Politika

Hapja e negociatave/KE: Nuk do të ketë rregulla të reja për Tiranën e Shkupin

Komisioni Europian pohon se nuk do të ketë rregulla të reja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shtohet shpresat për hapjen e negociatave.

Shpresat për ҫbllokimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit vijnë këtë fillim viti nga Franca, Komisioni i ri Europian dhe Presidenca Kroate e Këshillit Europian, mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor (BP) në Bashkimin Europian. Pritshmëritë e Shqipërisë drejtohen tek Samiti i Zagrebit BE-BP, i cili do të mbahet me 6-7 maj, i konsideruar si ngjarja më e rëndësishme e Presidencës kroate, që ka nisur punën me moton, “Një Europë e fortë, në një botë sfidash”.

Që Franca po rishikon qëndrimin e saj për të ҫbllokuar hapjen e negociatave e bëri publike Presidenti Macron, në takimin e tij në Paris me kryeministrin kroat Andrej Plenkovic, (7.01.2020).  Presidenti francez deklaroi se “Franca uron që Samiti i Zagrebit të jetë një moment uniteti dhe një sukses për Europën”. Në rastin konkret, uniteti dhe suksesi do të realizohen nëse Samiti i Zagrebit ia del mbanë t’u japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut,  një datë për hapjen e negociatave të pranimit.

A do të fillojë me Shqipërinë dhe MV metodologjia e re?

Kjo është pyetja e menjëhershme. Deklarata shpresëdhënëse e Presidentit Macron për rishikim të qëndrimit bllokues të Francës u shoqërua me vlerësimin për ndryshimet e pritshme në metodologjinë e procesit të negociatave. Ai i quajti ato “një parakusht për hapjen e negociatave me vendet kandidate” edhe pse ndryshimet e propozuara nga Franca janë pritur ftohtë nga një numër i konsiderueshëm vendesh anëtare të BE.

Në një propozim drejtuar Komisionit Europian, (KE), në mes të dhjetorit të kaluar, 9 vende anëtare të BE  – Austria, Çekia, Estonia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia – i propozojnë KE që “ndryshimet në metodologjinë e procesit të zgjerimit të mos ndikojnë në vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Ursula von der Leyen – Të mbajmë premtimet tona

Shpresat për arritjen e kompromisit në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe MV, me rregullat ekzistuese, janë gjallëruar më tej të premten, (10.01.2020) kur Presidentja e  KE, Ursula von der Leyen,  deklaroi në Zagreb, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic: “Ne nuk duhet të ndryshojmë tani kushtet apo rregullat për Shqipërinë dhe MV. Ne duhet te mbajmë premtimet tona. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kriteret që u kemi kërkuar për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Qëllimi është të sigurojmë Shqipërinë dhe MV se dera është e hapur dhe ato mund  të fillojnë bisedimet e anëtarësimit” theksoi ajo.

Propozimi i ri i KE

Qartë dhe pa ekuivoke Presidentja e KE ka folur të premten në Zagreb për “një proces paralel rinovimi të metodologjisë me vijimin e procesit me Shqipërinë dhe MV”, qëndrim ky i kundërt me atë të Presidentit francez Macron, që kundërshton hapjen e negociatave për dy vendet përpara reformimit të metodologjisë. Ajo tha gjithashtu se do të propozojë ndryshime “në fillim të vitit” të mënyrës sesi BE skanon vendet që aspirojnë anëtarësimin. Në tetorin e kaluar Franca bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe MV gjatë 6 mujorit të parë 2020, për të bërë të mundur sipas saj “një shqyrtim të kujdesshëm të zbatimit të ligjit” në dy vendet.

KE i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në vitin 2014, pesë vjet pas aplikimit  të saj për të qenë vend anëtar i BE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button