Home / Ekonomia / Intervista/Irena Georgieva/Bullgari-Shqipëri: Interesimi turistik midis dy vendeve tona është në rritje

Intervista/Irena Georgieva/Bullgari-Shqipëri: Interesimi turistik midis dy vendeve tona është në rritje

Intervistë znj.Irena Georgieva, zëvendës ministre e Turizmit të Bullgarisë 

Ju keni përvojë të pasur në fushën e turizmit dhe jeni ndër specialistet më të njohura ndërkombëtarisht në këtë fushë-çfarë janë tendencat më aktuale botërore në zhvillimin e këtij sektori dhe si ne, vendet ballkanike mund të përfitojmë prej tyre?

Turizmi është një prej sektorëve më të rëndësishëm dhe ka një rol të rëndësishëm integrues ndaj sektorëve të tjerë të ekonomisë. Për shembull, një prej degëve më të rëndësishme që inkurajojnë udhëtimet dhe realizimin e veprimtarëve të tjera në fushën e turizmit është transporti. Kontribut për cilësinë shërbimeve në sektorin kanë edhe arsimi, shëndetësia, bujqësia, efikasiteti energjetik, çështje të sigurisë dhe shumë të tjera. Ndër prioritetet kryesore për sa i përket realizimit të politikave të ekonomisë blu është ruajtja e burimeve të mjedisit. Turizmi është në varësi direkte nga proceset, perspektivat dhe sfidat para ekonomisë blu.

Tendencat aktuale, që kushtëzojnë zhvillimin e tij janë lidhur gjithnjë e më shumë me depërtimin më aktiv të produkteve të digjitalizimit në jetën tonë të përditshme dhe në realizimin e biznesit. Sipas të dhënave të Ministrisë së ekonomisë industria digjitale bullgare çdo vit shënon rritje me 25%. Përdorimi i platformave për udhëtime, akomodime dhe shërbime të tjera të përbashkëta po kështu është një mënyrë e mirë për bërjen e turizmit modern.

Tërheqja e investimeve në industri të lidhura me turizmin si përdorimi i teknologjive informative dhe burimet e jashtme, ndërtimi i infrastrukturës moderne, ndërtimi i infrastrukturës bashkëkohore, që shprehet në më shumë hotele cilësore dhe luksi me pesë yje janë  mënyrat më të mira që t’i përdorim përparësitë e veta në sektorin e turizmit. Kemi potencial të madh për rritje dhe duam t’i zhvillojmë më shumë llojet e turizmit si ai kulturor historik, balnear dhe SPA, turizmi kulinar dhe ai i verës, ai ekologjik, turizmi për golf dhe shumë të tjera.  Kjo do të na jap arsye që përcaktojmë itinerare turistike në Bullgari me mundësi për udhëtim dhe dëfrim gjatë katër stinëve të vitit.

Përgatitëm itinerare tematike për shumë prej llojeve të turizmit që i përmendëm-7 itinerare për turizëm balnear dhe SPA, 8 itinerare kulturore-historike dhe 12 itinerare kulinare dhe të degustimit të verës. Aktualisht po punojmë për krijimin e 10 itinerareve fetare dhe të pelegrinazhit. Ne duhet të jemi gati t’iu përgjigjemi sfidave të mëdha globale si falimentimi i operatorit më të madh turistik Tomas Kuk. Në ministrinë e turizmit përpiqemi të aplikojmë mënyrë proaktive komunikimi me të gjitha palët e prekura, që t’i zgjidhim me kohë problemet.

Çfarë janë mundësitë për bashkëpunim midis Bullgarisë dhe Shqipërisë në fushën e turizmit?

Punojmë jashtëzakonisht mirë me destinacionin Shqipëri, para pak kohe dy vendet tona shënuan 105 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Zhvillimi i lidhjeve të dyanshme në këtë sektor dhe rritja e numrit të udhëtimeve në drejtim të të dy vendeve janë faktorë për mirëqenën dhe prosperitetin e dy popujve tanë. Bullgaria gjithnjë ka shprehur mbështetjen e saj kategorike për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria është pjesë e Ballkanit Perëndimor, ndërlidhja dhe perspektiva evropiane e të cilit ishte ndër prioritetet kryesore të kryesisë bullgare të Këshillit të BE-së. Dua ta shpreh mirënjohjen time të thellë për angazhimin e autoriteteve shqiptare të turizmit që tradicionalisht marrin pjesë në aktivitetet e rëndësishme që organizohet nga Ministria bullgare e turizmit. Shqipëria ishte ndër vendet që ishin përfaqësuar në nivel më të lartë në takimin jo formal të Ministrave të turizmit të vendeve anëtare të BE-së dhe të atyre nga Ballkani Perëndimor gjatë shkurtit të vitit 2018 në Sofje.

Është lajm i shkëlqyeshëm që Shqipëria bëhet gjithnjë e më tërheqëse për turistët bullgarë, që shijojnë objektet e trashëgimisë së saj të pasur kulturore, kushtet e mrekullueshme për turizëm detar, kulinar dhe malor. Në bazë vjetore është 60 % numri i turistëve bullgarë në Shqipëri. Ne jemi parterë të mirë në shumë formate të bashkëpunimit në fushën e turizmit si për shembull në kuadrin e Organizatës së bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Detit të Zi.  Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe në kuadrin e Organizatës botërore të turizmit ku Shqipëria ishte një nga nënpresidentët e Asamblesë së fundit të përgjithshme në Sankt Peterburg gjatë shtatorit të vitit 2019. Para pak kohe Ministria jonë mbështeti forumin e organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Sofje FeelAlbaniа, me pjesëmarrjen e kompanive të operatorëve turistikë nga të dyja vendet. Bullgaria dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri historike, kulturore dhe të tjera që duhet t’i shfrytëzojmë në mënyrë efektive.

Çfarë itinerare të përbashkëta turistike të vendeve të Ballkanit mund t’i tërheqin turistët nga tregjet e largëta?

Tërheqja e turisteve nga tregjet e largëta është një mundësi që duhet të shfrytëzojmë në mënyrë efektive, por për këtë qëllim duhet të kemi gatishmëri për ndërtimin e komponentëve të infrastrukturës të bazës së akomodimit dhe të sigurimit të kuadrove. Ne shohim me shumë optimizëm tregjet e largëta si Kina, India, Koreja e Jugut, Japonia, SHBA, Kanada e të tjera, sepse ata kanë provuar se interesohen shumë nga  monumentet kulturore në vendet tona.

Për shembull, gjatë vitit të fundit në Bullgari vihet re një rritje me 23 % të turistëve nga India-ata tashmë janë afro 15 000, dhe rritje me 4% të turistëve nga Kina (numri i të cilëve është 27 000). Edhe pse numri i tyre është relativisht i ulët, por përmirësimi i ndërlidhjes së transportit, afërsia e Bullgarisë me një prej nyejve më të rëndësishme të transportit si Stambolli dhe edhe faktorë të tjerë mund të kenë ndikim pozitiv.

Kemi itinerare që janë ndërtuar mbi bazën e ngjashmërive historike dhe kulturore të vendeve të rajonit tonë. Detyra jonë e rëndësishme është në plan afatshkurtër të realizojmë integrimin e tyre dhe për këtë do të na ndihmojë anëtarësia jonë në formate për bashkëpunim si Organizatae bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Detit të Zi.

Për shembull ekzistojnë mundësi në kuadrin e trashëgimisë trake të shteteve ballkanike- brenda kufijve të shtetit tonë kemi numër të madh objektesh, artefakte dhe monumente nga kjo periudhë. Në Ministrinë e turizmit ne përgatitëm internatin “Lugina e trëndafilave dhe të mbretërve trakë”, i cili ka perspektiva shumë të mira për integrim me vendet fqinje, mbi bazën e trashëgimisë trake.  Itineraret “Magjja e Rodopave Lindore”, “Kalatë bregdetare të Bullgarisë“, “Struma“, “Kryeqytetet e mbretërve dhe patrikëve bullgarë” përfshijnë rajone kufitare të Bullgarisë, që kanë potencial të integrohen me vendet fqinje dhe të ofrohet një produkt i përbashkët turistik me perspektivë.

Aktualisht në Shqipëri gjithnjë më popullore bëhen turizmi ekologjik dhe ai agrar. Në Bullgari këto lloje turizmi janë të zhvilluara mirë. Çfarë mund të na tregoni nga përvoja Juaj?

Turizmi ekologjik është një sektor relativisht i ri, por me zhvillim të vrullshëm në industrinë turistike. Në kontekstin e ndryshmeve globale të klimës dhe të rritjes së ndikimit negativ të veprimtarisë njerëzore mbi mjedisin, turizmi ekologjik është me potencial të madh zhvillimi. Thelbi i tij është udhëtim drejt vendeve (territore, zona dhe rajone) ku është ruajtur mjedisi dhe banorët vendas jetojnë në paqe me natyrën dhe është baza e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Bullgaria ka potencial jashtëzakonisht të mirë për zhvillimin e turizmit ekologjik. Në vendin tonë ka mbi 100 territore dhe objekte të mbrojtura ndër të cilët 55 rezervate, 344 kuriozitete natyrore. 564 vende të mbrojtura, 3 parqe kombëtare dhe 11 natyrore. 17 nga rezervatet e vendit janë shpallur biosfera në kuadrin e programit të UNESKO-s “Njeriu dhe biosfera”, ndërsa dy nga objektet natyrore-Parku kombëtar “Pirin” dhe rezervati “Srebërna”, janë përfshirë në listën e UNESKO-s të Trashëgimisë botërore të natyrës. Shtigjet e markuara në malet janë me gjatësi të përgjithshme më shumë se 37 000 kilometra. Përmes territorit të vendit tonë kalojnë edhe disa itinerare ndërkombëtare turistike. Kom, Emine (traseja e tij përputhjet me pjesën finale të itinerarit evropian turistik E-3; Itinerari evropian turistik E-4 (Vitosha-Verila-Rila-Pirin); Itinerari evropian turistik Е-8 (Rila- Rodope). Vendi ynë ofron kushte të mrekullueshme për çiklizëm malor, hipizëm, safari me furostradë, ngjitje malore me guidë, marshime malore  me vështirësi të ndryshme, rafting, kajaking, ndërsa Deti i zi ofron kushte të mrekullueshme për dashamirësitë e arkeologjisë nënujore dhe të zhytjes.

Bashkëpunimi me komunitetet vendase janë kusht i rëndësishëm për pasurimin e shërbimeve turistike në rajone të ndryshme të vendit. Në mbështetje të turizmit ekologjik janë edhe veprimtaritë e shumta shkencore në territoret e mbrojtura si edhe realizimi i  programeve dhe projekteve afatgjata për ruajtje e natyrës dhe llojeve të rralla biologjike me qëllim zhvillimin e rrjetit të territoreve  të mbrojtura.

Turizmi rural po kështu është një fushë me perspektiv në industrinë turistike të Bullgarisë. Qëllimi i tij është të angazhohet popullsia në fshatrat me biznes suplementar, i cili nuk do ta shkëput nga veprimtaria e tyre e zakonshme – bujqësia dhe blegtoria. Turizmi rural ofron mundësi të mira për rritje të të ardhurave të banorëve të fshatrave. Mund të krijohen edhe kushte për mos largimin e rinisë nga fshatrat. Shumë fshatra bullgare ofrojnë kushte të mrekullueshme për turizëm duke gërshetuar natyrën e bukur, klimë të mrekullueshme dhe atmosferë  autentike fshatare, që kërkohet shumë nga turistët e huaj.

Bullgaria është një shtet me histori dhe natyrë të pasur, cilat janë objektet turistike që mund t’u rekomandoni turistëve shqiptarë?

Gjatë viteve të fundit marrëdhëniet bullgaro-shqiptare në fushën e turizmit zhvillohen në mënyrë dinamike: gjatë vitit 2018 kemi pritur 44 407 turistë shqiptarë, që shënon rritje me 10% në krahasim me vitin 2017, ndërsa gjatë 10 muajve të parë të vitit 2019 ka një rënie prej 4,3%, por udhëtimet e shtetasve bullgarë gjatë kësaj  periudhe janë rritur në mënyrë të konsiderueshme 15 808, që është një rritje me  37,5%.

Kjo tregon se interesi është i dyanshëm.

Mbi bazën  e asaj që u tha, do t’u rekomandoja turistëve shqiptarë para se gjithësh objektet  të trashëgimisë kulturore-historike për dy arsyeje: e para lidhet me të vërtetën se bashkëpunimi midis trashëgimisë kulturore dhe turizmit është një prej mjeteve kryesore për shkëmbim kulturor midis njerëzve dhe jep mundësi të njihemi me traditat dhe zakonet e kulturave të afërta dhe të largëta, ndërsa e dyta lidhet me ngjashmëritë historike dhe kulturore midis dy popujve tanë..

Monumentet e ruajtura të kulturës trake nëpër trojet tona tradicionalisht tërheqin vëmendjet e të gjithë atyre që kanë vizituar vendin tonë dhe jam e bindur se do të jenë interesante edhe për turistët shqiptarë. Varreza e Kazanlëkut është një prej kryeveprave të trashëgimisë trake dhe antike. Në vitin 1979 ajo është shpallur monument me rëndësi botërore nën kujdesin e UNESKO-s.

Varreza është pjesë e “Luginës së mbretërve trakë“, një vend magjik, i cili  çdo vit gjatë qershorit  gërsheton mundësinë që njeriu të njihet me traditën unikale të vjeljes së luleve të trëndafilit javor me shansin të njohjes  me një prej kulturave të lashta  të trakëve. Nuk mund të mos përmend Manastirin e Rilës, simbol i vendit tonë, që është përfshirë në  trashëgimisë botërore të UNESKO-s, Plovdivin antik, komplekset etnografike në shumë prej qyteteve bullgare, që ruajnë me devotshmëri të kaluarën kulturore.

Vështirë mund t’i përmend të gjitha objektet kulturore dhe historike, që mund të tërheqin interesin e turistëve shqiptarë, por do t’iu rekomandoja të shohin 8 itineraret kulturorehistorike, që janë krijuar nga ministria jonë dhe bashkojnë 150 objekte nga 70 vendbanime.  Kartat e tyre interaktive në internet https://www.bulgariatravel.org/en dhe për secilin objekt ka informacion të pasur.  Është tendencë botërore që turistët gjithnjë e më shumë duan të përjetojnë çaste emocionale duke u njohur me shijen, aromën, gjellën, të njihen me traditat folklorike  dhe të njihen me kuzhinën karakteristike për rajonin.

Për miqtë tanë shqiptarë ky takim do të jetë interesant me bindjen, se sa të ngjashme janë shijet tonë kulinare dhe  sa të përbashkëta dhe unikale janë traditat tona folklorike. Jam e bindur se çdo turist shqiptar, që viziton vendin tonë do të zbulojë gjëra të reja dhe të panjohura dhe shumë shpejt do të ndihet si në shtëpinë e tij.

Mirë se vini, të dashur miq shqiptarë, që të zbuloni Bullgarinë!

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: