Kosova

Peter Beyer – Mes Evropës, Ballkanit dhe SHBA

Raportuesi i parlamentit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Peter Beyer, u zgjodh të enjten raportues i Këshillit të Evropës për Kosovën. Po kush është Beyer?

“Është e qartë, për ne ky është një lajm shumë i mirë, tha pr DW, ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj.” Peter Beyer është një njohës shumë i mirë i Kosovës dhe Ballkanit, por edhe me lidhje shujë të forta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Emërimi i tij do të sjellë raporte më të diferencuara për Kosovën  në Këshillin e Evropës”, tha Cufaj më tej, i cili e njeh deputetin gjerman edhe nga aktivitetet e tij të shumta në Berlin.

Peter Beyer është lindur në vitin 1970, në qytezën e Ratingenit, në Landin Nordrhein-Westfallen (Renania Veriore – Vestfali). Babai i dy fëmijëve ende në moshë shkolle, ka studiuar drejtësi, politikë dhe histori në Dyseldorf dhe Bon, si edhe në Virgina të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas një karriere disa vjeçare në disa kancelari ndërkombëtare, e nisi karrierën politike në vitin 2002, si anëtar i këshillit bashkiak të vendbanimit të tij të sotëm, Heiligenhaus. Në vitin 2009 kandidoi për herë të parë për deputet në  Parlamentin Federal Gjerman  (Bundestag) dhe fitoi mandat të drejtpërdrejtë me gati 40% të votave. Fitorja e tij ia ktheu zonën elektorale, Mettmann II, Unionit Kristdemokrat (CDU), i cili e kishte humbur pushtetin aty  prej 15 vjetësh.

Njohës i Ballkanit dhe Kosovës

Deputeti kristdemokrat, i cili qysh në vitin 2009 është raportues për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, e njeh Kosovën jo vetëm nga takimet e zyrave në Prishtinë dhe Berlin. Në shtator ai ishte sërish në Podujevë për të mbështetur binjakëzimin e qytetit verilindor të Kosovës me një nga qytetet e zonës së tij, Velbert. Beyer ka tashmë dhjetë vjet që e mbështet nismën e binjakëzimit, e cila u kurorëzua më në fund në prill të këtij viti.

Ai është një nga përkrahësit e hershëm të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës dhe  mbrojtësit më energjikë të integritetit territorial të Kosovës. Në intervista dhe fjalime të ndryshme ai është shprehur gjithmonë kundër tezës së ndryshimit të kufijve dhe ka bërë thirrje thuajse në çdo fjalim të mbajtur në Bundestag për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet ende refuzuese të BE-së. “Është në interes të Bashkimit Evropian që të mos i lërë dyert e hapura për aktorët e tjerë dhe të forcojë ndikimin e tyre”, argumentoi Beyer në  thirrjen e tij më të fundit në Bundestag me rastin e zgjatjes së mandatit të KFOR-it, në qershor 2019.

Një transatlantik i bindur

Me gjithë dashamirësinë që ka për Ballkanin Perëndimor, ai nuk ngurron t’i thotë kritikat hapur: Qoftë të kërkojë në mënyrë të përsëriitur nga kosovarët heqjen e taksave 100 përqind për mallrat e Serbisë, qoftë duke ia bërë të qartë Serbisë, se parakushti i anëtarësimit të saj në BE është njohja e Kosovës. Kërkesa këto që nuk i dëgjojnë me dëshirë politikanët vendas.

Peter Beyer arriti të fitonte në garën për raportues për Kosovën në Këshillin Evropës duke sfiduar edhe konkurrentin e tij rus, Aleksey Kondratjev, i cili ende e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë. Me Kosovën Peter Beyerin nuk e bashkon vetëm Podujeva, dhe qëndrimi i tij pro pavarësisë së saj. Me kosovarët atë e bashkon edhe mirënjohja e thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikurse Kosovarët që i janë mirënjohës superfuqisë përtej Atlantikut për çlirimin ndaj shtypjes së regjimit të Milosheviçit, edhe Beyer i është mirënjohës ShBA-së për përkrahjen që i dha procesit të Bashkimit të Gjermanisë. Javën e kaluar ai e shprehu këtë falënderim publikisht me një artikull me titullin “Faleminderit Amerikë!” në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine”.

Prej vitit 2018 Beyer është i ngarkuari i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike, duke shërbyer kështu si ndërlidhës në zgjidhjen e fërkimeve të shumta që ekzistojnë aktualisht mes administratës së Trumpit dhe qeverisë Merkel, një nga të cilat është padyshim edhe çështja e dialogut Serbi-Kosovë. Emërimi i Beyer-it si raportues për Kosovën në KE, e forcon pozitën e tij si vëzhgues dhe mediator të rëndësishëm në trekëndëshin Evropë-Ballkan-SHBA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button