Ekonomia

Denaj në Këshillin e Investimeve/ Transferta e pakushtëzuar e shpërndarë në vitin 2019, 42% më e lartë se në vitin 2015

Këshilli i Investimeve zhvilloi sot në Tiranë, mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, me temë diskutimi “Ndërveprimi biznes-bashki mbi transparencën, shërbimet dhe zhvillimin ekonomik të qyteteve”.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes,  Eduard Shalsi dhe përfaqësues nga njësi vendore në vend dhe komuniteti i biznesit.

Në hapje të Mbledhjes së Këshillit të Investimeve, ministrja Denaj e vlerësoi takimin si një mundësi shumë të mirë për të reflektuar mbi situatën aktuale, shqyrtimin e mundësive të përmirësimit të klimës së biznesit dhe për të propozuar masa të nevojshme, në përputhje me politikat afatmesme qendrore dhe vendore.

Ministrja theksoi nevojën e rritjes së komunikimit dhe bashkëpunimit mes bashkive dhe biznesit, në funksion të rritjes së transparencës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Gjatë fjalës së saj, Denaj vuri në dukje progresin e shënuar nga zbatimi i reformës administrative-territoriale të nisur në vitin 2014, një ndër objektivat e së cilës është forcimi i financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe rritja e autonomisë fiskale.

Në kuadër të reformës së decentralizimit fiskal janë ndërmarrë një sërë masash, si miratimi i ligjit të ri mbi financat e vetëqeverisjes vendore, i cili forcoi rregullat e buxhetimit dhe disiplinës fiskale në nivel vendor.

Rezultatet pozitive të reformës lidhen me mbledhjen e të ardhurave, ku të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 29.1% të burimeve financiare totale, gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, transferta e pakushtëzuar e shpërndarë në vitin 2019 është 42%  më e lartë se në vitin 2015 para miratimit të ligjit dhe rreth 38% më e lartë se niveli historik i saj.

Në vijim, ministrja Denaj kërkoi angazhimin e shtuar të bashkive sa i përket reformës së Kadastrës Fiskale. “Nëpërmjet këtij takimi, gjej me vend të ribëj një ftesë për të gjithë kryebashkiakët, që të përqendrojnë kapacitetet e tyre njerëzore në drejtim të verifikimit të pasurive dhe bashkëpunimit me Kadastrën Fiskale, mbi bazën e së cilës zbatohet një sistem i drejtë i taksimit mbi pronën”, u shpreh Denaj.

Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë takim u përqendruan në çështje të lidhura me miradministrimin fiskal në nivel vendor, taksat dhe tarifat vendore, shërbimet e marra dhe rolin e bashkive në zhvillimin ekonomik lokal.

Në mbështetje të temës së trajtuar në këtë Mbledhje, Këshilli i Investimeve ka realizuar në vitin 2019 një anketim në të gjithë Shqipërinë për bashkëveprimin  e sipërmarrësve me pushtetin vendor. Sipas madhësisë, 64% e të anketuarve ishin biznese me xhiro me 8 milion lekë, 25% biznese me xhiro 5-8 milionë lekë dhe pjesa tjetër ishin biznese me xhiro deri në 5 milion lekë.

Anketimi dhe analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ka vënë në dukje nevojën për një bashkëveprim të shtuar mes aktorëve dhe ka identifikuar instrumentet kryesore të pushtetit vendor për nxitjen e biznesit dhe ndërveprimit.

Sa i përket shqetësimeve të biznesit, Ministrja tha se në fokus të tyre janë: pritshmëritë për shërbime cilësore në raport me kontributin e sipërmarrjeve në buxhetet vendore dhe pritshmëritë që bashkitë të kenë një rol më proaktiv në zbatimin e projekteve konkrete të zhvillimit ekonomik.

Denaj përmendi faktin se në disa bashki, MFE ka shpallur projekte të zhvillimit të zonave ekonomike, për të cilat janë krijuar paketa për tërheqjen e investitorëve dhe që janë mundësi shumë të mirë për bizneset.

“Përtej kontekstit fiskal, shumë i rëndësishëm mbetet dhe zhvillimi ekonomik. Është shumë e rëndësishme të shikojmë se si zhvillimi ekonomik jo vetëm është në fokus të qeverisë qendrore, por edhe asaj vendore dhe ku ekzistenca e disa masave në pushtetin vendor do të kthejë në mënyrë të menjëhershme vëmendjen e bizneseve drejt TEDA-ve, zhvillimeve të cilat së fundmi janë kthyer si një paketë për tërheqjen e investitorëve të huaj, jo vetëm në rajonin e Tiranës, por edhe në rajonet e tjera”, tha Denaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button