Ekonomia

Do ndërtohet mbi Vjosë, HEC-i i Kalivaçit, dorëzohet përmbledhja joteknike dhe ndikimi në mjedis

Turqit e AYEN-ALB, zhvillues të projektit të hidrocentralit të Kalivaçit kanë dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare përmbledhjen jo teknike të vlerësimit të ndikimit në mjedis të thelluar, një dokument ky i nevojshëm për të marrë autorizimet për procedurat e mëtejshme drejt zbatimit. Në dokumentin që mban si afat nëntorin e vitit të shkuar kompania jep detaje mbi projektin ku ndër të tjera thuhet se HEC-i i Kalivaçit do të ketë një rezervuar me vëllim total prej 375 milionë m3 , nga të cilat 205 milionë m3 konsiderohet volum i përdorshëm për prodhimin e energjisë.

“Rezervuari do të krijohet nga një digë e mbushur me gurë me sipërfaqe betoni dhe do të vendoset në një pjesë të ngushtë të lumit, që është rreth 200 m. Ujëmbledhësi i Lumit të Vjosës në zonën e digës është rreth 5.420 km2 , duke krijuar një rezervuar prej rreth 16 km2 (në 113 m m.n.d.)” thuhet në dokument.

Hidrocentrali i Kalivaçit do të ndërtohet sipas kontratës koncesionare të lidhur midis palëve, AYEN-ALB sh.a. në cilësinë e koncesion arit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e autoritetit kontraktues. Hidrocentrali do të ndërtohet mbi lumin Vjosë ne afërsi të fshatit Kalivaç me qëllim prodhimin e energjisë hidrocentrali do te shfrytëzoje kuotat ujore midis 73 m mbi nivelin e detit dhe 113 m mbi nivelin e detit Fuqia e instaluar e hidrocentralit do te jetë 111 MW dhe prodhim vjetor i llogaritur do të jetë 366.62 GWh.

AYEN-ALB sh.a është zhvilluesi i hidrocentralit Kalivaç bazuar në Marrëveshjen e Koncesionit ndërmjet Ndërmarrjes së Përbashkët (JV), të kompanisë turke AYEN ENERJI A.S, me 92% dhe kompanisë shqiptare FUSHA shpk, me 8 %.

Kompanitë fituan garën për ndërtimin e hidrocentralit në mes të vitit 2018 dhe parashikohet të investojnë një vlerë 125 milionë euro.

Hidrocentrali i Kalivaçit është një projekt që daton nga viti 1997 dhe është shoqëruar me një histori e gjatë zvarritjeje dhe konfliktesh gjyqësore. Ai iu dha për herë të parë një kompanie italiane Hydro.S.R.L  ku aksioner ishte edhe biznesmeni italian, Francesco Becchetti. Kompania do të duhej të ndërtonte një HEC 100 MË por që nuk ndodhi asnjëherë dhe u shoqërua me përplasje të shumta në arbitrazhe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button