Home / Kronika / I hapin rrugë projektit të Unazës, pronarët e bizneseve pa leje te “Astiri” zhvendosen vullnetarisht

I hapin rrugë projektit të Unazës, pronarët e bizneseve pa leje te “Astiri” zhvendosen vullnetarisht

Shumica e banorëve të shtëpive, po edhe biznese të shumta të cilat ishin ngritur si ndërtime pa leje gjatë 30 viteve të tranzicionit në “Unazën e Madhe” në afërsi të “Astirit”, i përgjigjen pozitivisht thirrjes për t’i hapur rrugë projektit të zgjerimit të rrugës, duke zhvendosur aktivitetin diku tjetër.

Nga një vëzhgim në të dyja anët e segmentit nga “Shkolla Teknologjike”, ose siç njihet ndryshe “Pallati me shigjeta”, gjer tek rrethrrotullimi “Shqiponja”, dallohen lehtësisht se të gjitha bizneset kanë mbyllur qepenat, duke pranuar të zhvendosen vullnetarisht në një vend tjetër për ushtrimin e aktivitetit të tyre tregtar.

Pronarët e gomisterive, serviseve të makinave, lokaleve dhe hoteleve shprehen se kanë disa muaj që kanë marrë masat për të larguar pajisjet e punës diku tjetër, ndërsa tregojnë se vullnetarisht kanë pranuar që të lironin godinën dhe të mos bëheshin pengesë për ndërtimin e rrugës që do të sjellë dhe një zhvillim të të gjithë zonës.

Ndërkohë, banorët e zonës së Astirit që janë treguar bashkëpunues për t’i hapur rrugë projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të segmentit rrugor “Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja” janë shpronësuar me vlerën e tregut për ndërtesat e tyre që preken nga ky projekt.

Tashmë, 8 familjet dhe bizneset e para që preken nga Loti 1 i projektit, që kanë dorëzuar dokumentet në kohë, kanë mundur të përfitojnë në llogaritë e tyre bankare shumat e konsiderueshme që shkojnë deri në mbi 550 milionë lek të vjetra secili.

Nga ana tjetër, ARRSH që i bën thirrje edhe banorëve të tjerë që të paraqiten sa më parë pranë këtij institucioni dhe të dorëzojnë dokumentacionin për tërheqjen e vlerës për shpronësim, ku përfshihet: 1. Certifikata e pasurisë (fotokopje të noterizuar); 2. Kartelën e pasurisë (të rifreskuar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë); 3. Harta e pasurisë (e rifreskuar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë); 4.Numër llogarie (Iban), në emër të pronarit të pasurisë, ose prokurë të posaçme për personat e autorizuar për tërheqjen e vlerës si dhe një kopje të kartës së identitetit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: