Bota

Kryediplomati francez: BE-ja e Britania do ta shqyejnë njëra-tjetrën në bisedime

Ministri i jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e paralajmëroi Britaninë që të presë betejë të vështirë me Bashkimin Evropian gjatë negociatave pas Brexit-it.

Ai gjithashtu tha se do të jetë vështirë për Mbretërinë e Bashkuar që t’i arrijë qëllimet e veta për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë deri në fund të këtij viti për shkak të qëndrimeve të ndryshme që i kanë palët.

Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian dy javë më parë, por ende bën tregti si anëtare e bllokut përgjatë periudhës kalimtare deri më 31 dhjetor të këtij viti, shkruan “BBC”.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryediplomati Le Drian tha se dy palët janë larg njëra tjetrës sa u përket qëndrimeve në disa çështje, transmeton Gazeta Express.

“Mendoj se do ta shqyejmë njëri-tjetrin, kur të bëhet fjalë për tregtinë dhe mekanizmat për marrëdhëniet në të ardhmen”, tha ministri francez.

“Sidoqoftë, kjo është pjesë e bisedimeve, secili do t’i mbrojë interesat e veta”, shtoi ai.

Zyrtari i lartë francez nuk është figura e parë evropiane që e paralajmëron Britaninë për vështirësi. Një gjë të tillë më parë e kanë bërë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefi i BE-së për negociata, Michel Barnier.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button