Kryeartikull

Kurajo

Rexhep Qosja

1.

Jemi të tronditur.

Të gjithë.

Jemi të tronditur, me shpirt e me mendje.

Të gjithë.

Të tronditur në këto ditë para e gjatë Ditës së madhe në historinë tonë- Ditës së Flamurit kombëtar e shpalljes së Shqipërisë shtet.

Të gjithë.

Të tronditur për shkak të gjithë atyre viktimave, të gjithë atyre të plagosurve, të gjithë atyre traumave që nuk kalojnë lehtë e shpejtë, për shkak të gjithë atyre dëmeve të mëdha lëndore, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Jemi të tronditur për shkak të tragjedive që pësuan nënat, fëmijët, vajzat e reja e djemtë e rinj, në lule të rinisë.

Tronditja e shkaktuar kësaj here prej tërmetit të 26 nëntorit është tronditje që zgjat shumë. Dhe, zgjat shumë për shkak se pushton ndjenjat, pushton shpirtin, pushton ndërgjegjen e gjithë atyre që mendojnë përgjegjshëm.

Kjo është tronditje në të cilën përmblidhen ndjenja e mendime për historinë, për bashkëkohësinë dhe për ardhmërinë tonë, por edhe për historinë, bashkëkohësinë, ardhmërinë në përgjithësi. Kjo tronditje na nxit të vetëpyetemi:

A kemi mësuar krejt çka duhej prej historisë?

A e kemi vështruar dhe kuptuar sa e si duhet bashkëkohësinë?

A kemi menduar largpashëm për ardhmërinë?

2.

Në këtë gjendje tronditjesh mund të jesh i pushtuar edhe prej mendimesh kundër natyrës dhe me mendime të tilla t’i drejtohesh asaj:

Natyrë! Natyrë! Natyrë e mrekullueshme në këtë planet që i thonë Tokë, Tokë me bukuri të jashtëzakonshme që nuk mund të merren me mend në asnjë planet a trup tjetër qiellor. Na e ke bërë të mundshme jetën në hapësirat tua tokësore, ujore e ajrore.

Pse kohë pas kohe po na e helmon jetën edhe me tragjedi, me tronditje, me pikëllime.

Përpos prej njerëzve, popujve, shteteve, fatkeqësitë, tronditjet po na vijnë edhe prej teje, Natyrë?!

Dhe po na vijnë me padrejtësi.

Hajde e mos e shpreh këtë mendim që nuk mund të mos thuhet këto ditë zie, kur i sheh arkivolet e tragjedisë dhe të pamëshirës natyrore!

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet dhe i dëgjon fjalët e medieve për tragjeditë që u mbyllën në ato arkivole:

Për tragjeditë e familjes Lala, të cilën e përbënte edhe Nëna me katër fëmijët, mes të cilëve binjakët dyvjeçarë, ndoshta ende duke u mëkuar nga qumështi i nënës.

Asnjë fjalë, asnjë figurë, asnjë mendim, asnjë pamje nuk është e mjaftueshme për të përshkruar, për të paraqitur gjithë tronditjen që na shkaktoi pamëshira tragjike me të cilën natyra e dënoi këtë nënë me katër fëmijët e saj, me binjakët e saj! Dhe të tjerët bashkëviktima me ta.

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet në të cilat u mbyllën tragjeditë e anëtarëve të familjeve Cara, Ndreu, Gregu, Vata, Reçi, Meçja. E të tjera, tragjeditë e të cilave na e copëtojnë zemrën.

Hajde mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet e dy vëllezërve kosovarë, Abazi, të valltares, të piktores, të studentes që donte të studionte arkitekturën e bëhej mjeke, të të rinjve të tjerë e të rejave të tjera që nuk pritën të provojnë të mirat e gëzimet që sjell pjekuria!

Por, hajde e mos e thuaj edhe një mendim tjetër që kë krejt nuk do e ngre kundër shqiptuesit të këtij mendimi: tronditjes që na ka pushtuar i kanë kontribuar disa njerëz, disa nga ata njerëz të zgjedhur gjatë 30 vjetëve tona për të krijuar institucionet e për të ngritur ekspertët që do të merreshin me të priturat e me të papriturat që mund të na sillte kur natyra e pamëshirshme e kur njëmendësia e keqkuptuar.

Dhe, këta njerëz i quajmë politikanë e shtetarë!

3.

Në këto ditë tronditjesh unë nuk mund të mos mendoj edhe për ato që kam parë e kam dëgjuar qe tridhjetë vjet në jetën partiake, politike, shtetërore shqiptare. E ato që dëgjoja dhe ato që shihja gjatë njëzet e katër orëve të ditës e të natës ishin e janë mosmarrëveshjet, zënkat, konfliktet, mosdurimet, urrejtjet e ndërsjella të forcave politike, në radhë të parë të prijësve politikë dhe të argatëve të tyre.

Deri në ditën e tërmetit tragjik nuk gjendej arsye, nuk gjendej mjet, nuk gjendej qëllim kombëtar, shoqëror, shtetëror a moral, më në fund njerëzor, që prijësit partiakë e shtetërorë të këtyre tridhjetë vjetëve do t’i  bënte e do t’i detyronte , më në fund, të merreshin vesh. Jo.

E mosmarrëveshjet e tyre, mosdurimet e tyre, zënkat e tyre, konfliktet e tyre, privilegjet e tyre dhe lukset e tyre janë ndër arsyet e degdisjes së gati dy milionë shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova në Botë gjatë10-15 vjetëve të fundit!

Tani, përnjëherë, pas tërmetit, pas fatkeqësisë natyrore, u pajtuan: gjetën atë që as këta e as ata paraardhësit e tyre nuk e gjenin kurrsesi më parë: u pajtuan!

Dhe, ai, kryetari partiak që qe sa vjet në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, në Evropë e në SHBA flet vetëm për më të këqijat, më të ulëtat, më të poshtrat, më të zezat, më të krimshmet e Shqipërisë në politikën e atyre ndaj të cilëve është në opozitë, përnjëherë tha: me gjithë ndasitë që kemi, në nevojë jemi një komb! Por, Por!

Mendja e tij na mësoi se vetëm në nevojë, e jo edhe në tragjedi, vetëm në nevojë e jo edhe në gëzime, në nevojë e jo edhe në varfëri, jemi komb, jemi një komb!

Dhe kjo fjali megjithatë shumë shpejt u botua në rrjetet sociale të kundërshtarit politik – të të sulmuarit pa pushim shumëvjeçar!

Dhe, kështu u pajtuan! I pajtoi tragjedia e të varfërve! I pajtoi tragjedia e të shpërfillurve. I pajtoi tragjedia e të konsideruarve të tepërt! Por u pajtuan rrejshëm.

Mund të them siç po them se pikërisht tani kur këta rreshta po i qes në shkrimin tim po dëgjoj sulmet e dy Sulmuesve të pandalshëm ndaj të Sulmuarit të gjithnjëshëm – kryeministrit Edi Rama! Dhe, po i shoh Sulmuesit duke u sjellë ndaj pasojave tragjike të tërmetit si qeveri e dytë e Shqipërisë, që e shpërfill, s’e pranon Qeverinë që zgjodhi populli! Dhe, Shqipëria e Abdyl Frashërit, Vaso Pashës e Ismail Qemalit na bëhet Shqipëri me dy qeveri të papajtueshmë në ditët paskajshëm pikëlluese, tronditëse në historinë e saj.

4.

Dua të shpresoj, dua të besoj se pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 populli shqiptar do të jetë forcë politike me sy, me të cilët do të shohë më qartë se deri tash, forcë politike që e sheh qartë, që e kupton qartë gjendjen e vet, që e mendon qartë ardhmërinë e pasardhësve të vet, që mendon jo vetëm për premtimet e të priturat, si deri tani, por edhe për të papriturat natyrore, politike, shtetërore.

Njëmendësia aq e pritur, aq e ëndërruar, aq e dëshiruar na ka sjellë edhe shumë të papritura e shumë dëshpërime gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. NA e solli edhe “qeverinë” e dytë në ditët më dhembjesjellëse!

Por, nuk jam pesimist.

Pesimist nuk mund të më bëjnë ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u qëndisur me miliona duke shfrytëzuar postet politike, ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u stolisur me vila në Gjirin e Lalzit e përgjatë bregdetit, në Brezovicë e Prevallë. Dhe jo vetëm. Jo. Kurrë.

Pas tronditjes sado e gjatë qoftë, që solli tërmeti, fatkeqësia, megjithatë, do të bëhet nxitje për forcim, për ngritje shpirtërore, etike, shoqërore, kombëtare, shtetërore.

Populli shqiptar, përpos gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion, kurrë, në asnjë epokë a periudhë historike, nuk ishte pa figura historike si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, që politikën e përdorën jo duke u pasuruar prej saj po duke u flijuar për Shqipërinë e për shqiptarët.

Durrësi, më i dëmtuari në tërmetin e 26 nëntorit, do ta marrë veten. Shumë tërmete ka përjetuar Durrësi: më 177 para erës sonë, më 334, 506, 1273, 1869, 1870, 1926, 1979… dhe shpejt e ka marrë veten. Ishte qytet i dëshiruar edhe prej të huajve, prej miqve dhe prej pushtuesve. Takimet me popuj të tjerë e kanë pasuruar kulturën e tij e qytetërimin e tij dhe e kanë shtuar lavdinë e tij historike e kombëtare. Fatkeqësinë e fundit natyrore, si edhe herët e tjera, Durrësi do ta përballojë, do ta mundë me dhuntinë e tij të madhe jetëkrijuese, gjallëruese ndërtimore e gjithëkombëtare.

Në sajë të dhuntive të Durrësit, në sajë të solidarësisë që treguan bashkatdhetarët kudo që janë sot e, sidomos, Kosova, shqiptarët e goditur prej tërmetit do të kenë gatishmëri e do të dinë të zbatojnë mësimet e rilindësve të mëdhenj të cilët me gjithë sakrificat e pamatshme e bënë Shqipërinë dhe e bënë shqiptarin: më të fortë, më të ngritur e më të zhvilluar në të gjitha pikëpamjet.

Fatkeqësia e 26 nëntorit do të përfundojë me fuqizim të përgjithshëm të shqiptarëve: të mundësive ndërtuese e krijuese.

E kuptueshme. Nuk është thënë pa dëshmi shumëshekullore se dhembjet e vuajtjet i bashkojnë njerëzit më shumë se gëzimet.

E tani për tani më e rëndësishmja është: të jemi – të gjithë me Durrësin, me Tiranën, me Thumanën e të gjitha qytetet, qytezat, fshatrat që i dëmtoi tërmeti, të jemi me ta me çka kemi, me çka mundemi e me çka dimë. Se ashtu do të jemi me shtetin amë, Shqipërinë, me Kosovën, me gjithë bashkëkombëtarët kudo ndodhen ata./dita

Related Articles

Nje koment

  1. Jete te gjate e shendet te mire Atdhetar i nderuar, profesor dhe Albanolog i shquar, shkrimtar i madh zotni Rexhep Qosja, qe si gjithnje edhe ne kate artikull, na i mbush zemren me gezim e shprese, qe fatkeqesia qe solli termeti ne disa qarqe, ne saje te bashkimit te gjithe shqiptareve kudo neper bote , dote kapexehen nese e kethejme ne force, keshtu, pasojat katastrofale dhe plaget qe hapi termeti, dote mbyllen me shpejt, nese mbreteron dashuria dhe jo, urejtja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button