Home / Ekonomia / Ekonomia shqiptare përballë vështirësive të mëdha. Flasin ekspertët

Ekonomia shqiptare përballë vështirësive të mëdha. Flasin ekspertët

Sivjet mbyllen dy projektet e mëdha investuese rrjeti i gazit TAP dhe kaskada e hidrocentraleve mbi lumin Devoll dhe nuk ka më investime të mëdha direkte me rëndësi në Shqipëri.

Studiuesi i njohur i ekonomisë shqiptare, dr. Adrian Civici, thotë se “ekonomia do të mbizotërohet nga beteja me varfërinë dhe tërmetin, ndërsa ritmet e rritjes pritet të bien më tej se parashikimet”.

Studiuesit mendojnë se ekonomia shqiptare nuk lë vend për optimizëm në ndonjë fushë, por disa elemente strukturorë janë për tu shqetësuar, si rritja ekonomike jocilësore dhe minimale e jogjithëpërfshirëse, pakësimin e importeve dhe eksporteve, pra thellimi i deficitit tregtar, ndërkohë që gjithçka do të ndikohet nga thellimi i krizës dhe varfërisë që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.

Ekonomia shqiptare, sipas tyre, është e vogël dhe e paqëndrueshme, dhe ajo ndikohet menjëherë nga ngjarje si përmbytjet dhe tërmetet, grindjet politike, apo qoftë edhe këmbimet e mallrave dhe valutave në tregjet botërore.

Ndërkohë, mungojnë investimet e huaja dhe punësimet e mëdha, konsumi në familjet shqiptare është në kufijtë e mbijetesës.

Eksperti i ekonomisë, dr. Selami Xhepa, thotë se “Shqipëria gjatë vitit 2020 duhet të shfrytëzojë më mirë burimet e saj të brendshme dhe të mos mbajë shpresa të mëdha tek donacionet si ndihmë për tërmetin apo projekte europiane zhvillimi”.

Sipas studiuesve të ekonomisë shqiptare është nevojë urgjente ristrukturimi i investimeve të huaja direkte, me kapitale më cilësore dhe duhet hequr dorë nga vetëkënaqësia e shifrave formale në letër, sepse ato janë larg realitetit.

Ata këmbëngulin se Shqipëria nuk duhet të mbështesë shpresat tek konferenca e donatorëve për tërmetin apo programe që mund të vijnë nga Bashkimi Europian, por duhet të vërë në lëvizje energjitë e brendshme, duke u bërë më konkurruese në rajon për të tërhequr investime të huaja.

Studiuesit theksuan se Banka Botërore dhe institucone të tjera financiare ndërkombëtare kanë parashikuar një ngadalësim të rritjes ekonomike për këtë vit, ndërsa pagesat për ndërtim banesash për të pastrehët nga tërmeti janë pjesë e zbutjes së varfërisë së thelluar por jo e zhvillimit ekonomik, ndërkohë që shtete fqinje kanë ecur shumë përpara sa i takon rritjes së konkurrueshmërisë, uljes së taksave për prodhuesit dhe subvencionimit në ekonomitë vendase.

Leave a Reply

%d bloggers like this: