Politika

Tryezë gjithëpërfshirëse për “Zgjedhoren”/ Formohet “Këshilli Politik”, reforma gati deri në 15 mars 2020

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Petrit Vasili (LSI) dhe Oerd Bylykbashi (PD).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.

Së pari u vendos të formohet Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.

“Këshilli mblidhet brenda muajit janar 2020 dhe autorizon platformën e punës së procesit të reformës zgjedhore si më poshtë: Një përfaqësi politike (2 persona) nga opozita jashtëparlamentare dhe ekspertë të saj do të punojnë me dy bashkëkryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë tij”, thuhet në këtë deklaratë.

Çështjet që do të adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit nr. 102/2017, i amenduar “Për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematike tjetër zgjedhore që palët bien dakord me konsensus me qëllim arritje e standardeve zgjedhore ndërkombëtare.

Palët e përfshira angazhohen gjithashtu të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve, objekt i punës së komisionit të reformës zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

“Për të ndihmuar në këtë proces Komisioni i Reformës Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht asistencën e OSBE/ODIHR-it, përfshirë dhe dërgimin e ekspertëve, nëse kjo është e mundur, që do të bashkëpunojnë me përfaqësuesit politikë dhe ekspertët e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, me qëllim për të lehtësuar procesin e diskutimit dhe hartimit të projekt-propozimeve përkatëse”, thuhet në këtë deklaratë.

Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare.

Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në komisionin e reformës zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button