Kronika

Mbyllje të reformës zgjedhore brenda 15 marsit/Këshilli Politik miraton metodologjinë dhe prioritetet

Ekspertët e Këshillit Politik ku bëjnë pjesë drejtuesit e komisionit të Reformës Zgjedhore, përfaqësues të opozitës dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend zhvilluan sot takimin e radhës, ku miratuan metodologjinë dhe kalendarin e punës.

Të pranishëm në këtë takim ishin bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Petrit Vasili (LSI) dhe Oerd Bylykbashi (PD), si dhe ekspertë të tjerë të Këshillit Politik.

Ata theksuan angazhimin që Reforma Zgjedhore të mbyllet brenda datës 15 mars 2020.

“Koha e shkurtër bën të domosdoshme që çështjet për debat të vendosen në rend prioritar me afate të qarta. Për këtë shërbejnë rekomandimet e ODIHR-it”, vlerësuan ekspertët e Këshillit Politik.

Ata përcaktuan kalendarin e temave që duhen trajtuar nga grupi i katër përfaqësuesve politikë dhe ekspertët, sipas autorizimit nga Këshilli Politik.

Parakusht që këto masa të jenë efikase, është krijimi i një fushe loje të barabartë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimit të “ndarjes së shtetit nga partitë politike” në përputhje me angazhimin e OSBE-së të parashikuar nga paragrafi 5.4 i Dokumentit të Kopenhagenit.

Në mënyrë që reforma të konsiderohet si e suksesshme nga ODIHR, ajo duhet që të trajtojë sa më gjerësisht rekomandimet e ODIHR.

Tryeza e parë gjithëpërfshirëse mes palëve u zhvillua në 14 janar, ku u vendos formimi i Këshillit Politik dhe u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore.

Gjiknuri: Presim propozimet e PD-së

“Ne presim propozimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe jemi këtu të gjejmë konsensus për gjërat që janë të mundshme, të pranueshme dhe që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, deklaroi sot bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së Këshillit Politik, Gjiknuri u shpreh se data 15 mars është afat ambicioz, por mendoj se nëse ka vullnet, deri në 15 mars ne mund t’i kemi zgjidhur problemet kryesore për të cilat palët tani mund të duken të ndara.

“Praktikisht janë të gjitha çështje që janë objekt i punës së komisionit të Reformës Zgjedhore duke filluar nga përmirësimi i administratës zgjedhore, financimi i fushatës zgjedhore, çështjet që kanë të bëjnë me kuotat gjinore me parandalimin e krimeve zgjedhore, përmirësimin e aspektit të llogaridhënies të administratës shtetërore në fushata zgjedhore”, tha ai.

Gjiknuri tha se, “praktikisht janë të gjithë çështjet, përfshirë pse jo edhe disa shqetësime të ngritura nga opozita, një pjesë e të cilave janë pjesë e raporteve të ODIHR-it”.

“Ne ia kemi bërë të qartë opozitës, u diskutua edhe në grupin e punës që për këto çështje që ata i mendojnë shumë specifike le të vijnë me propozimet e tyre. Nëse opozita ka pretendime për forcim të legjislacionit penal, nëse ka çështje të tjera të aspektit organizativ apo propozon skema që do të jenë më efikase për të parandaluar shkeljet zgjedhore, le të vijnë me propozime konkrete dhe ne do t’i shqyrtojmë. Grupi i punës do t’i shqyrtojë, nëse janë edhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it natyrshëm do të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor”, siguroi Gjiknuri.

Ai theksoi se në takimin e sotëm “u vendosën afate konkrete”. “Ideja është që brenda 15 marsit kjo punë të përfundojë, duke filluar nga gjërat që janë më të thjeshta për t’u arritur dhe që është bërë një punë e mirë edhe nga komisioni i mëparshëm, draftet teknike të përgatitura, në mënyrë që ne pjesë pjesë të miratojmë ato dhe t’i dërgojmë për opinion paraprak tek ODIHR-i”, tha ai.

Gjiknuri tha se “sot ishte një takim për të dakordësuar axhendën e punës dhe afatet, të gjitha temat të cilat janë pjesë e punës së reformës zgjedhore”. “U saktësuan me afate përkatëse dhe opozita mori përsipër për një pjesë të temave të sjellë propozimet e saj, sepse siç edhe kanë deklaruar publikisht, kanë përgatitur drafte, kanë përgatitur propozime dhe ne jemi këtu të gjejmë konsensus për gjërat që janë të mundshme, të pranueshme dhe që janë në përputhje e standardet ndërkombëtare”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button