Politika

BE, 115 milionë euro për Rindërtimin pas tërmetit, Ursula von der Leyen: Shqipëria do të ngrihet më e fortë

 “Komisioni Europian kontribuon me 100 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë nga buxheti i Bashkimit Europian dhe kjo është përtej 15 milionë eurove të bëra të njohura në dhjetor, ku nuk përfshihen kontributet e shteteve tona anëtare”.

Kështu deklaroi sot në Bruksel presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në Konferencën e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, për Rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Ju ftoj të kontribuoni, ta ndihmojmë Shqipërinë të ngrihet në këmbë shpejt”, – tha Der Leyen.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u shpreh se “kostoja e rindërtimit është vlerësuar të jetë e barabartë me 1 miliard euro. Është e qartë se Shqipëria e vetme nuk mund ta përballojë këtë barrë. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot të gjithë këtu. Sot ne i premtojmë popullit shqiptar se jemi aty për një kohë të gjatë, ne premtojmë se solidariteti ynë do të vazhdojë të jetë po aq i fortë sa ishte në orët e para të tërmetit.
Ne angazhohemi për rindërtimin në vazhdimësi. Askush nuk mund ta plotësojë boshllëkun e atyre që kanë humbur, megjithatë ne mund ta ndihmojmë Shqipërinë ta fillojë nga e para”.

“Që kur Shqipëria fitoi lirinë, populli i saj ka treguar një potencial të madh para syve të botës, vendi ka konsoliduar ekonominë dhe institucionet e tij pas dekada të tëra diktature. Një numër i madh shqiptarësh janë diplomuar dhe janë begatuar në jetë dhe karrierat e tyre. Pas tërmetit shqiptarët kanë treguar se nuk janë vetëm një popull krenar dhe i talentuar, por kanë një zemër të madhe”, – tha Der Leyen.

Presidentja e Komisionit Europian u shpreh se “sot është momenti ynë të tregojmë solidaritetin tonë, sot ne jemi në anën e Shqipërisë në një moment nevoje, Shqipëria do të ngrihet nga hiri i tërmetit, do të ngrihet më e fortë dhe më e sigurtë në zemër të familjes sonë europiane dhe unë mbështetem tek të gjithë ju për këtë gjë”.

Duke falënderuar pjesëmarrësit, Der Leyen tha se “nëntorin që shkoi tërmeti ra në mesin e natës, kur të gjithë ishin në gjumë në Shqipëri, 51 njerëz humbën jetën, dy familje të tëra prej 8 personash vdiqën kur shtëpia u shemb. Të gjithë i kemi dëgjuar historitë e tyre me dhimbje në zemër. Një çift i ri që ishte gati për t’u martuar, një nënë që vdiq duke u përpjekur të mbronte vajzën e saj, dhjetëra familje hapën shtëpitë për ata që mbetën të pastrehë, kur ne shkuam aty i gjithë vendi ishte në zi, por i gjithë vendi u mobilizua për të shëruar atë që kishte ndodhur për t’u dhënë strehë atyre që humbën gjithçka. Qindra shqiptarë dolën vullnetarë duke punuar natë e ditë”.

“Kjo është një histori humbjeje, por edhe një histori heronjsh, është një solidaritet mes vetë shqiptarëve dhe midis europianëve. Brenda disa orësh pas tërmetit ekipet e para të shpëtimit filluan të vijnë në Shqipëri nga vendet europiane. 200 zjarrfikës italianë, rumunë etj., filluan të gërmonin në rrënoja për të gjetur të mbijetuar. Menjëherë aktivizuam mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane dhe ditët e ardhshme ekspertët tanë dhe inxhinierët mbërritën në Shqipëri për të bashkërenduar operacionet dhe vlerësuar dëmtimet”, – nënvizoi ajo.

Presidentja Der Leyen tha se “i gjithë Bashkimi Europian u mobilizua për një vend që është në zemër të kontinentit tonë dhe shpresoj e jam e bindur, një ditë do të jetë pjesë e bashkimit tonë. Populli i Shqipërisë e di se ata e kanë vendin në familjen tonë europiane tani më shumë se kurrë. Solidariteti nuk ka ardhur vetëm nga BE. Sot me këtë pjesëmarrje kaq mbresëlënëse ju tregoni reagimin e fortë të komunitetit ndërkombëtar ndaj thirrjes së Shqipërisë”.

Sipas saj, të gjithë janë mobilizuar në mbështetjen tuaj nga Mali i Zi, në Kanada, nga Turqia, deri në Izrael, nga Zvicra, deri në SHBA.

“Ne kemi parë ekipe shpëtimi serbë dhe kosovarë që punonin krah për krah për fqinjët e tyre shqiptarë. Ne e kemi parë këtë përtej çdo ndarje politike. Ballkani Perëndimor është bashkuar në solidaritetin e vet dhe solidariteti mund të shpëtojë jetë në fakt solidariteti ka shpëtuar shumë jetë në Shqipëri. Ditën pas tërmetit ekipet e shpëtimit nxorën nga rrënojat 49 persona. Një familje tjetër e tërë u gjet nën rrënojat e shtëpisë, mbuluar me një shtresë të trashë pluhuri, por ende gjallë. Kjo ndodhi në sajë të mobilizimit tonë kolektiv. Por, kur pluhuri zuri vend, mobilizimi ndërkombëtar nuk pushoi: tenda, ushqime, filluan të mbërrijnë. Pas tre muajsh shumica e njerëzve që ngelën pa strehë janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe kanë gjetur një strehim të ri”.

Megjithatë, vijoi ajo, nevojat e Shqipërisë janë shumë të mëdha dhe duhet të adresohen me urgjencë.

“Mijëra shtëpi private duhen rindërtuar, shkolla, spitale duhen restauruar, me qëllim që të fillojnë përsëri të vijnë nxënësit, pacientët, biznese janë shkatërruar, vende pune të reja duhen krijuar. Së bashku mund të përforcojmë aftësinë e Shqipërisë për emergjencën civile, së bashku mund ta bëjmë vendin tuaj më të fortë së më përpara. Kjo konferencë shënon fillimin e bashkëpunimit tonë për rindërtimin e Shqipërisë”, – tha Der Leyen.

Presidentja e Komisionit Europian theksoi se “në muajt që do të vijnë do të vazhdojmë të punojmë së bashku, do të sigurojmë që angazhimet tona të plotësohen tërësisht dhe në kohë dhe që investimet tona të kenë ndikim më të madh në terren, në transparencë të plotë dhe në llogaridhënie të plotë”.

“Por, pikë së pari, duhet të ndihmojmë për të plotësuar nevojat shumë të mëdha të vendit. Institucionet europiane dhe shtetet anëtare kanë marrë një angazhim të fortë”, – tha Der Leyen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button