Bota

Angela Merkel dhe AKK – ngjashmëritë dhe dallimet

Annegret Kramp-Karrenbauer ka probleme shumë serioze me mbështetjen në sondazhet e fundit. Por as Angela Merkel nuk e ka pasur të lehtë në fillim, pas ardhjes në krye të CDU.

Në fund ajo megjithatë ia doli: 18 vjet ishte kancelarja Merkel në krye të partisë CDU (2000 – 2018) ndërsa kancelare është zgjedhur në vitin 2005. Por vitet e para të Angela Merkelit në krye të partisë CDU nuk ishin aspak të lehta. Një grua me origjinë nga Gjermania lindore, pa fëmijë dhe protestante. Merkel ishte në kundërshtim me përfytyrimet në perëndim për partinë CDU, e cila dominohej nga feja katolike dhe burrat. Edhe stili i saj, mënyra e të folurit dhe veshjes ishin në fillim një shënjestër të kritikave.

Kundërshtari i saj më i madh ishte i ashtuquajturi “pakti Anden”, një lloj grupi i burrave konservatorë nga CDU dhe CSU. Ajo është vetëm një dukuri kalimtare, ishin komentet më të shpeshta për Merkelin. Ndër ta ishte edhe Friedrich Merz – asokohe në fillim të karrierës.

Fillimi i vështirë

Merkel pretendonte të bëhej kancelare që në vitin 2002. Por ajo i dha përparësi kandidatit të CSU Edmund Stoiber nga Bavaria. Pakti Anden arriti asokohe të pengojë kandidaturën e Merkelit. CDU/CSU humbi zgjedhjet, por jo edhe Merkeli. Përkundrazi ajo forcoi pushtetin. Të njëjtin vit ajo u zgjodh  edhe kryetare e grupit parlamentar në Bundestag. Kryetari i Grupit Friedrich Merz u detyrua t’ia lëshojë vendin. Ai më pas u tërhoq nga politika. Por Merz-i nuk ishte i vetmi nga “Pakti Anden i burrave”, të cilët pranuan humbjen para Merkelit.

Sondazhet e asaj kohe tregojnë se ndaj Merkelit ka pasur shumë skeptikë edhe jashtë partisë CDU. Në sondazhe shumica kishte mendim mesatar ndaj Angela Merkelit.

Në tetor të vitit 2005, pra pak para fillimit të karrierës së saj si kancelare, Merkel ishte në vendin e katërt për nga simpatitë ndaj politikanëve në Gjermani – dy vende pas Friedrich Merzit. Mendimi ndryshonte ngadalë. Gjatë mandatit të parë si kancelare, popullariteti i saj lëvizte poshtë e lartë. Në veçanti në vitin e parë të mandatit të parë kishte rënë shumë popullariteti i saj.

Por më pas kancelarja Merkel arriti t’i përmirësojë vlerat dhe ta forcojë pushtetin. Ajo ishte autentike, e natyrshme, vlerësonte në radhë të parë bashkëpuntorët dhe simpatizantët e rinj. Me këtë imazh ajo fitoi ngadalë edhe besimin. “Ju më njihni mua!”, ishte motoja e saj në fushatën për zgjedhjet e vitit 2013. Më shumë Merkel nuk kishte nevojë të thoshte. Dhe kjo mjaftonte për zgjedhjen e saj për herë të tretë si kancelare.

“Lloji i Merkelit”

Tani ka filluar kalimi nga Merkeli tek Annegret Kramp-Karrenbauer, të quajtur AKK për shkak të gjatësisë së mbiemrit të saj. Prej zgjedhjes në krye të partisë CDU, në dhjetor 2018, AKK është në qendër të vëmendjes. Merkeli nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021. Normalisht vlen parimi: kryetari/kryetarja e partisë dhe posti i kancelarit/kancelares shkojnë së bashku. Kjo do të thotë se AKK do të duhej të jetë kandidate për kancelare.

Kramp-Karrenbauer është në disa çështje shumë e ngjashme me Merkelin. Kur futet në një vend, ajo e bën këtë në mënyrë të qetë. Ajo nuk të bie në sy për nga veshja ekstravagande, apo me gjeste të zëshme. Ky është “lloji i Merkelit”. AKK duket po ashtu e thjeshtë dhe e qetë. Të ngjashme janë edhe disa kritika ndaj saj, si edhe ndaj Merkelit. Asaj i mungon aureola, karizma, të cilat disa i presin nga personalitetet udhëheqëse. Disa në CDU e quajnë atë “këshilltarja komunale nga Saarland-i”. Dikur Merkeli kritikohej për prejardhjen e saj nga lindja. Por karriera e saj dëshmon se kritikët kanë gabuar.

Viti 2019 nuk ka kaluar deri tani aspak mirë për 57-vjeçaren Kramp-Karrenbauer. Vlerat e saj në sondazhe kanë rënë nga 46% në 18 %. Në renditjen e politikanëve në sondazhe ajo ka rënë në vendin e parafundit. Imazhi i saj në media është i keq. Ajo flet tepër ose pak, nuk tregon aftësi drejtuese dhe nuk tregon gjallëri, thonë kritikët.

Kthimi i një viktime të Merkelit

Ndërkohë AKK ka konkurrencë serioze – nga katër burra. Ata tani nuk janë si në kohën e Merkelit në një pakt të përbashkët. Por edhe tani janë mbledhur bashkë. Konkurrenti i saj më i madh është ish-kundërshtari i Merkelit, Friedrich Merz. Pas viteve të suksesshme në sektorin privat në ekonomi, ai shpreson një kthim politik.

Por Merzi e ka humbur raundin e parë në duelin me AKK, në konkurrencën për kreun e partisë CDU në dhjetor të vitit 2018. Ai në votim humbi nga AKK, por me një dallim të vogël në vota. Tani një vit më pas Merz-i figuron si një kandidat “më i mirë” për kancelar. Qeverisjen e tanishme e quan “tepër të keqe”, siç tha së fundi. Ai ka paralajmëruar një fjalim të rëndësishëm programor për kongresin e ardhshëm të CDU. Merz është në sondazhe aktualisht shumë para AKK.

Të besosh se zgjedhësit do të kenë durim të madh me AKK, si dikur me Angela Merkelin, do të ishte një gabim fatal. Kohërat kanë ndryshuar. Edhe Gjermania është përfshirë nga një valë populiste, neo-autoritare. Klima politike ka ndryshuar, që dëshmon edhe kthimi i Merzit në skenë. Duket se tani sërish kërkohen figura të fuqishme politike, të cilat shquhen për fjalime, retorikë dhe paraqitje. A do të thotë kjo se lloji i Merkelit nuk është më në modë?

Një përgjigje të saktë për këtë pyetje aktualisht nuk ka. Por përkundër debateve të shumta vetë Merkeli në sondazhe ende është e paprekshme në vendin e parë të politikanëve në Gjermani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button