Politika

Konferenca e Donatorëve, moment fantastik/ Rama: BE, projekti më vizionar për të bërë njerëzit bashkë

“Ky është moment fantastik për të gjithë që të kuptojmë se BE natyrisht mund të na ngrejë nervat, por është unike dhe është projekti më vizionar e i mrekullueshëm që njerëzimi ka përfytyruar për të bërë njerëzit bashkë dhe për ta shndërruar politikën në një forcë për të mirën”.

Kështu deklaroi sot në Bruksel, Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp pas Konferencës së Donatorëve, me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Mirënjohje e jashtëzakonshme e të papërshkrueshme për presidenten e Komisionit, e cila është kyç për atë çka dëshmuam sot, e asaj që paraprakisht tejkaloi edhe imagjinatën time më të shfrenuar dhe pritshmërinë time më të madhe. Ursula faleminderit shumë. Nuk do ta harroj kurrë telefonatën tënde ndërsa kthehesha nga zonat e dëmtuara rëndë për të shkuar e për të ndenjur bashkë me ato familje që humbën praktikisht më shumë se sa 2/3 e pjesëtarëve të tyre. Më kujtohet shumë mirë ajo që the, që përtej fjalëve mjaft të sjellshme të ngushëllimit ju premtuat se do të ishit bashkë me mua në këtë përpjekje dhe më thatë se nuk do të ishim vetëm. Vërtetë do të këndoja edhe himnin e Liverpulit për ty sot, sepse është tejet e jashtëzakonshme e më mbush zemrën ajo që dëshmuam”, tha Rama.

Kryeministri tha se ne kishim edhe donatorë të mëdhenj. “Është e jashtëzakonshme se si solidariteti i përhap e i shpërfaq një nga në prej zemrës së Europës në Bruksel me një kontribut të jashtëzakonshëm të BE-së, e më pas të Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Turqisë, Gjermanisë e gjithë të tjerëve”, tha Rama.

Ai theksoi se “kjo nuk matet me vlerën e asaj që gjithkush dha, por matet me atë solidaritet të dëshmuar dhe nevojën prej zemre për të treguar përmes pranisë dhe çdo vlere të kontributit|.

“Ky është një nga ato momente kur dikush mund të bëhet mistik e të mendoj se diçka magjike ka ndodhur. Ne po mendonim që me 40% të të gjithë shumës do të ktheheshim pa pasur ankth, me 50% do ta quanim sukses dhe përtej 50% do të thotë mrekulli. Është magjike dhe do të thosha se është kaq ngushëlluese që përtej kësaj mrekullie ka njerëz që dua t’i falënderoj me zemër. Falënderoj Ursulën dhe ekipin e saj sepse e di se sa fort kanë punuar me ekipin tim dhe kanë bashkërenduar ditë e natë punën. Po kështu edhe pjesëmarrjen e shumë të tjerëve. E di që Presidenti Macron qysh prej momentit të parë e ka pritur me padurim këtë eveniment sot. Ai më përcolli urimet më të mira dhe ndjesën që nuk ishte i pranishëm këtu”, tha Rama.

Ai falënderoi kancelaren Merkel, duke shtuar “sepse e di që sa fort ka punuar në mënyrën e saj të heshtur”. “Pa harruar Presidentin Erdogan dhe një mirënjohje mjaft të madhe dua të përmend Mohammed bin Zayed, i cili është angazhuar në momentin e fundit por me zemër plot. Kjo nuk nënkupton se të tjerët kanë një vend më pak të vlefshëm në zemrat e shqiptarëve”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “shpresoj fort se do të jem në gjendje që ta shpaguaj këtë me mikpritjen shqiptare”.

I pyetur lidhur me çeljen e negociatave, Kryeministri Rama tha se “jemi ende duke përbrendësuar këtë tronditje kaq të këndshme të ditës së sotme”. “Kështu që nuk do të guxoj të flas sa të gjej një hudhër dhe ta vendos në mur, sepse ne kemi një traditë të vjetër kundër syrit të keq. Më lini të gjej hudhër njëherë sepse nuk dua që të kemi një tjetër mallkim të historisë që vjen. E për bisedime apo jo bisedime, ne po flasim e po bëjmë gjëra të shkëlqyera”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se na duhet të nisim këtë rindërtim shumë sfidues. “Kam dëgjuar me shumë kujdes atë që tha Von der Lejen, ajo që rindërtohet të jetë më e mirë se ajo që humbi, me standarde të reja antisizmike, ekologjike e me radhë e për këtë do të duhet të punojmë së bashku me miqtë tanë. Miqtë tanë amerikanë nuk erdhën me shumë para, por me argumente të mira se si të sigurohemi që këto para të përdoren në mënyrë transparente. Iu kërkova që paratë e kontributit të tyre të mundshëm të financonin një Akademi Transparence e cila do të nisë me rindërtimin e do të zhvillohet si strukturë që do të monitorojë standardet dhe të vlerësoj kriteret e tenderave publikë”, tha Rama.

“Ne jemi në shoqëri kaq të mirë dhe jam i kaq i lumtur dhe i përulur nga gjithçka. Ursula dhe Komisioni mund ta përdorin këtë si histori suksesi model për situata të tjera. Jam shumë krenar për ekipin tonë, prezantimet e ministrit të Rindërtimit dhe Koordinatores. U ndjeva kaq mirë dhe po mendoja pse nuk jemi pjesë e BE-së, kemi kaq njerëz, kaq aftësi, por nuk e kërkoj tani, pasi e di që duhet të punoj fort”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se edhe pse lojërat e fatit janë të ndaluara në Shqipëri pashë shumë njerëz sot që vinin baste në ekrane televizive se do të ishte gjithçka katastrofë. “Janë në kërkim të lajmit të keq. Mos vini bast kur bëhet fjalë për mua, qeverinë time dhe marrëdhëniet tona me botën. Thanë se kjo ishte një katastrofë e më pas nëse do të mundemi të menaxhojmë fondet. Mundemi dhe do t’i menaxhojmë. Po punojmë tashmë jo vetëm me miqtë europianë, por edhe me këto institucione dhe ne do të kalojmë nëpër dhimbjet e nevojshme në mënyrë që të shpenzojmë si duhet jo vetëm paratë e taksapaguesve të vendeve që janë këtu, por edhe të atyre shqiptarë. Është një shumë e madhe e për ne dhe për ta, ndaj ne na duhet të bëjmë më të mirën”, tha Rama, ndërsa u shpreh se “unë nuk jam më i miri por më të mirë se unë nuk ka”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button