Ekonomia

“Tregtia mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit vazhdon të rritet”

Në Tiranë është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Dhomave të Ballkanit- ABC (Association of Balkan Chambers), ku ishin të pranishëm përfaqësues nga Turqia dhe vende të tjera të Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA). 

Në fokus të aktivitetit të organizuar nën kujdesin e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ishin diskutimet mbi çështjet e arsimit profesional, dixhitalizimi i shërbimit të dhomave dhe bashkëpunimi ekonomik mes dhomave të tregtisë nga vendet e Ballkanit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük si dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë të vendeve të Ballkanit.

Në fjalën e saj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, tha se aktiviteti për Shqipërinë është i veçantë, pasi sipas saj përfaqëson edhe kryesinë për vitin 2019 të Asamblesë së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit.

“Falënderoj dhomat e tregtisë, të cilat adresuan që ditën e parë pas tërmetit, jo vetëm me ndihma financiare, por edhe me vizita konkrete duke sjellë ndihma për të gjitha zonat që u dëmtuan nga tërmeti i datës 26 nëntor. Shpresoj që ky solidaritet të jetë edhe lajtmotivi i të gjithë bashkëpunimit në të ardhmen, duke e parë dhe shtuar vëmendjen drejt bashkëpunimit, i cili është emëruesi i përbashkët për të çuar një ekonomi të përbashkët drejt zhvillimeve të nevojshme dhe për të lehtësuar marrëdhëniet e bashkëpunimit”, tha Denaj.

Sipas Denajt, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë është një institucion që e ka kuptuar më së miri që marrëdhënia dhe dialogu me biznesin është kyç për të zhvilluar ekonominë dhe për të çuar përpara zhvillimet, të cilat sipas saj në ditët e sotme janë komplekse.

“Dhomat e biznesit në kontekstin shqiptar sot janë të organizuara dhe ka hapësira për t’u organizuar më mirë, për të shkëmbyer eksperienca me dhomat e tregtisë së rajonit. Zëri i dhomave të tregtisë i sjellë nga biznesi për një dialog efektiv me qeverinë të orientohet drejt zhvillimeve ekonomike”, tha Denaj.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, Denaj tha se ka potenciale zhvillimi për më shumë këmbim në raport me tregtinë.

Ndërsa kryetari i Unionit Turk të Odave dhe Bursave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, në fjalën e tij tha se Turqia ka punuar dhe do të punojë fort bashkë me Shqipërinë për përballimin e situatës së emergjencës.

Sipas tij, Turqia është partneri i pestë i tregtisë dhe për këtë Turqia mund të konsiderohet numër një përsa i përket investimeve të drejtpërdrejta të huaja.

“Tregtia me BE-në është dyfishuar 10 vitet e fundit dhe zgjerimi i saj ka qenë në dobi të vendeve të Ballkanit. Rajoni ka rritur eksportet e veta në BE me 130 për qind dhe rritja e eksporteve në rajon ishte 50 për qind. Nga ana tjetër tregtia mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit vazhdon të rritet. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim, për më shumë tregti dhe lidhje në biznes. Misioni i përbashkët duhet të fokusohet në zgjerimin e tregtisë dhe të marrëdhënieve të biznesit”, u shpreh Hisarcıklıoğlu.

Më tej gjatë fjalës së tij, Hisarcıklıoğlu tha se dhomat e tregtisë kanë nevojë për një sistem të fortë për të treguar që sektori privat mund të mbrojë të drejtat e tyre dhe shtoi se “Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është përmes sistemit të detyrueshëm të anëtarësimit. Kjo është arsyeja pse sektori privat i Turqisë është më i forti mes Italisë dhe Kinës. Dua të jap rekomandimin tim që Shqipëria dhe vendet e tjera ta ndjekin këtë model”.

Një fjalë përshëndetëse në këtë takim mbajti edhe kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, e cila theksoi se Shqipëria për vitin 2019 mban presidencën e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Dhomave të Ballkanit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button