Ekonomia

Çelet konkursi për Bashkinë e Re në Bulevardin e Ri. Ndërtesa aktuale do funksionojë si godina ceremoniale

Bashkia e Tiranës do të ketë një “shtëpi të re”. Godina e shërbimeve për qytetarët do të zhvendoset në Bulevardin e Ri të Tiranës, ndërsa ndërtesa aktuale do të funksionojë si godina ceremoniale. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj lajmëroi sot çeljen e garës për projekt-idenë e ndërtesës së re të bashkisë, e cila do të jetë me zero gjenerim karboni (carbon neutral) dhe e pavarur nga energjia e rrjetit (net-zero energy building). Veliaj tha se ndërtimi i kësaj godine në Bulevardin e Ri shënon edhe fillimin e zhvillimit të Tiranës në veri të saj.

“Ky është një qytet ku do bashkëjetojmë edhe me nostalgjinë, por edhe me ëndrrat dhe aspiratat për t’u bërë një qytet modern. Ndaj, jam shumë i lumtur sot që në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet shpallim një konkurs për një ndërtesë të re të Bashkisë së Tiranës, një ndërtesë administrative me rreth 1200 poste pune, e cila besoj do hedhë spirancën e zhvillimit në veri të qytetit”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se godina e vjetër do të ruhet dhe do të ketë një karakter ceremonial. “Për të gjithë ata që e kanë merak, ndërtesën e vjetër nuk do e humbim, ajo do të vijojë të jetë selia e kryetarit të Bashkisë. Është ndërtesa klasike dhe ndërtesa në zemër të qytetit, kilometri zero i Shqipërisë, nga ku fillojnë e maten të gjitha distancat. Duam të jemi të parët në Shqipëri, ndoshta edhe në rajon, me një ndërtesë që i ka emetimet zero, pra një ndërtesë 100% ekologjike, që do të vendosë një standard edhe për ndërtimet në të ardhmen”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj u shpreh se në këtë bulevard do të vendosen edhe shumë prej institucioneve të tjera shtetërore. “Kam parë disa emisione kohët e fundit, që me të drejtë thonë: ‘Nëse një hapësirë nuk përdoret, sado e bukur qoftë, vandalizohet’. Pra, momentalisht ky Bulevard i Ri, siç është sot, është xhiroja më e madhe dhe më e bukur në Tiranë, por nuk mjafton, se i bie që kemi prodhuar xhiron më të shtrenjtë në Ballkan. Nëse nuk mbushet me jetë dhe nëse biznesi nuk fillon të gravitojë këtej, atëherë nuk do kemi mundësinë as të paguajmë kredinë me të cilën është bërë ky bulevard. Ndaj plani është: Të fillojmë me konkursin e Bashkisë; tashmë kanë mbaruar PDV e Bulevardit, ka mbi 10-12 shprehje interesi për të zhvilluar pronat e tyre ketu. Sigurisht, Shqipëria dhe Tirana është vendi i gjobave të mëdha, këtu të gjithë duan nga 30 kate, por do marrin aq sa është plani. Kështu që, mund të bëjnë çfarë të duan me TV e tyre, por jo tek unë gjobë dhe jo gjobë te Bashkia e Tiranës sa të jem unë”, tha Veliaj.

Në përfundim të Bulevardit të Ri, Tirana do të ketë edhe një shesh të madh ceremonial modern për qytetarët. “Ajo që ndodh me këtë bulevard, tani që kemi mbaruar, jemi duke projektuar pjesën fundore, ku duam të kemi gjithashtu një shesh ceremonial, por modern. Pra, nëse kulmi është sheshi “Nënë Tereza”, një shesh klasik i ndërtuar nga arkitektët italianë me ndërtesat përreth, me të njëjtën logjikë të kemi një përfundim të bulevardit, tani modern, për të bërë një balancim mes modernes e klasikes. Vizioni për bulevardin është që duke nisur me Bashkinë do të mund të tërheqim dhe të magnetizojmë edhe interesat private”, deklaroi Veliaj.

Ai sqaroi se shumë shpejt do të hapet konkursi edhe për qendrat e reja të qytetit që do të shërbejnë si pole të zhvillimit, si Kombinati apo Kinostudio. Një vëmendje të veçantë do të ketë edhe ndërtimi i lagjeve të reja, ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti.

Duke u ndalur te çështja e Teatrit të Ri, kryebashkiaku dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për ndërtimin e një godine të re, duke krijuar kushte komode për të gjithë artdashësit. “Jam shumë i vendosur të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet te ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe qytetaret të rrethohen nga mbetjet e kashtës dhe shkrepëseve të Milanos fashiste”, tha Veliaj.

Ndërtesa e re e Bashkisë do të ndërtohet përgjatë zgjatimit të bulevardit “Zogu i Parë” dhe pritet që të zgjidhë përfundimisht unifikimin e administratës së Bashkisë së Tiranës në një ndërtesë të vetme, duke plotësuar kushtet dhe kërkesat e nevojshme të një ndërtese bashkëkohore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button