Rajoni

Vizita e Putinit në Serbi ngjall kritika

Presidenti rus do të marrë pjesë në paradën ushtarake për 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit. Rusia dhe kandidatja për pranim në BE, Serbia, janë aleate tradicionalë, por vizita ngjall kritika.

Në fakt partizanët jugosllavë dhe ushtria e kuqe e çliruan kryeqytetin Beograd të pushtuar nga gjermanët me 20 tetor 1944. Por 70 vjetorin e fitores udhëheqja serbe do ta festojë katër ditë më parë, të enjten me (16 tetor). Data e festimeve duhej të përshtatej me kalendarin e ngjeshur të një mysafiri të rëndësishëm. Pritet vizita e presidentit rus Vladimir Putin, vendi i të cilit në Serbi perceptohet si aleat tradicional dhe si “nëna ortodokse”. Së bashku me nikoqirët serbë shefi i Kremlinit do të ndjekë paradën e parë të madhe ushtarake që prej tri dekadash.

Një akt balancues i diskutueshëm

Jo të gjithë gëzohen për momentin e vizitës së lartë. “Qeveria e Serbisë ka hyrë në një batak”, mendon shkrimtari dhe gazetari beogradas Ivan Ivanji. 85 vjeçari i vë shumë rëndësi trashëgimisë antifashiste të vendit të tij: Në rininë e tij ai u internua për shkak të prejardhjes së tij hebreje në kampet e përqëndrimit Aushvic dhe Buhenvald. Pas luftës së dytë botërore ai punoi si përkthyes i udhëheqësit socialist të shtetit Josip Broz Tito dhe si diplomat në Bon. Tani Ivanji konstaton se si vizita e Putinit tërheq vemendjen e shtypit, në vend të përkujtimit të çlirimit të Beogradit. “Udhëheqja serbe do të kishte bërë më mirë, po ta kishte pritur mikun me të gjitha nderimet, kurdo që ai të ketë kohë, por paradën ushtarake ta mbajë në ditën e caktuar për qytetarët dhe jo për një mysafir të posaçëm”, tha Ivanji në bisedë me DW.

Putin und Dacic në Moskë
Marrëdhënie të mira: Putin dhe Dacic në Moskë

Pa vizitën e Putinit nuk do të kishte aspak një festë të tillë. Për këtë është i bindur sociologu dhe blogeri Dario Hajrić. “Meqë presidenti i federatës ruse vjen për vizitë, klasa politike në Beograd e pa të arsyeshme të organizojë një paradë në stilin e luftës së ftohtë nën maskën e antifashizmit”, kritikon ai në bisedë me DW. Me luftën e ftohtë sociologu e ka fjalën për tensionet ndërmjet Moskës dhe Perëndimit. Serbia shpreson, se në rast të një rigjallërimi të konfliktit të vjetër të mund të qëndrojë neutrale. Kështu kandidatja për pranim në BE ndodhet ndërmjet kthinës së pritjes së Evropës dhe marrëdhënieve miqësore me Rusinë. “Kjo nuk është urtësi diplomatike, por një llogaritje naive”, thotë Hajrić.

Prezencë ruse në oborrin e pasëm të Europës

Por politikanët e Beogradit besojnë në këtë taktikë. Ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit Serbia është gati një qind për qind e varur nga gazi rus dhe merr pjesë në projektim e gazsjellësit rus South-Stream. Përveç kësaj mediat kryesore serbe njoftojnë çdo javë për shuma miliardëshe, që Rusia planifikon të investojë direkt në Serbi, apo t’i japë si kredi me kushte të favorshme. “Por qytetarëve në Serbi nuk u sjell asgjë kjo afërsi me Moskën. Prej saj përfitojnë vetëm politikanët, që bëjnë biznese me oligarkët rusë”, mendon Hajrić. Që Serbia është gjoja tepër e rëndësishme për Rusinë, ky është vetëm një mit, mendon ai. Por për shumë serbë Moska është si dhe më parë mbrojtëse e interesave serbe dhe e një “Kosove serbe”. Sepse provinca e dikurshme e Serbisë, që shpalli në 2008 pavarësinë, njihet sot nga shumica e vendeve si shtet i pavarur, por jo nga Rusia. Deri tani fuqia me të drejtë vetoje Rusia pengon edhe një anëtarësim të Kosovës në OKB.

Ivan Ivanji: Kjo s'ka të bëjë me antifashizëm.
Ivan Ivanji: Kjo s’ka të bëjë me antifashizëm.

Disa ekspertë mendojnë se rëndësia e Ballkanit në lojën gjeopolitikën nuk është për t’u nënvlerësuar. Gazeta e përditshme e Berlinit Tageszeitung shkruante së fundi, se ky gadishull është një front paralel i vogël e vulnerabël i lojës së matjes globale të forcave. Këtë e pranon edhe ish diplomati Ivan Ivanji: Moska dëshiron ta dëshmojë praninë e saj në këtë “oborr të pasëm” të Evropës, nganjëherë me hartën e identitetit kulturor dhe fetar. Kështu regjisori rus Nikita Mihalkov mbajti në fillim të tetorit në Serbi premierën botërore të filmit të tij të ri dhe qeveria ruse dërgoi disa ikonografë për të zbukuruar kishën e madhe në Beograd me një mozaik me dimensione të mëdha.

“Për dashurinë nevojiten dy”

Që nga fillimi i krizës në Ukrainë Brukseli shikon me vemendje më të madhe në drejtim të Beogradit. Serbia është krahas shtetit fqinj Maqedonisë i vetmi kandidat për pranim në BE, që nuk i është bashkangjitur sanksioneve kundër Moskës. Komisioneri i ri për zgjerimin Johannes Hahn tha se Beogradi duhet ta rishqyrtojë qëndrimin ndaj Rusisë, nëse Serbia synon me të vertetë anëtarësimin në BE. Zyrtarisht një vend kandidat nuk është i detyruar që të mbështesë politikën e sanksioneve të Brukselit. Por BE ka mjaft mjete presioni. Disa vende anëtare, me në krye Gjermaninë, do të donin ta ndërlidhnin tempin e bisedimeve për pranimin e Serbisë me qëndrimin ndaj Rusisë, thuhet në qarqet diplomatike në Bruksel.

Hajric: Rusia do të tregojë prezencën në oborrin e pasëm të Europës.
Hajric: Rusia do të tregojë prezencën në oborrin e pasëm të Europës.

Pikërisht në këtë kontekst opozita serbe kritikoi kohën e vizitës së Putinit. Por qeverisësit ish nacionalistë nuk kanë asnjë dyshim. Bëhet fjalë për një çështje dypalëshe, tha ministri i Jashtëm Ivica Daçiç. Parada ushtarake nuk do të organizohet enkas për presidentin rus, thotë ai. Edhe Barack Obama dhe David Cameron mund të vijnë: “Unë nuk do të kisha asgjë kundër, por për dashurinë nevojiten të paktën dy”, tha Daciç. Edhe presidenti serb Tomisllav Nikoliç nuk do të qëndrojë pas e do të vendosë një medalje në gjoksin e Putinit. Në vitet e fundit Nikoliç ka nderuar pa pushim kështu “miqtë e Serbisë”, presidentin e Bejllorusisë Alexander Lukashenko dhe ish-presidentin ukrainas Viktor Janukoviç. Por Putin njoftohet se do të marrë një urdhër të veçantë dhe më të madh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button