Home / Ekonomia / OSHEE spjegon rezultatin financiar për vitin 2019

OSHEE spjegon rezultatin financiar për vitin 2019

OSHEE i konsideroi spekulime disa analiza mbi rezultatin financiar për vitin 2019, sipas të cilave kompania ka humbur 64 milionë euro. “Kostoja e pashmangshme e mbulimit me energji importi të prodhimit të munguar, ashtu sikurse ekzekutimi i detyrimeve në zbatim të vendimeve të gjykatave, kanë sjellë përkeqësimin e rezultatit vjetor financiar të kompanisë, por nuk kanë cënuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në buxhetin e shtetit përmes tatim/taksave”, deklaroi sot OSHEE, në përgjigje të analizave publikuar në media.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mbyllur bilancin e treguesve kryesorë ekonomiko-financiar për vitin 2019, i konsideruar si më i vështiri sa i takon thatësirës së tejzgjatur, që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e kaskadës së Drinit dhe ato private.
Nga të dhënat e këtyre treguesve, OSHEE thekson se humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21,7% (kur objektivi i BB është 23%), ndërsa një vit më parë ato ishin 23,9%.
Arkëtimet, sipas OSHEE-së, pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik.
OSHEE shprehet se të ardhurat nga shitja e energjisë për vitin 2019 rezultojnë me një rritje prej 2%, ose në vlerë rreth 1.3 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nënvizon se ka paguar 8.1 miliardë lekë në buxhetin e shtetit përmes tatim/taksave. Brenda kësaj shume është edhe tatim fitimi për vitet e mëparshme në vlerën 3.3 miliardë lekë.
OSHEE thekson se ka likujduar në këtë vit 100% të faturave korente ndaj Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Postës Shqiptare. “Gjithashtu, është likujduar shuma prej 1.2 miliardë lekë si pagesë për detyrimet e vjetra të trashëguara ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare” bën të ditur OSHEE.
Në sajë të disiplinës financiare, OSHEE nënvizon se ka mundësuar edhe kryerjen e investimeve të domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes.
Përtej arritjes së këtyre objektivave, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të dalë për vitin 2019 me një rezultat financiar negativ prej 7.4 miliardë lekësh.
Kjo shifër, sipas OSHEE-së, reflekton pashmangshmërisht angazhimin e Operatorit të Shpërndarjes për garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji të konsumatorëve pavarësisht thatësirës; menaxhimin e situatës financiare pa rënduar mbi buxhetin e shtetit; mbajtjen e pandryshuar të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët final.
OSHEE thekson se gjatë 2019, shpenzimet për blerje energjie rezultuan 8.9 miliardë lekë më shumë se 2018. “Pamundësia e Korporatës Elektroenergjetike për të prodhuar energji nga Kaskada e Drinit, detyroi OSHEE-në që këtë sasi që do duhej ta blinte me 1,5 Lekë/kWh, ta siguronte nga importi me çmim mesatar prej 9,2 Lekë/kWh. Në këto kushte, fatura e OSHEE për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji për konsumatorët arriti për këtë vit në shifrën rekord prej 350 milionë eurosh”, sqaron OSHEE.
Po ashtu, OSHEE deklaron se “ndryshimi i kontratës së KESH me OSHEE gjatë vitit 2019 e rëndoi edhe më shumë pozitën financiare të kompanisë”. “Sipas kontratës së mëparshme, KESH kompensonte Operatorin e Shpërndarjes në rastet kur ishte në pamundësi për të kryer furnizimin me energji në sasinë e kontraktuar përmes kaskadës së Drinit. Me kontratën e ndryshuar, e gjithë barra financiare e garantimit të energjisë së munguar përballohet nga OSHEE pa kompensim prej KESH” sqaron OSHEE.
Po ashtu, OSHEE nënvizon edhe dy elementë të tjerë, që nuk kanë lidhje me aktivitetin ekonomik të vitit 2019, dhe që kanë shkaktuar rritje të zërit të shpenzimeve operative dhe rrjedhimisht dhe përkeqësimin e rezultatit financiar vjetor.
“Së pari, shpenzimi në shumën prej 2.3 miliardë lekësh që përbën një detyrim të trashëguar, i cili do paguhet nga OSHEE përgjatë 22 viteve. Vlera është kamatvonesë që KESH i kishte llogaritur Operatorit të Shpërndarjes për fatura të papaguara të energjisë që para vitit 2015 nga CEZ Shpërndarje. Ky pretendim i trashëguar ka qenë objekt i shqyrtimit nga gjykata. Arritja e një dakordësie me mirëkuptim mes KESH dhe OSHEE për këtë mosmarrëveshje ishte një kusht i vendosur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Moszgjidhja e këtij konflikti pengonte disbursimin e kredisë prej 218 milion eurosh që BERZH firmosi me KESH për ristrukturimin e portofolit të kredive afatshkurtra. Dy shoqëritë publike OSHEE dhe KESH u dakordësuan ta zgjidhin me mirëkuptim konfliktin dhe kjo shumë detyrimi reflektohet në rezultatin financiar të këtij viti në zërin e shpenzimeve”, sqaron OSHEE.
Së dyti, OSHEE thekson se janë 1.2 miliardë lekë shpenzime me të cilat është përballur në zbatim të vendimeve të marra nga gjykatat, të cilat kanë trajtuar padi të depozituara ndër vite ndaj kompanisë. “Në vlerësimin e OSHEE, një pjesë dërrmuese e këtyre vendimeve janë absurde, të pa mbështetura në ligj e madje kanë detyruar kompaninë të kryejë pagesat e menjëhershme pas vendimeve të shkallës së parë, pa pritur shqyrtimet e shkallëve të tjera gjyqësore të apelimit” bën të ditur njoftimi.
“Përkundër sa aludohet në artikujt e publikuar në disa medie, në zbatim të planit për menaxhimin e situatës së thatësirës së tejzgjatur, OSHEE ka mbajtur nën kontroll rigoroz të gjitha llojet e shpenzimeve të tjera operative përfshirë paga, shpërblime, karburant, kancelari, qira, një pjesë e të cilave vitet e fundit kanë ardhur duke u ulur në vlerë. OSHEE fton cilindo të interesuar të njihet me zërat e bilancit financiar, sikurse ka vepruar gjithnjë në kuadër të transparencës”, përfundon deklarata e OSHEE.

Leave a Reply

%d bloggers like this: