Kryeartikull

Si u kthye Ilir Meta nga “Don” në “Don Kishot”

Ermal Mulosmani

20 Nentor 2019

Presidenti i Shqipërisë është kryefjala politiko-mediatike e këtyre kohëve.  Me një protagonizëm absolut dhe një brengë të pafshehur as në portret e as në diskurs, të kujton Ilir Metën e Prillit 2008 kur sulmoi Kryetaren e Parlamentit duke tentuar të  kapërcejë mbi trupat e ministrave të PD-së të rreshtuar si bodiguardë.

Diçka e ka shqetësuar Presidentin, diku është kaluar masa si atëherë kur Rama dhe Berisha deshën ta nxjerrin nga politika…

Një vëzhgues sadopak i vëmendshëm i ngjarjeve politike e di shumë mirë që Ilir Meta sot, ashtu si edhe në 2008-ën, ka të drejtë. Kushtetuta e Shqipërisë është me të. Por tjetër gjë dua të trajtoj në këtë shkrim…

Jo shumë kohë më parë, në mandatin e parë të Ramës (2013-2017), të gjithë mbajmë mend udhëtimet në këmbë të Kryeministrit nga zyra e tij për te zyra e Ilir Metës, atë kohë bashkë-timonier i mazhorancës. Për çdo të mërkurë, Kryeministri merrte rrugën me duar në xhepa e kameramanë nga pas për ritualin e vizitave. Një përpjekje për t’i thënë popullit që qeveria e tij ishte e marrë peng nga orekset dhe teprimet e “Don” Ilir Metës.

Atë kohë u përdor çdo skenar për të krijuar idenë që Ilir Meta është “kapo” i një Perandorie mafioze, një Don ku faleshin që nga hajdutët e zakonshëm shtetërorë deri edhe vrasësit e Fushë Krujës apo “Eskobarët e Ballkanit”. Për rrjedhojë edhe armiku kryesor i Reformës në Drejtësi. U përdor çdo lloj mjeti e marifeti për të krijuar këtë imazh  publik, lehtësisht të besueshëm në popull edhe nga historia e mëparshme e videos Meta-Prifti.

Në përfundim të kësaj demagogjie efikase, Edi Rama mori vendimin më kontradiktor të mundshëm. Këtë “Don”, të reklamuar për 4 vjet si të tillë, e propozon dhe e voton për President të Republikës! Ndërkohë që (këtu është paradoksi) distancohet nga Perandoria e tij (LSI) duke e konsideruar si kanceri i korrupsionit dhe pemngmarrësja në rrugën e tij drejt progresit.

Kjo ndarje e Ilir Metës nga LSI ishte një strategji fantastike që i funksionoi për mrekulli.

“Don-i”, i reklamuar me metoda dinake si i tillë, u emërua President. Për më tepër, Edi Rama, deklaroi edhe në Prillin e 2018-ës: “Njëqint herë po të kthehesha mbrapsht në kohë, njëqint herë do të zgjidhja Ilir Metën President”. Një deklaratë e tillë ka vetëm një shpjegim. Zgjedhja e Presidentit është strategjike dhe ka si qëllim mbylljen e bishës në kafaz dhe kthimin e tij nga “Don” në “Don Kishot”.

Me mbylljen e Ilir Metës në periferinë më të largët të pushtetit, Edi Rama kishte paralizuar krahun e fortë të opozitës së ardhshme. Kompetencat honorifike të miratuara në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, e kishin kthyer Presidentin në një noter që çertifikon vendimet e mazhorancës dhe bën qoka të parëndësishme. Ishte sikur një futbollist që ka luajtur në finalet e Championsit ta degdisësh në fusha me porta të vogla. Jam i sigurtë që, ditën e betimit të Ilir Metës si President më i lumtur ka qenë Edi Rama sesa Ilir Meta.

Zhvillimet e mëvonshme do t’i jepnin katërcipërisht të drejtë vendimit të Ramës.

Me daljen nga Parlamenti të gjithë opozitës, Edi Rama u kujdes me një zell të skjashëm për të mbushur boshllëkun me figura qesharake të ardhura nga lista e Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Këta njerëz të përzgjedhur nga vendet e fundit të renditjes, me probabilitet zero për të hyrë ndonjëherë në Parlament, u bënë gazi i botës dhe tmerri i Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Dukej qartë që Edi Rama i ktheu ata në qesharakë. Estrada me deputetë amplifikohet edhe në studio televizive dhe jep efektin e pritur. Përveç të tjerave, deputetët e mbetur janë lehtësisht të manipulueshëm nga Zeusi. Mundet edhe Kushtetutën ta ndryshojë me ta…

Lulzim Basha ishte i hutuar. Në fund të Majit të sivjetshëm, Edi Rama i shkruante letra përdëllyese ku e ftonte të merrte pjesë në zgjedhjet lokale të vendit. Rama ishte i bindur se Lulzim Basha nuk kishte sesi të merrte pjesë në zgjedhjet lokale kur sapo kishte braktisur vendet legjitime në Parlament. Por qëllimi ishte edhe të tallej me gjendjen e Opozitës…Ishim në një situatë absurde, zgjedhjet lokale po bëheshin me një kandidat si në kohën e Partisë shtet.

Si mundet të lihej një njeri i vetëm të merrte në kontroll absolut gjithçka, që nga Parlamenti, Qeveria, Kontrolli i Shtetit, Prokuroria, Gjykatat, Media e tani, pa rezistencë, çdo kështjellë lokale, mjafton të mos kandidonte aty ndonjë kriminel që i vërtetohej akuza me dokumente? A është kjo vdekja reale e pluralizmit politik?

Ky ishte momenti kur Ilir Meta e humbi toruan duke u kthyer në Don Kishot. I motivuar edhe nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese merr një vendim të paprecedentë: anullon me dekret zgjedhjet shpallura po prej tij me 30 Qershor! Karrigia po i rrinte e vogël dhe Rama dukej se e dinte që një gjë e tillëdo të ndodhte herët apo vonë.  Dekreti i tij nuk merret fare në konsideratë dhe zgjedhjet bëhen me fitues të vetëm Edi Ramën! Helika e mullirit me të cilin po luftonte e rrëzoi përdhe. Dhe jo vetëm kaq, Rama nxit krijimin e një Komisioni Parlamentar për shkarkimin e Presidentit!

Praktikisht ky ishte fundi i Ilir Metës. Përqeshja e dekretit anullues duhej të ishte momenti i dorëheqjes dinjitoze. Për të ruajtur atë imazhin e Metës së fortë e vendimmarrës që kemi njohur prej vitesh. Por, për çudi, Presidenti e kapërdiu mospërfilljen e dekretit me indiferencë dhe me një tur malor nëpër bjeshkë ku kërkonte protagonizëm me zor duke thirrur pas vetes figura të njohura të shoëbiz-it.  Ky ishte momenti i trishtë ku “Don”-i u kthye në Don Kishot.

Për ta bërë edhe më qesharak, Rama, e detyroi të shkonte në Komisionin e Ulsiut dhe atë të Venecias. Pra, nuk mjaftoi poshtërimi i mospërfilljes së Dekretit, as ngritja e Komisionit për Shkarkim por duhet edhe ta thërrasin nëpër Komisione sikur të ishte Drejtor Dikasteri…

Një President që shkon dhe jep shpjegime para një Komisioni që do ta shkarkojë. Me dosje ndër sqetull… Batutat pakripë, nervoziteti i tepruar dhe protagonizmi i pavend e kanë shndërruar në një kukull që po argëton udhëheqësin e madh. “Don-i” i plotfuqishëm është kthyer në Don Kishot qesharak.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button