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Përgjatë punës, kam dëgjuar – direkt dhe indirekt – Presidenti Trump e ka përshkruar Ukrainën si një vend të korruptuar,” thotë ajo në dëshminë e përgatitur.

Gjatë kohës së saj si ndihmëse e sigurisë kombëtare, zonja Croft gjithashtu tha se ajo kishte marrë telefonata të shumta të pashpjegueshme nga Robert Livingston, një ish-ligjvënës republikan amerikan i kthyer në lobist, ku i thoshte asaj se Marie Yovanovitch, ambasadorja amerikan në Ukrainë, duhet të pushohej nga puna. Ajo tha se zoti Livingston e cilësoi ambasadoren Yovanovitch si një “mbështetëse të Obamës” dhe “të lidhur me George Soros”, një përkrahës i njohur i kauzave liberale dhe demokratëve amerikanë kundër Presidentit Trump.

“Nuk ishte e qartë për mua në atë kohë, dhe as tani – në drejtimin e kujt ose me shpenzimet e kujt zotin Livingston po kërkonte largimin e ambasadores Yovanovitch”, tha zonja Croft.

Akuzat

Administrata Trump në fillim të këtij viti thirri ambasadoren Yovanovitch nga Ukraina, disa muaj para se të përfundonte mandati i saj dhe e shkarkoi atë. Ajo i ka thënë komisioneve hetimore për shkarkimin e Presidentit se u pushua nga puna për shkak të “pretendimeve të pabaza dhe të rreme nga njerëzit me motive të dyshimta”.

Mbarëvajtja e diskutimeve të presidentit me Ukrainën është në qendër të hetimit të nisur nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët për shkarkimin e tij – në se pezullimi i përkohshëm i 391 milion dollarëve ndihma ushtarake për Ukrainën u bë derisa ai mori miratimin për hetime për ta ndihmuar atë politikisht.

Ligjvënësit po shqyrtojnë kërkesën e Presidentit Trump në fund të korrikur drejtuar presidentit aktual të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që ai të fillonte hetimet për çdo përfshirje që Ukraina kishte në përpjekje për të penguar zgjedhjen e tij në vitin 2016 dhe të hetonte veprimet e një prej sfiduesve kryesorë të demokratëve të vitit 2020, ish-nënpresidentit Joe Biden, dhe punën e djalit të tij, Hunter Biden, si anëtar i bordit të Burismas, një kompani ukrainase e gazit natyror.

Trump e ka cilësuar thirrjen me Presidentin Zelenskiy si “perfekte”, dhe mohoi se ekzistonte një quid pro quo – ndihmën ushtarake për Kievin në këmbim të hetimeve politike.

Christopher Anderson

Një diplomat i dytë i karrierës, Christopher Anderson, dëshmoi të mërkurën se në fund të vitit të kaluar kur Rusia përshkallëzoi konfliktin me Kievin duke kapur anije ushtarake të Ukrainës që shkonin drejt një porti ukrainas në Detin e Azovit, kolegët e tij në Departamentin e Shtetit “përgatitën shpejt një deklaratë që dënonte Rusinë , “por se “zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë bllokuan publikimin e saj”.

Në një episod tjetër, zoti Anderson tha se ai dhe të tjerë diplomatë mbështetën përpjekjet për ta bërë Shtëpinë e Bardhë të përmirësonte marrëdhëniet me Ukrainën. Por zoti Anderson tha se ai ishte “paralajmëruar” nga Këshilltari i atëhershëm i Sigurimit Kombëtar John Bolton se avokati personal i Presidentit Trump, Rudy Giuliani, i cili ishte deleguar nga Trump për të mbikëqyrur çështjet e Ukrainës, “ishte zëri kryesor i presidentit në Ukrainë, i cili mund të ishte një pengesë për rritjen e angazhimit të Shtëpisë së Bardhë “. Në Twitter, Trump vazhdoi të sulmojë hetimin e imbeachment.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button