Bota

SHBA: Senati gati për filimin e gjyqit për procesin e shkarkimit

Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane është votimi i programit të propozuar nga udhëheqësi Mitch McConnell për gjyqin.

Rezoluta e senatorit McConnell do t’u jepte ligjevënësve demokratë që do të jenë në rolin e prokurorëve si edhe ekipit ligjor të Presidentit Trump nga 24 orë gjatë dy ditëve të ardhshme për të paraqitur argumentat e tyre. Në projekt-rezolutë nuk thuhet nëse do të thirren dëshmitarë dhe nëse do të lejohet parqaitja e provave të reja.

Zoti McConnell dhe republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me shpalljen të pafajshëm të zotit Trump.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer tha të hënën në mbrëmje se një gjyq pa paraqitje provash, dëshmitarë ose dokumenta “nuk është aspak gjyq”.

“Kur lexon rezolutën e hartuar nga McConnell, është e qartë se ai është I vendosur që ta bëjë sa më të vështirë thirrjen e dëshmitarëve dhe paraqitjen e dokumentave dhe se synimi i tij është që gjyqi të bëhet me nxitim. Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm dhe serioz është një proces shkarkimi, rezoluta e Senatorit McConnell është një turp kombëtar”, tha senatori Schumer.

Avokatët e presidentit Trump po sulmojnë argumentat e procesit të shkarkimit ndaj tij duke i quajtur ato një “perversion të rrezikshëm të Kushtetutës”. Ata thanë se ai nuk bëri “absolutisht asgjë të keqe” kur i kërkoi Ukrainës të ndërmerrte hetime ndaj rivalit të tij, gjë që, sipas demokratëve, synonte ta ndihmonte presidentin për të përfituar politikisht.

Avokatët thanë se ligjvënësit demokratë që kërkojnë me ngulm shkarkimin e Presidentit, nuk synojnë të gjejnë të vërtetën rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë, por e bëjnë këtë në një farë mënyre për të skualifikuar zgjedhjen e zotit Trump në vitin 2016 dhe për të ndërhyrë në fushatën e tij për t’u rizgjedhur në garën e këtij viti.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy akuza ndaj zotit Trump. Sipas njërës prej tyre, ai abuzoi me postin e presidentit duke i bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy që të hetonte një nga rivalët kryesorë të Presidentit Trump për zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin, Joe Biden. Akuza e dytë është se ai pengoi hetimin e Kongresit.

Ligjvënësit demokratë kanë thënë se “dëshmitë provojnë në mënyrë dërrmuese” se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat e ngritura në procesin kundër tij.

Juristët e zotit Trump, në dosjen e tyre prej 110 faqesh, pohojnë se Presidenti Trump po zhvillonte normalisht politikë të jashtme në bisedat me presidentin Zelenskiy.

Ata thonë se ai nuk ka kryer asnjë krim, edhe pse shpallja fajtor dhe shkarkimi i një presidenti të SHBA nuk varet nga një shkelje specifike e një ligji penal. Përkundrazi, gjithçka varet nga ajo se si të 100 anëtarët e Senatit, duke luajtor rolin e jurisë, interpretojnë standardin e shpalljen fajtor siç përcaktohet në Kushtetutë, nëse një president ka kryer “krime të larta dhe shkelje”.

Pavarësisht nga argumentet ligjore pro dhe kundër zotit Trump, ai me siguri do të shpallet i pafajshëm nga Senati me shumicë republikane, ku për shkakrimin e tij do të duhet të votonin dy të tretat e senatorëve.

Në një rast të tillë, të paktën 20 nga të 53 republikanët e Senatit do të duhet t’u bashkoheshin të 47 demokratëve për ta shpallur fajtor Presidentin Trump. Deri tani, asnjë republikan nuk ka kërkuar shkarkimin e tij.

Shtëpia e Bardhë parashikon se Presidenti do të shpallet i pafajshëm brenda dy javësh, por gjyqi mund të zgjasë shumë më shumë se kaq, nëse demokratët arrijnë të bindin katër republikanë të bashkohen me ta në kërkesën për të ftuar në gjyq si dëshmitarë disa nga ish-ndihmësit kryesorë të presidentit Trump.

Demokratët duan të dëgjojnë dëshmi nga ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, shefi në detyrë i personelit së Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney dhe të tjerë lidhur me kërkesën e zotit Trump për të hetuar zotin Biden, punën e të birit të tij Hunter për një kompani ukrainase gazi dhe një teori konspirtacioni që është rrëzuar, sipas së cilës Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, në favor të demokratëve.

Veprimet e zotit Trump lidhur me Ukrainën përkuan me bllokimin e përkohshëm nga ana e tij të një ndihme ushtarake prej 391 milionë dollarësh që i duhej atij vendi për të luftuar separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button