Bota

Turqi: Me ndihmën e Libisë në thesarin e gazit

Parlamenti turk e mori vendimin: Turqia do të dërgojë ushtarë në luftën civile në Libi. Presidenti Erdogan nuk i vjen në ndihmë vetëm partnerit libian me këtë hap, ai ka para së gjithash në mendje interesat e pushtetit.
Parlamenti turk e mori vendimin: Turqia do të dërgojë ushtarë në luftën civile në Libi. Presidenti Erdogan nuk i vjen në ndihmë vetëm partnerit libian me këtë hap, ai ka para së gjithash në mendje interesat e pushtetit.
Qeveria libiane e kryeministrit Fajis al-Sarradsh do të mbështetet ushtarakisht nga Turqia. Por parlamenti libian votoi të shtunën kundër marrëveshjeve të arritura me Turqinë. Qeveria ndodhet në mesin e një lufte civile me gjeneralin kundërshtar, Chalifa Haftar. Me Ushtrinë Kombëtare Libiane, LNA, Haftari përpiqet të marrë kryeqytetin Tripoli.

Si e argumenton Turqia misionin ushtarak?

Turqia vetë ndodhet që nga vera e vitit 2018 në një krizë të thellë ekonomike: se pse qeveria turke, pikërisht në kohë të tilla e pas ndërhyrjes në Siri, fillon një operacion të dytë ushtarak me kosto të lartë, për këtë po spekulohet në Turqi.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, sipas fjalëve të tij, është i interesuar vetëm të mbrojë qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime nga „baroni i luftës”, Haftar. Ankaraja vepron me ftesë të Al-Sarradshit. Në nëntor u ra dakord me qeverinë turke për një bashkëpunim ushtarak. Por Erdogani qartësisht nuk është i interesuar vetëm të mbrojë qeverinë libiane.

Çfarë kërkon të arrijë qeveria turke?

Popullariteti i presidentit turk aktualisht është në rënie. Kriza monetare dhe ekonomike kanë bërë të ulet numri i përkrahësve të tij. Në zgjedhjet lokale në mars 2019, ai pësoi humbje në disa qytete të rëndësishme turke, dështimi i parë i ndjeshëm në karrierën e presidentit të përkëdhelur nga suksesi.

Për t’i dalë përpara këtij trendi, Erdogan përdor një mjet të provuar ndërkohë: ai aktivizon ndjenjat nacionaliste të popullsisë turke duke e prezantuar Turqinë në rajonet e krizës si një fuqi rajonale të fortë. Me këtë demonstrim qeveria mund të fitojë mbështetje më të madhe në popullsi, sidomos në qarqet konservatore fetare.

Madje edhe themeluesi i shtetit turk, Kemal Mustafa Atatürk në kohën e Perandorisë Osmane ka luftuar në Libi, përsërit Erdogan. Operacionet ushtarake turke në Sirinë veriore dhe Libi zhvillohen në territore të dikurshme të perandorisë së madhe dhe kjo zgjon tek shumë votues turq ëndrrat e lavdisë së dikurshme. Ka zëra, se Erdogan do të zhvillojë para kohe, që këtë vit, zgjedhjet presidenciale të parashikuara në vitin 2023. Me retorikën nacionaliste ai synon që tani të bashkojë përkrahësit e tij.

Çfarë lidhje ka misioni ushtarak në Libi gazin natyror në lindje të Mesdheut?

Qeveria turke me operacionin ushtarak ndjek edhe interesa ekonomike. Në marrëveshjen, që Erdogan përfundoi me qeverinë e njohur në shkallë ndërkombëtare të Al-Sarradshit në nëntor, nuk bëhet fjalë vetëm për mbështetje ushtarake nga ana e Ankarasë. Me Tripolin është rënë dakord, edhe që kufijtë ndërkombëtarë detarë të vendosen në favor të Turqisë, me qëllim që Ankaraja të ketë qasje në rezervat e pasura të gazit të brigjeve qipriote.

Para afër 10 vjetësh u zbuluan rezerva të mëdha gazi në bregdetin jugor të Qipros. Një thesar i tillë ka potencial të madh konflikti, sepse ishulli i tretë më i madh në Mesdhe është i ndarë që nga viti 1974 në pjesën turke dhe atë qipriote. Të dyja pjesët e ishullit ngrenë pretendime për ta shfrytëzuar ekonomikisht këtë fushë me gaz. Pjesa greke e Republikës së Qipros bazohet në të drejtën ndërkombëtare detare, që çdo vendi me qasje në det i siguron „një zonë ekonomike ekskluzive”, që shkon deri në 200 milje në det të hapur. Të gjitha burimet natyrore që ndodhen në këtë zonë detare, mund të shfrytëzohen ekonomikisht nga vendi. Kjo rregullore është shumë e komplikuar në rastin e Qipros, sepse Ankaraja e shikon „Pjesën turke të Qipros Veriore” si shtet sovran, me zonën e saj ekonomike.

Bashkësia ndërkombëtare nga ana tjetër nuk e njeh „Republikën Turke të Qipros Veriore” si shtet më vete. Prandaj Turqia nuk merret në konsideratë nga shtetet e tjera që kufizohen me Mesdheun në shfrytëzimin e këtyre rezervave të gazit. Pikërisht në ditën që parlamenti turk ra dakord për ndërhyrjen ushtarake në Libi, vendet e tjera të Mesdheut – Qiproja, Greqia, Izraeli nënshkruan një marrëveshje në Athinë për projektin e gazit „EastMed”. Ky gazsjellës prej 1900 kilometrash, që parashikohet të nxjerrë gaz në brigjet e Qipros dhe Izraelit do ta sjellë atë në Greqi e prej andej në vende të tjera europiane, si Italia. Ankaraja nuk ka qenë asnjëherë në tryezën e negociatave. Erdogan ka theksuar disa herë, se ai nuk do të lejojë që Turqia të përjashtohet nga projekte të tilla. Ujdia me qeverinë libiane do të duhet ta nxjerrë Ankaranë nga izolimi brenda vendeve të Mesdheut.

Cili është roli i Rusisë?

Në fund të tetorit, presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai turk, Erdogan arritën një marrëveshje në Sotçi për përfundimin e operacionit ushtarak në Sirinë Veriore dhe sa të jetë e mundur edhe të luftimeve të tjera në rajon. Ashtu si në Sirinë Veriore, Kremlini është një aktor i rëndësishëm në Afrikën Veriore. Por në luftën civile libiane, Moska mbështet palën kundërshtare, ushtrinë e rebelëve të gjeneralit Haftar. Të mërkurën e  javës që vjen (08.01) do të zhvillohet një takim i vështirë mes Erdoganit dhe Putinit, në të cilin të dy krerët e shteteve kanë mundësi të bisedojnë për Libinë dhe me gjasë të vendosin piketat për të ardhmen./DW

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button