Home / Kronika / U largua më 1 janar nga Shqipëria, zbardhet urdhri i dëbimit për gylenistin Harun Çelik. Iu la ‘0 ditë’ afat për ankimim

U largua më 1 janar nga Shqipëria, zbardhet urdhri i dëbimit për gylenistin Harun Çelik. Iu la ‘0 ditë’ afat për ankimim

Tre javë nga largimi me dhunë nga Shqipëria, zbardhet urdhri i dëbimit për mësuesin turk Harun Çelik, i konsideruar mbështetës i Gylenit, kundërshtarit më të madh të presidentit të Turqisë Erdogan. Në urdhrin e dëbimit thuhet se Çelik nuk plotëson kushtet e nevojshme për qëndrim duke iu referuar nenit 109/A.

Po kështu nuk i është lënë asnjë ditë afat nga urdhri për largimin dhe saktësohet që dalja nga Shqipëria të bëhet nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Në fakt pika 2 e urdhrit të dëbimit bie ndesh me pikën 5, ku thuhet: “Kundër këtij urdhri mund të bëhet ankesë mbështetur në nenin 122 të ligjit nr.108/2013 ‘Për të huajt’”, pasi nuk ka pasur kohë që Çelik të ankimojë vendimin edhe pse sipas avokatit të tij ai nuk ka dashur të largohet pasi në Turqi i rrezikohej jeta.

Për një periudhë 5-vjeçare, pra deri në vitin 2025 Çelik nuk lejohet të hyjë në Republikën e Shqipërisë. 41-vjeçari është deportuar në Turqi pas vuajtjes së dënimit në Shqipëri për veprën penale përdorim i dokumenteve të falsifikuara.

Para disa muajsh ai ka tentuar të kalojë nga pika e kalimit kufitar të Rinasit me dokumente kanadeze. Për këtë veprim ai është dënuar me 5 muaj burg. Çelik, akuzohet nga autoritetet turke si pjesë e grupit të Fethullah Gylen dhe ndaj tij ka një proces penal në Turqi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: