Home / Ekonomia / Një spital ultramodern për kirurgjinë/ Pas 90 vitesh në QSUT, kirurgjia shqiptare ka një tempull të ri

Një spital ultramodern për kirurgjinë/ Pas 90 vitesh në QSUT, kirurgjia shqiptare ka një tempull të ri

“Pas 90 vitesh në godinën e vjetër në QSUT, kirurgjia shqiptare ka një tempull të ri, ku gjithçka është fjala e fundit e teknologjisë dhe po ashtu organizimi në funksion të pacientit është në nivelin më të lartë bashkëkohor”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në përurimin e spitalit të kirurgjisë në QSUT.

Rama tha se “tashmë kemi një spital ultramodern për kirurgjinë”. “Spitali i ri “Frederik Shiroka” çon në një tjetër nivel shërbimet mjekësore në Shqipëri. 7 salla moderne operacioni për kirurgjinë e përgjithshme, kirurgjinë speciale dhe urologjinë. Aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit. Njësi terapie intensive me pajisje bashkëkohore dhe kushte optimale. Laborator i nivelit të lartë teknologjik dhe 120 shtretër dhe dhoma me kushte si në spitalet më të mira të Europës për pacientët”, – tha Kryeministri.

Kryeministri tha se “nuk e ekzagjeroj kur them se ky spital është vepra më e madhe e 90 viteve në Shqipëri në shëndetësinë e vendit, për nga cilësia dhe thellësia e projektit dhe kapacitetet teknologjike që vendos në dispozicion të mjekëve dhe të ekipeve mjekësore”.

“Ndjehem shumë i nderuar dhe njëkohësisht nuk ka kompliment më inkurajues sesa fjalët e profesorit që ka shoqëruar një periudhë të rëndësishme të historisë së kirurgjisë shqiptare dhe fjalia e tij se, kjo është një ëndërr e bërë realitet”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk mbaron këtu, sepse ëndrra ime që në momentin e parë ishte që QSUT të transformohet në gjithë perimetrin e saj, në një shëmbëlltyrë të ambicies sonë për shëndetësinë në Shqipëri”.

“Sot, spitali i kirurgjisë ka përfunduar, por QSUT është një kantier. Mjafton rruga për të hyrë deri këtu me shumë njerëz nëpër këmbë, gjë që nuk ndodh në spitalet e tjera. Është nevoja e një vazhdimësie në punën transformuese, si për sa i përket infrastrukturës së brendshme, edhe në hapësirën rreth e rrotull”, – tha Rama.

“Ndaj, jo vetëm puna në vazhdim në spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, model i shkëlqyer transformimi, apo me pediatrinë që po ndërtohet nga ana tjetër, por edhe puna me gjithë pjesën e jashtme për të pasur më në fund një parkim, që do të grumbullojë të gjitha mjetet në hyrje dhe do ta kthejë hapësirën brenda perimetrit të QSUT-së një hapësirë ku lëvizin vetëm autoambulancat, është domosdoshmëri”, – tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: