Politika

Bregu: Rajoni ka shpresa të mëdha tek Presidenca kroate e Këshillit të BE-së në 2020-n

“Një nga përparësitë e Presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Europian (BE), e cila fillon në janar të vitit 2020 për një periudhë gjashtë mujore, thekson përdorimin e potencialit të plotë të infrastrukturës dhe të burimeve njerëzore, konjektivitetit dhe rrjetëzimit të ekonomive, duke përkuar kështu shumë mirë me objektivin e bashkëpunimit rajonal të shprehur qartë në Planin e Veprimit të Zonës Rajonale Ekonomike (MAP REA). Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të larta nga Presidenca kroate, ndaj ne e falënderojmë Kroacinë si mbështetëse të fortë të integrimit europian të të gjithë rajonit,” tha të martën zonja Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjatë takimit në Zagreb me Kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

“Deri më tash, zbatimi i Planit të Veprimit MAP REA ka sjellë disa rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç dëshmohet, për shembull, nga marrëveshja rajonale për roaming pa tarifa shtesë, e cila u arrit në prill të këtij viti dhe po zbatohet, duke sjellë ulje të ndjeshme çmimesh, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën që rajoni të ecë në këtë drejtim. Dhe në këtë kontekts, Samiti i BE-së në Zagreb në maj të vitit që vjen, mund të jetë momenti ideal për të lançuar së bashku Udhërrëfyesin për marrëveshjen pa tarifa roaming ndërmjet BE-së dhe rajonit”, shtoi zonja Bregu duke e veçuar këtë iniciativë, si një prej nismave që mund të ndërmerren në mënyrë të përbashkë gjatë Presidencës kroate. Nisma të tjera janë ato që kanë të bëjnë me promovimin e fuqizimit të grave dhe të vajzave, lançimin e një projekti për të rinjtë , etj.
Kryeministri Plenkoviç shprehu mbështetjen e tij të plotë për bashkëpunimin rajonal dhe për përpjekjet që po bën RCC-ja në këtë drejtim, duke theksuar se organizata ka ndihmuar tashmë rajonin dhe mund ta ndihmojë atë më tej në rrugëtimin drejt BE-së. Ai shtoi se nuk ka asnjë magnet tjetër, përveç BE-së, që mund ta orientojë rajonin në rrugën e duhur.
Takimi është pjesë e konsultimeve të rregullta që kryen Sekretarja e Përgjithshme Bregu me udhëheqësit e BE-së dhe të rajonit. Ky takim u mbajt në prag të Kongresit Vjetor të EPP-së, e cila fillon sot punimet në Zagreb. Sekretarja Bregu është ftuar të mbajë një fjalë në panelin e nivelit të lartë, ku do të diskutohen sfidat dhe përgjegjësitë e përbashkëta që ndajnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button