Politika

Maas: Gjermania po lufton për nisjen e negociatave me Shqipërinë, Kushtetuesja të fillojë pa u vonuar punën

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha sot se Reforma në fushën e Drejtësisë, me të cilën Shqipëria po tregon një shembull të mirë në rajon është në rrugën e duhur.

I pyetur se çfarë pret të bëjnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në situatën kur nuk u mor vendim për negociatat me BE-në, Maas tha: “Unë dua t’u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konsekuencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurrenca politike dhe idetë konkurruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit”.

“E rëndësishme është që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën. Edhe reformimi i ligjit të zgjedhjeve do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të sigurt, se për reformat që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR mund arrihet marrëveshje pa humbur kohë. Parlamenti është vendi ku zhvillohen konfrontimet politike. Tani duhen propozime konstruktive dhe bashkëpunime serioze në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, theksoi ai.

Në një intervistë ekskluzive me Adelheid Feilcke për Deutsche Welle, në prag të vizitës së tij në rajon, Maas ka theksuar se “një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE, e mbështesin fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është edhe në interesin tonë strategjik. Por për këtë çështje na duhet unanimiteti brenda BE-së, dhe për të arritur këtë jemi duke punuar. Gjermania është duke luftuar me të gjitha forcat, për të arritur një qëndrim të përbashkët në BE, që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt. Unë dua edhe një herë ta bëj këtë gjë të qartë në Shkup”.

I pyetur se nuk duket që Franca, Presidenti Macron, dhe kundërshtarët e tjerë të zgjerimit të kenë ndër mend të ndryshojnë mendimin dhe cila është strategjia e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor nëse BE vazhdon ta bllokojë zgjerimin, Maas tha se, “forca e Bashkimit Europian ekziston në faktin se në fund ne gjithnjë gjejmë një zgjidhje, edhe kur temat janë të vështira. Unë jam i sigurt, se ne do ia dalim edhe kësaj herë. Presidenti Macron, ka shpjeguar se krah vazhdimit të reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, i domosdoshëm është edhe reformimi i procesit të zgjerimit në BE. Për këtë ne do të zhvillojmë javën e ardhshme bisedime intensive në BE”.

Por, ka shtuar ai, “njëkohësisht edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë pa ndalur procesin e reformave, në mënyrë që të arrijnë suksese të tjera. Sidomos tani duhet që nëpërmjet sukseseve të binden edhe ata skeptikë që kanë mbetur. Gjermania do të angazhohet që të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE”.

I pyetur mbi vendimin pozitiv që Gjermania ka marrë për Shqipërinë, Maas është shprehur se, “vendimi ynë për të mbështetur bisedimet e pranimit me Shqipërinë ishte i drejtë. Ai u rekomandua edhe nga Komisioni i BE. Po ashtu është formuluar qartë çka priten ende nga hapat reformues që duhen hedhur”.

“Reforma në fushën e drejtësisë, me të cilën Shqipëria po tregon një shembull të mirë në rajon është në rrugën e duhur. E rëndësishme është që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën. Edhe reformimi i ligjit të zgjedhjeve do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të sigurt, se për reformat që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR mund arrihet marrëveshje pa humbur kohë. Parlamenti është vendi ku zhvillohen konfrontimet politike. Tani duhen propozime konstruktive dhe bashkëpunime serioze në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse do të ishte më mirë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të trajtohen të ndara, Maas ka nënvizuar se, “në procesin e pranimit çdo vend gjykohet sipas punës që ka bërë. Duke pasur parasysh hapat e suksesshëm refomues, Komisioni Europian vendosi që në vitin 2018 se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për fillimin e bisedimeve. Kështu që Komisioni dha rekomandimin që të fillonin bisedimet e pranimit me të dy vendet. Në maj të 2019, Komisioni përsëriti vlerësimet dhe rekomandimet. Qeveria gjermane i dërgoi vlerësimet e veta Komisionit Europian dhe kërkoi në Këshill fillimin e bisedimeve të pranimit me të dy vendet. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”.

I pyetur mbi konceptet e reja për rajonin si mini-Shengen, modeli norvegjez, etj., Maas ka shtuar se, “ne nuk shohim të ketë alternativa të tjera përveç procesit të pranimit në BE, nëse duam që të ruajmë interesin për reforma serioze dhe të qëndrueshme, si për shembull në fushën e shtetit ligjor. A mund të përmirësohet procesi ekzistues? Kjo është një çështje tjetër”.

“Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal plotëson procesin e pranimit në BE. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë në favor të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato e bëjnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi më interesant. Me procesin e Berlinit ne mbështesim prej vitesh këto përpjekje dhe kemi arritur shumë, si për shembull kemi krijuar organizatën rajonale të të rinjve RYCO, dhe praktikisht, kemi ulur tarifat për roaming”, ka thënë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button