Kosova

Zyrtari amerikan: Marrëveshja Kosovë-Serbi ekziston, por vështirësia është te zbatimi i saj

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe analisti James Hooper, deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës se një marrëveshje Kosovë-Serbi ekziston, por vështirësia është te zbatimi i saj. Hooper, i cili ka përvojë në negociatat diplomatike dhe në çështjet e Ballkanit, u shpreh se nuk mund të arrihet një marrëveshje gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë pa shkëmbime territoriale.
“Duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë dhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Serbi, unë mendoj se me të vërtetë ka shumë gjasa që ata të arrijnë një marrëveshje. Madje besoj se praktikisht ata tashmë e kanë një marrëveshje”- tha Hooper.
Por gazetari i VOA-s shprehet se nuk dihet asnjë detaj prej një pakti të tillë. Hooper thotë se nuk është tamam ashtu.
“Unë në fakt mendoj se shumë nga detajet dolën, disa prej tyre edhe të pasakta. Dhe kosovarët kurrë nuk patën shansin të votojnë për këtë marrëveshje, të vendosnin për këtë marrëveshje. Nuk ka pse të përsërisim gjithë historinë e asaj që ndodhi. Por unë mendoj se presidenti Thaçi kishte rënë dakord që dialogu të rifillonte pa kushte.
Dhe unë mendoj se ishte një veprim shumë i arsyeshëm për të ecur përpara, që të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse nëse nuk lëvizin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ekziston rreziku që dritarja e mundësisë të mbyllet dhe, nëse kjo ndodh, nuk do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për një kohë të pacaktuar”- u shpreh zyrtari amerikan.
Hooper shtoi më tej se vështirësia më e madhe do të jetë për Albin Kurtin, i cili shihet si dikush që ka marrë një pozicion të linjës së ashpër. Ai do të zbulojë se në fakt ka tashmë një marrëveshje dhe se nuk do të jetë në gjendje t’i ndryshojë këto kushte. Nuk bëhet fjalë thjesht të kërkohet që Serbia të japë më shumë. Kjo do të ishte më e thjeshta. Në fakt serbët mund të thonë që kosovarët duhet të japin më shumë. Kjo ndodh gjithmonë në negociata, është shprehur Hooper.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button