Home / Kronika / Kushtetuesja nuk njeh Arta Vorpsin. Detyrën e fillojnë anëtarët e betuar para Presidentit

Kushtetuesja nuk njeh Arta Vorpsin. Detyrën e fillojnë anëtarët e betuar para Presidentit

Gjykata Kushtetuesja nuk e ka njohur Arta Vorpsin si anëtare të re të këtij institucioni. Në reagimin e shpërndarë pak minuta më parë vihet theksi te fillimi i detyrës për tri anëtarët e betuar para Presidentit të Republikës.

“Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, theksohet në deklaratë.

Ndonëse emrat e tri gjyqtarëve nuk përmenden në deklaratën e parë, ditën e djeshme ishin Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari që u betuan para Presidentit si anëtaret e reja të ‘Kushtetueses’. Sa i përket Arta Vorpsit, ajo nuk e bëri betimin para Presidentit, por tek një notere, veprim që shkaktoi shumë reagime.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka shuar çdo dyshim sa i përket mandatit midis Xhaferllarit dhe Vorpsit, me listën e publikuar në faqen zyrtare:

Lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në Ligj, për të qenë Anëtarë të Keshillit të Emërimeve në Drejtësi.

  1. Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
  2. Z. Besnik Muçi, gjyqtar;
  3. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;
  4. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
  5. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Reagimi i plotë

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: