Ekonomia

Sokol Nano i AIDA: Turizmi, më i preferuari i investitorëve, projektet që po zbatohen

Flet Sokol Nano, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)

Shtatë prej projekteve me status strategjik janë në proces realizimi. Në vitin 2020, pritet të fillojë realizimi i 5 projekteve të tjera (2 në turizëm, 2 në bujqësi dhe 1 në industrinë automotive), pasi të jenë pajisur me lejet/licencat e nevojshme për realizimin e projekteve

Turizmi, energjia, industria minerare e përpunuese, telekomunikacioni, ndërmjetësimi financiar, bujqësia dhe, së fundmi, industria automotive, janë disa nga sektorët ku ka më interes për të investuar në Shqipëri. Sokol Nano, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) pohon në një intervistë për “Monitor” se veçanërisht sektori i turizmit është bërë shumë i preferuar për investimet, por përtej lehtësive dhe masave mbështetëse, rol kyç në zhvillimin e sektorit ka pozita gjeografike, klima dhe resurset natyrore të vendit. Nga 25 aplikime në total për të marrë statusin e investitorit strategjik, mbi 60% e tyre janë për struktura akomoduese turistike.

Në cilët sektorë ka më shumë interes për të investuar, nga sipërmarrësit vendas dhe ata të huaj?

Prej kohësh, Shqipëria i ka si prioritete investimet dhe përmirësimin e klimës së biznesit për bizneset e reja, si dhe për shtrirjen dhe mbarëvajtjen e bizneseve, të cilat prej kohësh janë në vendin tonë. Më specifikisht ka disa sektorë ku potenciali i zhvillimit në vendin tonë është më i plotë. Këtu përmendim sektorin energjetik, i cili vazhdon të kryesojë vlerat e stokut të investimeve me 590 milionë euro gjatë gjithë vitit 2018, ndjekur nga industria minerare e përpunuese dhe telekomunikacioni. Edhe të dhënat mbi fluksin e investimit për 6-mujorin e parë të 2019, fokusohen në zgjerimin e kapitalit sërish në sektorin e energjisë dhe atë të ndërmjetësimit financiar.

Në terma të projekteve të aplikuara dhe vlerësuara pranë AIDA për statusin e investimit strategjik, janë gjithsej 25 aplikime për status, prej të cilave 14 projekte janë të miratuara. Rezulton se turizmi, struktura akomoduese turistike është sektori, i cili ka paraqitur më shumë interes me numrin më të madh të aplikimeve (16 aplikime në turizëm nga 25 aplikime në total), duke u ndjekur nga sektori i bujqësisë e peshkimit dhe energji e miniera. Ligji Nr. 93/2015 “Për turizmin” dhe masat mbështetëse që ofron ky ligj i shoh, si një nga arsyet pse pjesa më e madhe e këtyre projekteve është e lidhur me fushën e turizmit.

Rregullimi nga ky ligj dhe mbështetja që paketa ligjore në kombinim me paketën ligjore të investimeve strategjike përkatësisht në mundësinë e rolit të shtetit, si zhvillues i një projekti investimi; përfaqësimin e shtetit me aksione në sipërmarrje turistike; vënie në dispozicionin e pasurive të paluajtshme shtetërore, si dhe sigurimin e infrastrukturës mbështetëse. Po ashtu, edhe lehtësitë fiskale; Norma e TVSH prej 6% për strukturat akomoduese; Përjashtimi nga Tatimfitimi për një periudhë 10-vjeçare për strukturat akomoduese dhe tatimfitimi vetëm 5% për operatorët e agroturizmit etj., e kanë bërë sektorin e turizmit shumë të preferuar për investimet, por përtej lehtësive dhe masave mbështetëse, rol kyç në zhvillimin e sektorit ka pozita gjeografike, klima dhe resurset natyrore të vendit.

Mbarimi i projekteve të mëdha si TAP dhe Devoll shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë paralajmëruar një rënie të fluksit të investimeve të huaja në vend. Çfarë planesh ka për tërheqjen e investimeve të tjera të mëdha?

Aktualisht, mund të themi se vlerat e fluksit dhe stokut të investimeve për 6-mujorin e parë të 2019 paraqiten me trend rritës. Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte për 6-mujorin e parë të vitit 2019 është 536 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018 (fluksi shënonte 486 milionë euro), ky tregues është rritur me 10.2 %.

Stoku i Investimeve të Huaja Direkte për 6-mujorin e parë të vitit 2019 është 8,026 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018 (stoku shënonte 7,091 milionë euro), ky tregues është rritur me 13.1 %. Vërehet gjithashtu se numri i bizneseve të huaja të regjistruara në QKB është rritur me 36 %, në krahasim me vitin paraardhës. Kompanitë me kapital 100 % të huaj kishin qarkullim më të madh për 6-mujorin e vitit 2019.
Nga ana tjetër, janë përfunduar dhe miratuar thuajse të gjitha strategjitë dhe planet sektoriale për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, ashtu sikundër të gjitha këto plane janë rakorduar me planet kombëtare dhe lokale të zhvillimit të territorit.

Kjo do të thotë që është ngritur infrastruktura ligjore / procedurale dhe teknike e mirëpritjes së investimeve të reja në vend, në sektorë të ndryshëm. Ndërkohë, qeveria shqiptare është duke draftuar paketën e re ligjore mbi investimet, e cila në thelb është një përditësim i legjislacionit ekzistues të investimeve, me standardet më të mira ndërkombëtare, ashtu sikundër vendos një skemë të re ligjore të unifikuar dhe konkurruese për të tërhequr investimet e reja vendase dhe të huaja.

Përmirësimi i legjislacionit në fushën e investimeve sjell një klimë më të favorshme, si për investimet vendase dhe të huaja, duke dhënë një efekt pozitiv në ekonominë e vendit me përfitime konkrete si: rrjedhjen e kapitalit shtesë, krijimin e vendeve të reja të punës, duke përfshirë punë të lartë e të kualifikuar, transferimin teknik dhe menaxherial të dijeve, përmirësimin e aksesit në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare dhe rrjetet e shpërndarjes së ndërmarrjeve shumëkombëshe, etj.

Cili ka qenë roli i AIDA-s në nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja?

AIDA ka një rol proaktiv ndaj përqasjes së investitorëve të huaj të pranishëm në Shqipëri. Në kuadër të një Plani Veprimi të përpiluar për vitin 2018-2019, AIDA është përfshirë në krijimin e një rrjeti efektiv komunikimi e bashkëpunimi të ngushtë me aktorë të rëndësishëm në nivel lokal dhe qendror, në funksion të nxitjes së riinvestimeve në vend.

Në këtë kuadër, AIDA ka institucionalizuar bashkëpunimin me qeverisjen lokale, për të qenë në sinergji të përbashkët kundrejt përmirësimit të shërbimit të investitorëve të huaj të pranishëm dhe gjenerimin e investitorëve të rinj. Me asistencën e IFC/Banka Botërore, AIDA ka zhvilluar një mekanizëm mjaft efektiv në organizimin e vizitave pranë bizneseve, ashtu si dhe në zgjidhjen e çështjeve dhe problematikave të investitorëve në Shqipëri.

Ky rrjet është riaktivizuar për të dytin vit radhazi në bashkëpunim me 8 bashkitë kryesore të vendit: Shkodër, Vlorë, Tiranë, Durrës, Berat, Lezhë, Fier dhe Elbasan. Takimet kanë mundur të identifikojnë problematikat që hasin investitorët e huaj dhe vendas, duke siguruar zgjidhjen e tyre në një kohë sa më të shkurtër. Këto takime kanë konsoliduar raportin mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, duke pasur në vëmendje investitorët ekzistues dhe, sidomos, nxitjen e riinvestimeve.

Vetëm këtë 9-mujor janë zhvilluar 42 takime në kompani, nga ku na rezulton se: 9 kompani kërkojnë të bëjnë riinvestim në fabrika të reja 1,037,718.94 Euro; 8 kompani – zgjerim të linjës së prodhimit 1,047,604.34 euro dhe 6 kompani – të sjellin rritje të nr. të punëtorë (1800)
Më tej, duke folur për Investimet Strategjike në terma të projekteve të aplikuara dhe vlerësuara pranë AIDA për statusin e investitorit/investimit strategjik, që nga hyrja në fuqi e legjislacionit për investimet strategjike (janar 2016) e deri tani, kemi 25 aplikime, janë miratuar gjithsej 12 projekte të investimeve strategjike; 8 kanë përfituar statusin e investitorit strategjik / procedurë e asistuar dhe 4 statusin e investitorit strategjik / procedurë e veçantë. Vlera për projektet e miratuara arrin në 343 milionë euro, përkatësisht për sektorët; 7 projekte janë në sektorin e turizmit (Hamallaj/Durrës; Palasë/Himarë; Dhërmi/Himarë; Jal/Himarë; Himarë; Ksamil/Sarandë; 4 në sektorin e bujqësisë (Remas/Lushnjë, Lushnjë, Divjakë) dhe 1 në sektorin e zonave me përparësi zhvillimi – industri automotive (Fier).

Mund të na thoni disa raste konkrete, cilat janë investimet më të mëdha të pritshme nga sipërmarrësit vendas dhe ata të huaj dhe në çfarë faze janë konkretisht ato?

Duke ju referuar pyetjes së mëparshme, mund të themi se 7 prej projekteve me status strategjik janë në proces realizimi. Pritet që në vitin 2020 të fillojë realizimi i 5 projekteve të tjera (2 në turizëm, 2 në bujqësi dhe 1 në industrinë automotive), pasi të jenë pajisur me lejet/licencat e nevojshme për realizimin e projekteve.

Së fundmi ka pasur një interes të lartë për të investuar në fshatra turistikë. Sa vlerë të shtuar kanë për ekonominë këto investime dhe pse nuk u jepet më shumë prioritet resorteve turistike?

Legjislacioni i Investimeve strategjike ofron asistencë dhe masa mbështetëse vetëm për investime në sektorin e turizmit, ku përfshihet edhe nënsektori strukturë akomoduese turistike, kjo u shpjegua edhe në pyetjet pararendëse.
Njëkohësisht, kombinimi i dispozitave të legjislacionit të investimeve strategjike dhe atij të turizmit synon pikërisht prioritizimin dhe mbështetjen e investimeve në formën e resorteve turistike, si një prej modeleve drejt të cilave ky sektor duhet të orientohet. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit aktualisht ka shpallur zonat me prioritet zhvillimin e turizmit, në të cilat synohen të realizohen struktura turistike të standardizuara dhe brand name.

Sa konkurruese është Shqipëria në rajon, duke pasur parasysh se vendi ynë ka një nivel më të lartë taksash (të krahasueshëm me Serbinë, por më të lartë sesa Maqedonia dhe Mali i Zi) dhe nuk ka shumë stimuj fiskalë, ndryshe nga Serbia dhe Maqedonia?

Nëse vërejmë incentivat fiskale që ofron sot Shqipëria, konstatohet se vendi ynë është konkurrues në krahasim me rajonin. Rajoni, aktualisht, po ngre normat e tatimit në burim, Maqedonia e ka ngritur në 15%, vërejmë po ashtu se është rritur tatimi mbi të ardhurat personale në Maqedoni dhe Kosovë, dhe është rritur TVSH në Malin e Zi.

Shqipëria renditet ndër të fundit në indekset e teknologjisë dhe inovacionit. Çfarë po bën AIDA për të nxitur kërkim-zhvillimin dhe inovacionin te sipërmarrjet shqiptare?

Inovacioni është një sferë shumë e gjerë dhe ndërmarrjet shqiptare kanë shumë për të bërë për t’u bërë konkurruese në tregun e madh të inovacionit. Në drejtim të sipërmarrjes vendase, misioni i AIDA-s fokusohet edhe nëpërmjet mbështetjes që ofrohet nga menaxhimi i fondeve, skemave grant dedikuar biznesit për të ndihmuar drejt: rritjes së performancës me dinamikat e orientuara nga tregu; rritjes së kapaciteteve eksportuese për ndërmarrjet; dhe promovimi dhe forcimi i kapaciteteve të inovacionit; Për këtë 9-mujor të vitit 2019 nga AIDA janë menaxhuar 4 skemat grant: Fondi i Konkurrueshmërisë; Fondi i Ekonomisë Kreative; Fondi Start-up dhe Fondi i Inovacionit. Vlera totale e disbursuar është 14,503,500 ALL në 80 kompani. Ndërkohë, vlera prej 4,942,000 ALL i është dedikuar vetëm përmirësimit të teknologjisë dhe inovacionit. Numri i kompanive përfituese nga ky fond është 26.

Raporti i Doing Business 2019 e rendit Shqipërinë të fundit në Europë, ku mbrojtja investimeve është përkeqësuar. Si e lexoni këtë raport dhe çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar klimën?

Ashtu si përmendet edhe më lart, qeveria shqiptare po ndërmerr një sërë nismash për të krijuar një klimë të favorshme për investitorin vendas, të huaj dhe investitorin e diasporës, koncept i ri ky në projektligjin e investimeve. Drafti i ligjit të unifikuar të investimeve, i cili pritet të miratohet së shpejti, nuk ka asnjë element në përmbajtjen e tij që të mos jetë në përputhje me parimet e cituara të BE-së dhe me të drejtën e saj. Ky qëndrim është i mbështetur edhe në ligjet e investimeve të shteteve anëtare të BE-së.

Për më tepër, projektligji i investimeve i dedikon një kapitull mbrojtjes së investitorit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në këtë kapitull jepet e detajuar procedura që mund të ndjekë një investitor në rast mosmarrëveshje me një institucion shtetëror gjatë apo pas kryerjes së investimit. Ndjekja e kësaj procedure sigurisht që nuk pezullon, as i heq të drejtën investitorit që ta dërgojë çështjen në gjykatë apo arbitrazh. Qëllimi i kësaj procedure është sesi mosmarrëveshja të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë miqësore nga palët, duke shmangur rrugët e tjera.

Rajoni është në garë për tërheqjen e industrisë automotive. Si pozicionohet Shqipëria në këtë garë dhe si e shpjegoni që po tërheqim vetëm kompani me vlerë të shtuar të ulët. Përveç operatorëve ekzistues, a ka kërkesa të reja nga kompani të tjera?

Nxitja e harmonizimit të politikave të investimeve rajonale me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare është rruga për integrimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve më cilësore në Ballkanin Perëndimor. Për të lidhur këtë, sjellim në vëmendje Projektin Rajonal të Ballkanit Perëndimor për Politikat e Investimit dhe Promovimit 2018-2020. Ky projekt përqendrohet në ndërmarrjen e reformave të synuara në klimën e investimeve për të krijuar një treg të ri rajonal për investime në 6 ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, W6, ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Nisma mbështetet në zbatimin e Strategjisë së Europës Juglindore 2020 dhe Planit të Veprimit Shumëvjeçar (PVSh) për të krijuar një Zonë Ekonomike Rajonale (ZER), nëpërmjet zhbllokimit të investimeve të huaja dhe ndër-rajonale të drejtpërdrejta, si dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe promovimit të krijimit të vendeve të punës. Sektori automotiv është një sektor në rritje në Shqipëri. Për shkak të pozitës gjeografike, të cilat na mundësojnë një akses të menjëhershëm në tregun europian dhe për shkak të konkurrueshmërisë së lartë në raport me vendet e tjera te rajonit, Shqipëria ofron mundësi të shumta për kompanitë e huaja që vendosin të investojnë në këtë sektor.

Nuk duhet harruar se Shqipëria ka ndër kostot më konkurruese në rajon në raport me pagat e punëtorëve dhe mosha e re e popullsisë, të cilët arrijnë të integrohen shumë shpejt në procesin e prodhimit. Ky është një fakt i prekshëm që e vërejmë nga kontakti ynë i vazhdueshëm në terren me kompanitë që kanë investuar në këtë sektor dhe kërkesat e reja që kemi. Shumë prej tyre kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri në një afat të shkurtër. Gjithashtu, në kuadër të kësaj, qeveria ka ndërmarrë nismën për uljen e tatimit mbi fitimin në Paketën e re Fiskale të vitit 2020, për sektorin automotiv është bërë 5 % nga 15% që ka qenë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button