Home / Politika / Alvini sot në mëngjes zbriti në Romë. Presidenti i Kryqit të Kuq italian jep detaje

Alvini sot në mëngjes zbriti në Romë. Presidenti i Kryqit të Kuq italian jep detaje

Alvin Berisha mbërrin në Itali. 11-vjeçari me origjinë shqiptare u transferua me një fluturim të planifikuar. Ai mbërriti nga Beiruti pas orës 07:00 në aeroportin e Romës Fiumicino, ku u prit nga babai dhe dy motrat.

“Gëzim i jashtëzakonshëm që mundëm të sjellim vogëlushin Alvin përsëri në Itali, në krahët e familjes së tij. Duhet të punojmë më shumë për fëmijët e tjerë në Al-Hol dhe në fusha të tjera në Siri. Është një situatë komplekse, por nëse ekziston vullnet politik, mund të bëhet ” deklaroi Presidenti i Kryqit të Kuq italian, Francesco Rocca.

Në moshën 6 vjeçare, në dhjetor të 2014, Alvin Berisha fluturoi drejt Sirisë me të ëmën që donte ti bashkohej ISIS.

Vogëlushi shqiptar, nëna e të cilit do të vdiste në një shpërthim së bashku me bashkëshortin e ri dhe djalin që kishin së bashku, do të përfundonte më pas në kampin e refugjatëve Al Hol, në veri-lindje të Sirisë, atje dhe ku u gjet. Tashmë sfidë për shtetin shqiptar mbetet kthimi i rreth 28 fëmijëve të tjerë shqiptarë që gjenden në kamp.

Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian gjatë fjalës së tij në konferencën që u zhvillua sot në mëngjes në Romë, tha se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi.

Ai thotë se u krijua një rrjet i domosdoshëm që gjithçka të shkonte mirë për të arritur këtë rezultat të jashtëzakonshëm.

“Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren në kampin Al – Hol.  Dua të them diçka, që ndoshta dihet shumë pak në Itali, unë e dija kapacitetin e Gjysmë Hënës së Kuqe. Unë e dija që kishte kapacitet për të hyrë në kamp. Drejtuesi ynë është një kurd me origjinë dhe  kjo ishte një fakt shumë i rëndësishëm që na ka ndihmuar”, tha ai.

Pra nisjes për të shpëtuar Alvinin, presidenti i Kryqit të Kuq tha se u mor konfirmimi që fëmija ishte në këtë kamp. “Është një operacioni i gjerë.  Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë për ne ka qenë që nuk duhet të merrej vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale. Persona radikal janë ende prezent dhe kjo ishte pjesa më e vështirë. Edhe transferimi nga ‘Al Hol’ në aeroport ka qenë shumë i vështirë, pasi ndërlidhësit tanë ishin të frikësuar”, – u shpreh ai para medieve.

Presidenti i Kryqit të Kuq italian shtoi se, “në Damask e kam pritur unë Alvinin. Kishim një presion dhe tension të madh për të nxjerrë shëndosh e mirë djalin por kurdët kanë prioritet tjetër tani, ata menaxhojnë një kamp me 70 mijë persona dhe është një situatë politike shumë e brishtë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithçka që ishte e re për atë”.

Duke falënderuar qeverinë italiane dhe shqiptare për mbështetjen, ai thotë se, “ne si organizata, pa mbështetjen e qeverive respektive nuk mund të bëjmë dot asgjë. Ne u impenjuam dhe fëmija doli nga kampi.  Ka edhe tre fëmijë të tjerë të moshave të vogla dhe që janë jetim që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Ne duhet të bëjmë këtë ndryshim sepse unë e dija që diçka mund të bënim dhe kjo ndodhi. Prezenca jonë, logjistika na ka ndihmuar shumë për këtë dialog. Kjo ka qenë një sinjal dhe jam i sigurt që tashmë të gjithë e dinë që dhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: