Rajoni

Serbia blen sërish armatime nga Rusia me gjithë kërcënimet për sanksione

Serbia ka blerë një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, pavarësisht sanksioneve të mundshme amerikane kundër shtetit ballkanik, që zyrtarisht synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva se sistemet kundërajrore Pantsir S1, janë blerë pas këshillave nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Blijeni Pantsirin. Është treguar shumë i efektshëm në Siri”, citoi ai presidentin rus t’i ketë thënë në njërin nga takimet e tyre të shpeshta kohët e fundit.

“Ky sistem kundërajror është shumë efektiv kundër dronëve që janë bërë shumë thelbësorë në luftën moderne”, tha presidenti serb.

Me gjithë synimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia nën udhëheqjen populiste të presidentit Vuçiç, ka forcuar lidhjet politike e ushtarake me aleaten e saj sllave, Rusinë.

Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikës së saj ndaj Ukrainës.

Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim në perëndim, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Eliot Engel letër admiralit James Foggo: Kujdes me deklaratat për Serbinë

Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s.

Presidenti serb Vuçiç tha se shpreson që nuk do të ketë sanksione sepse ai ka folur hapur për blerjen e sistemeve Pantsir. Ai tha se beson që kërcënimi me sanksione ka të bëjë me shumë me blerjen e mundshme të sistemeve kundërajrore S-400 që kanë një gamë shumë më të gjerë veprimi dhe janë armë sulmuese.

Serbia mori të shtunën dy nga gjashtë sistemet e raketave të blera ruse, vetëm disa ditë pasi që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, ku deklaroi se bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve ka arritur në një nivel “thelbësisht” të ri.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button