Home / Opinion / A do të bëhet Glauku hero i vërtetë i 450.000 qytetarëve që votuan për ndryshim?

A do të bëhet Glauku hero i vërtetë i 450.000 qytetarëve që votuan për ndryshim?

Po, po e kërkoj kokën e Glauk Konjufcës. Tashmë secila fjalë është e tepërt. Kompromisin e parë do ta bëjë ai subjekt politik, ose ai njeri, që e do ndryshimin, që e do PAN’in në opozitë, që e do Presidentin në pension. E unë jam i bindur që këtë e do më shumë VV’ja sesa LDK’ja, prandaj ata duhet ta bëjnë hapin e parë

Shkruan Berat BUZHALA

Nuk është shumë i vogël numri i tyre që do të dëshironin që të kolapsonin negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që ose të krijohej një qeveri tjetër pa VV’në, ose që vendi të shkonte në zgjedhje edhe njëherë, në mënyrë që letrat të përziheshin nga e para. Ata që në natën e 6 tetorit 2019 u pikëlluan me rezultatin që doli prej kutive të votimit, sot kanë filluar të marrin zemër. Çdo herë e më shumë po i dëgjojmë të përsëritura frazat se “Albin Kurti po frikësohet që ta bëjë qeverinë, prandaj po i tensionon raportet me LDK’në”, dhe frazën tjetër “Albin Kurti nuk di të punojë me partnerë”. Nisur prej asaj çfarë kam parë dhe çfarë kam dëgjuar deri më sot, unë të dyja këto konstatime mund t’i shpall të kota dhe të pabazuara. Me përjashtim të videomesazheve të tij “urbi et orbi”, të cilat edhe mund të evitoheshin, çdo gjë tjetër, çdo ofertë tjetër e bërë nga ai për LDK’në ka qenë hëm valide, e hëm e pranueshme. Nuk kam parë e as nuk kam lexuar brenda këtyre ofertave ndonjë tendencë të Kurtit për ofendim, e as për absolutizëm, siç mundohen ta interpretojnë një pjesë e LDK’së, që për hir të vërtetës gjatë kohës që bisedojnë me Kurtin, kokën e mbajnë të kthyer nga forcat e PAN’it. Për këtë kategori, koalicioni me pan’istët do të ishte edhe më i lehtë, edhe më i fitimshëm. Kur je në partneritet me PAN’in, filtrat e kontrollit dhe llogaridhënies janë shumë më të dobët, se sa filtrat e Termocentralit Kosova A. Në ata filtra mund të përbirohet çdo gjë, që nga terminalët e deri te kontratat qesharake për ndërtime autostradash. Sigurisht që nuk mendojnë ngjashëm, e as nuk mendojnë kështu e gjithë LDK’ja, as e gjithë kryesia e LDK’së, e as i gjithë Këshilli Drejtues i kësaj partie.

Sido që të jetë, në këtë situatë, identifikimi i fajtorit nuk e zgjidhë problemin. Përkundrazi, ekziston rreziku që vetëm sa e komplikon edhe më shumë atë. Kështu që, kushdo që e ka ndërmend t’i japë një rrugë problemit, duhet të fokusohet më pak te gjetja e fajtorit, e më shumë te gjetja e zgjidhjes. Tashmë ne e dimë që të dyja palët i kanë thënë fjalët e tyre të fundit, dhe janë ngujuar në kalatë e tyre, duke shpresuar që tjetri do ta ngre i pari flamurin e bardhë. VV’ja e do Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe pesë ministri. LDK’ja i do pesë ministri, Kryetarin e Kuvendit për një vit, dhe Presidentin. Në bindjen time për VV’në, oferta e LDK’së është më e mirë se sa ajo e tyre. Gjithashtu, në bindjen time, për LDK’në oferta e VV’së është më e mirë sesa ajo e tyre. Mirëpo, problemi është që tash VV’ja dhe LDK’ja nuk po komunikojnë më me njëra tjetrën, por me militantët e tyre. Lëshimi pe, ose dëshira për kompromis, tek militantët interpretohet si kapitullim. Prandaj, sipas tyre, nuk është me rëndësi se çfarë është mirë për partinë, e as çfarë është mirë për vendin, por kush po dorëzohet.

Pas kaq kohësh që nga mbajtja e zgjedhjeve, duhet pranuar që gjendja në LDK është shumë më e komplikuar se sa në VV. Te partia e vjetër, thyerjet janë shumë më të thella, dhe shumë më serioze. Aty tashmë qartazi janë të ndara dy grupe të forta partiake, njëri që është në favor të marrëveshjes me VV’në, duke bërë nëse është nevoja edhe ndonjë kompromis taktik dhe formal, kurse grupi tjetër që të mos lëshohet pe asnjë milimetër, por nëse është nevoja të shkohet ose në zgjedhje, ose në marrëveshje me PAN’in. Pastaj, janë edhe disa të tjerë që janë neutralë, ose të pa zë, ose që presin cili grup po fiton. Nuk është sekret të thuhet që në njërën anë e kemi kandidaten e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, kurse në grupin tjetër e kemi Agim Veliun. Kryetari Isa Mustafa për momentin duket i ulur në muri, duke mos e pasur ende shumë të qartë se në cilën anë të hidhet. Në anën e Vjosës, ka më pak burokratë e më shumë votues, kurse në anën e Agimit ka më shumë anëtarë të kryesisë, më shumë ish-ministra dhe ish-deputetë, e shumë më pak votues. Prandaj, z. Mustafa është i bindur që pa marrë parasysh se në cilën anë të murit do të hidhet, fraksioni tjetër do t’i shkaktojë telashe. Për të, mënyra e vetme për ta tejkaluar këtë problem pa pasoja të mëdha është që VV’ja ta pranojë ofertën e LDK’së.

Në VV, situata është shumë më e qetë. Besnikëria ndaj Albinit është me karakter religjioz. I madh e i vogël në VV është i bindur që çfarëdo vendimi që do të marrë lideri i tyre, është vendimi i duhur dhe vendim i drejtë, qoftë ai edhe i dhimbshëm. Nuk po them që në VV nuk ka edhe mendime të ndryshme. Duke qenë njerëz, e duke qenë para së gjithash edhe shqiptarë, as strukturat e VV’së nuk është që janë imune ndaj ambicieve personale ose ndaj inateve tribale, të llojit “LDK është më e poshtër se PDK, por nuk po guxojmë ta themi publikisht”. Ka aty sa të duash mendje të tilla. Mirëpo, gravitacioni i Albinit është shumë i fuqishëm dhe vendimet e tij janë më të pacenueshme.

Prandaj, në këto rrethana, para që të japim çfarëdo këshille për të kapërcyer status quo’në, duhet ta kemi parasysh pasazhin e plotë. Ndoshta, e fundit për nga rëndësia është që “kush ka të drejtë aktualisht?”. Është shumë subjektive për të arritur në përfundim se kush paska të drejtë. Kjo varet shumë nga perspektiva e fisit politik. Me fjalë të tjera, pas tre muajsh biseda dhe përpjekje, tash të gjithë kanë të drejtë. Palët, gjatë kësaj rruge, i kanë ndërtuar argumentet dhe kundërargumentet për njëra tjetrën. Ky publikoi videon. Ky nuk u përgjigj në letrën tonë. Nënkryetari i tyre tha kështu. Këta na vunë para aktit të kryer me Glaukun. Nuk zgjidhet kështu problemi. Tash jemi në fazën “fjala ime kundër fjalës tënde”.

Meqë puna ka ardhur deri këtu, atëherë hapin e parë, ose koncesionin e parë, duhet ta bëjë ai që e do më shumë PAN’in në opozitë dhe Presidentin në pension. Po supozoj që një gjë të tillë më së shumti e dëshiron VV’ja, e cila ka treguar konsistencë në këtë rrafsh. Nuk ka qeverisur kurrë me PDK’në, nuk e ka votuar Hashim Thaçin për President, ka luftuar me çfarëdo mjetesh që ka pasur kundër këtij mentaliteti politik. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për LDK’në. Kjo parti fjalët dhe veprat nuk i ka asnjëherë në të njëjtin vend. Prandaj nëse VV dëshiron t’i hakmerret Agim Veliut, ose grupit që e mbështetë atë, nëse VV dëshiron që ta divorcojë LDK’në prej të kaluarës së saj, nëse dëshiron që ta shkap LDK’në dhe Kosovën prej PDK’së, atëherë duhet edhe të lëshojë pe e para. Nuk ka lidhje që për disa orë, ose për disa ditë, dikush në LDK do ta shpallë fitoren. Nuk ka lidhje as nëse pan’istët do të tallen me VV’në, duke e konsideruar kompromisin si gjunjëzim. Për VV’në dhe për të ardhmen e Kosovës nuk do të duhej të ishte e rëndësishme se kush është Kryetar i Kuvendit.

Ah, po, më në fund erdha tek tema për të cilën edhe e fillova këtë shkrim. Pozita e Kryetarit të Kuvendit. Unë nuk besoj që brenda mureve të Kuvendit të Kosovës është dikush më kompetent se sa Glauk Konjufca për ta drejtuar këtë institucion. Për Glaukun kjo është hera e katërt që zgjidhet deputet. Shumicën e herëve ka qenë shef i Grupit Parlamentar në partinë e tij e edhe nënkryetar i Kuvendit, gjë që e bën atë jashtëzakonisht të denjë për ta drejtuar këtë institucion. Si deputet, ani pse në radhët e një partie mjaft radikale, Glauku ka qenë nga të rrallët që arrinte të përmbahej dhe të komunikonte edhe më rivalët më të egër. Glauk Konjufca është një politikan i ditur, i kulturuar, me humor, i gatshëm për kompromis atje ku ka vend për kompromis. Ai do të mund të ishte person i duhur edhe për pozitën e Kryetarit të shtetit, e lërë më për atë të Kryetarit të Kuvendit që parimisht ka pak ose aspak peshë më të madhe se sa pesha e një deputeti. Tek e fundit vetëm një votë e ka në dispozicion. Dëshiroj të them që nuk mund ta gjesh qoftë edhe një person në Kosovë, që ka njohuri mesatare për skenën politike, që do të mund të thoshte se Glauku nuk është njeriu i duhur për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo në zgjedhjet e 6 tetorit prioriteti kryesor ka qenë se kush do të jetë Kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Nuk do të ishte fundi i botës nëse përveç Kryeministrit do ta kishim edhe kryetarin e Kuvendit një person të kualifikuar, mirëpo do të ishte fundi i botës nëse për shkak të pozitës së kryetarit të Kuvendit do ta sakrifikonim edhe pozitën e Kryeministrit të Kosovës. Po besoj që tashmë është mjaftueshëm e kuptueshme se cfarë po kërkoj? Po e kërkoj kokën e Glaukut, e cila, për hir të vërtetës, është më e pafajshmja në gjithë këtë xhungël politike. Mirëpo ja që fatkeqësisht më duhet që ta citoj vetë Glaukun, në një intervistë që ai e kishte dhënë në emisionin Pressing, gjatë fushatës zgjedhore.

“Vjosa Osmani është ideale për pozitën e kryetares së Kuvendit. Ajo do të ishte aty për të na korrigjuar…”, kishte thënë ai, në mes të tjerash, në atë intervistë. Ka kaluar shumë ujë nën urë që prej asaj kohe. Kanë ndryshuar shumë rrethana dhe kanë dalë shumë probleme të tjera. Mirëpo vetëm një gjë nuk ka ndryshuar: nevoja e Kosovës për të pasur një qeveri LVV – LDK. Kjo nevojë është shumë më emergjente dhe shumë më e madhe se sa lufta e pakuptimtë për një pozitë të Kryetarit të Kuvendit. Këtë e di edhe Glauku, e di edhe Albini. Pastaj, konstatimi i Glaukut se Vjosa është ideale për pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës gjithashtu i ka rezistuar kohës. Shto këtu faktin që tash një mundësi e tillë e shpëton Kosovën prej një kaosi total.

Prandaj, Glauku, me një akt të dorëheqjes së tij, do të ishte fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të 6 tetorit. Ai do të tregonte me vepër konkrete se interesi shoqëror është përpara interesit personal ose partiak. Me fjalë të tjera Glauku do të ishte hero i rreth gjysmë milioni votuesish për ndryshim.

Leave a Reply

%d bloggers like this: