Politika

Rama në RTSH: Negociatat në 2020?/ Asnjë nuk mund ta thotë sot

“Asnjë nuk mund ta thotë sot nëse do të hapen negociatat apo jo në 2020″, theksoi sot Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në emisionin ‘Java” në Radio Televizionin Shqiptar, Kryeministri Rama i pyetur nëse do të hapen negociatat gjatë këtij viti tha se “askush, asnjë nuk ka sot në kontinent që mund të thotë ‘Po’ do hapen as ‘Jo’ s’do hapen. Të gjithë kanë arsye që lidhen me ta dhe s’lidhen fare me ne, të cilat i pengojnë të thonë “Po” ose “Jo” sot”.

I pyetur cili ka qenë çasti më i vështirë që i ka mbetur në mendje në 2019, Kryeministri Rama tha se ishte ora 4 e mëngjesit e datës 26 nëntor, ku tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter goditi Shqipërinë.

Ngjarja më e bukur për të është ditëlindja e djalit të tij, Zahos, në përvjetorin e tij të pestë, ndërsa më e keqja në 2019-ën ishte nata e mbledhjes së Këshillit Europian.

I pyetur nëse ka marrë një mesazh që e ka tronditur, që e ka lënë pa gjumë, Kryeministri Rama tha se “kam marrë kaq shumë mesazhe në telefon saqë në përgjithësi janë ndikim i drejtpërdrejt në pagjumësinë time se e kam këtë zakon që dua t’i përgjigjem të gjithëve”.

Në lidhje me pyetjen nëse do të ishte anëtari i vetëm i një jurie dhe do të zgjidhte njeriun e vitit, Kryeministri Rama tha se “do zgjidhja Ermal Mamaqin, se më ka bërë aktor tek filmi ‘I Love Tropoja’. Duke qenë se më dha mundësinë të heq edhe një merak timin të luaja në një film për mua është njeriu i vitit që kaloi”.

Kreu i qeverisë ndau edhe një urim për gazetarët duke u shprehur se “të shpifin sa më pak. Nuk kam asnjë armiqësi, me shtypin kam pamundësinë që të sillem si politikan, sepse vij nga një kohë kur kam milituar në radhët e shtypit të lirë dhe e ndiej si të pamundur të më sfidojnë në atë fushë duke më treguar edhe arat dhe duke mi treguar shpesh herë përmes broçkullave. Në 2019 nuk kam pasur asnjë përplasje kam bërë paqe të plotë”.

Ndërsa pyetjes se në 2019 ka ndërmarrë një akt për t’i mbyllur gojën medias me ligjin “antishpifja”, Kryeministri Rama tha se “nuk ka lidhje me mbylljen e gojës, ka lidhje vetëm me mundësinë që viktimat e shpifjeve mund të hapin gojën.

Lidhur me Minishengenin Ballkanik dhe Kosoven, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Kosova humbet shumë duke mos qenë pjesë e Shengenit Ballkanik, ndërsa në aspektin e marrëdhënieve me të gjitha vendet përfitimet janë të qarta”.  “Shengeni Ballkanik është një proces që ka nisur prej 5 vitesh”. “Të gjithë komponentët e tij, përveç lëvizjes së lirë të njerëzve, janë të shkruar në proces. Lëvizjen e njerëzve e kam kërkuar unë dhe kam hasur atëherë në kundërshtimin e Serbisë për shkak të Kosovës. Tryeza u organizua pasi u la që nuk ka kushte për askënd dhe nuk i imponohet askujt”, tha Rama.

Sipas tij, “janë 4 parime të lirisë së BE-së që duhet, sipas nesh, të zbatohen dhe në rajon”. “Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk kanë mundur dot deri më sot ta hapin kufirin për lëvizjen e lirë, sot këtë gjë mund ta bëjmë. Kosova nuk është e detyruar të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë nëse nuk do”, sqaroi Rama.

Kryeministri theksoi se “liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve, kapitaleve, shërbimeve sjell vetëm të mira për ekonominë tonë”.

Në dimensionin ndërkombëtar, Rama tha se “kjo e ndihmon edhe vetë procesin e njohjes përfundimtare të Kosovës, rrit reputacionin, besueshmërinë dhe e bën edhe vetë Serbinë që ta shohë realitetin në sy”.

“Uroj shumë që Kosova të marrë pjesë, duke qenë në tavolinë është e barabartë mes të barabartësh dhe të përfitojë nga procesi. Këtu nuk është bërë ndonjë gjë që bëhet për herë të parë si temë. Thaçi, Mustafa, Haradinaj kanë qenë në të gjitha tryezat dhe janë dakordësuar. Nuk kam asnjë mëri, kam thjesht dhe vetëm neveri ndaj reagimeve që në vend se të përballin argumentet, prekin plagët dhe luajnë mr emocionet e njerëzve që kanë kaluar nga tragjedia dhe i hedhin një helm patriotik ajrit mes nesh duke më veshur mua gjëra që nuk kanë lidhje. Ata që nuk bëjnë dot bashkë dy parti për Kosovën, se nuk ndajnë dot karriget, janë bashkë për të transferuar të gjithë situatën e udhëkryqit pa strategji te ‘vëllai i Vuçiçit’ në Tiranë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “takimet janë periodike dhe janë në proces”. “Çfarë ka këtu të keqe? Ne jemi në marrëdhënie me të gjitha shtetet, nuk jemi në luftë. Ne lëvizim, bëjmë tregti, shkëmbejmë. Heqja e vizave, e kontrolleve në kufi, lehtësimi i orëve të pritjes për eksportuesit… Ku është e keqja këtu? Ne nuk diskutojmë për fuqi globale por për tregje të vogla, që duke u zgjeruar përfitojnë të gjithë”, tha Rama.

Lidhur me opoziten kryeministri Rama tha se  “Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë pa kushte me opozitën për gjithçka, edhe pse nuk jemi të detyruar të biem dakord me të gjitha”. “Edhe ne kemi bërë bojkot më parë, por kjo nuk na ka rritur mbështetjen e njerëzve. Nuk besoj se politika e kërcitjes së dhëmbëve prodhon rezultate për ata që e gjenerojnë atë politikë, përveç kësaj i dëmton ata. Nëse nuk do të kishim humbur kohë me bojkote, do të kishim bërë më shumë, por unë them se këtu ka një problem të madh kulturor dhe të lidershipit të PD-së, është një dritëshkurtësi, iluzion”, tha Rama.

I pyetur mbi qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimet politike gjatë vitit 2019, Rama tha se “as unë, as ne në grupin e ngushtë drejtues të PS-së dhe asnjë nga partnerët ndërkombëtarë nuk e ka eksploruar opcionin e shtyrjes së zgjedhjeve”.

“Partnerët kanë qenë të palëkundur. Rrallë e mbaj mend të mos kenë pasur as tundimin, ‘hajde ta diskutojmë edhe këtë variant’. Se në këndvështrimin e tyre dhe tonin ishte e njëjta qasje: nëse hapet një herë kjo rrugë, kjo rrugë nuk mbyllet kurrë. Ndërkombëtarët kishin leximin që kjo është një çmenduri, nuk mund të tolerohet se përbën një precedent që shthur gjithë normalitetin demokratik”, tha Rama.

Ai theksoi se “influenca e opinionit të miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, është goxha e madhe dhe kapaciteti i tyre për të ngulmuar dhe vendosur nën presion klasën politike në Shqipëri nuk është i vogël”.

“Nuk e di çfarë kanë komunikuar me palën tjetër, di që ka pasur komunikime dhe që kanë qenë më të ashpra se sa prononcimet publike, se për ta ka qenë jashtë mundësisë për ta kuptuar se çfarë do të thotë kjo, si mundet që një pakicë t’i imponohet një shumice duke kërkuar ndryshim të raporteve në tavolinë”, tha Rama.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button