Home / Ekonomia / Projektbuxheti 2020, Denaj: Investimet vetëm për projektet e nisura, ska projekte të reja

Projektbuxheti 2020, Denaj: Investimet vetëm për projektet e nisura, ska projekte të reja

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave shpenzimet e p/buxhetit 2020, të cilat do të jenë rreth 532 miliardë lekë ose 29.7 % e Produktit të Brendshëm bruto, me një rritje prej 5.1% krahasuar më të pritshmin e vitit 2019.

Vetëm shpenzimet e personelit janë të programuar në masën 83.5 miliardë lekë për vitin e ardhshëm. Ministrja Denaj sqaroi se vendin kryesor e zënë efektet shtesë në zërin “Shpenzime personeli” që i atribuohen Reformës në Drejtësi, që kapin vlerën e 3.5 miliardë lekë.

Sa i përket investimeve publike për vitin 2020, ministrja bëri me dije se ato janë planifikuar në nivelin e 4.7% të PBB ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.

Ministrja nënvizoi faktin se në vitin 2020 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit 2021.

Sipas saj, në sektorin e arsimit synohet dyfishimi i investimeve për arsimin e lartë nga 340.5 milionë në vitin 2019 me mesatarisht 750 milionë lekë në vit, përgjatë 2020 – 2022, e cila do të fokusohet në zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese mësimdhënëse dhe akomoduese të universiteteve publike.

Për shëndetësinë, Denaj tha se “synohet rikonstruksioni i 120 qendrave shëndetësore për vitin 2020, me një vlerë prej 350 milionë lekë. Këto qendra do të mobilohen dhe pajisen me pajisje mjekësore me një vlerë prej 64 milionë lekë për vitin 2020 dhe 30 milionë lekë për vitin 2021.

Më tej, ajo theksoi se projektet infrastrukturore rajonale do të vijojnë.

“Për infrastrukturën rajonale dhe vendore synohet përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për zonat me potencial të madh turizmi, avancimi i projekteve në kuadër të Projektit “100 Fshatrat”, ndërtimi dhe rehabilitimi i segmenteve rrugore që lidhin dhe afrojnë rajonet dhe fshatrat me akset nacionale etj”.

Në sektorin e mbrojtjes synohet përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës mbrojtëse të vendit në përputhje me standardet e NATO-s.

Në p/buxhetin e vitit 2020 është programuar rritje për buxhetin vendor. Për vitin e ardhshëm, buxheti i pushtetit vendor do të jetë rreth 57 miliard lekë, rreth 11.2 përqind më i lartë se ai i 2019-ës.Ministrja theksoi se rritja e burimeve të buxhetit vendor në vitin 2020 krijon më shumë hapësira për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe njëkohësisht për uljen e stokut të detyrimeve të prapambetura të trashëguara nga ndarja e vjetër administrativo territoriale.

“Fokusi kryesor në buxhetin vendor të vitit 2020, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, do të jetë konsolidimi i procesit të menaxhimit financiar në nivel vendor në funksion të vazhdimit të zbatimit të reformës administrativo territoriale dhe decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore”,-u shpreh  Denaj.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: