Kronika

Ashtu siç paralajmëroi: Meta depoziton sot kallëzim penal në SPAK për ministren Gjonaj

“Presidenti i Republikës Ilir Meta do të depozitojë sot personalisht në ora 13:00, në Prokurorinë e Posaçme SPAK, kallëzimin penal për Ministren në detyrë të Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe funksionarë të tjerë të lartë të përfshirë në veprimtari të rëndë kriminale, në funksion të grushtit të shtetit”, kështu lajmëron zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi përmes një postimi në Facebook.
Ju kujtojmë se diçka e tillë ishte paralajmëruar nga presidenti Meta, gjatë një konference për shtyp.
Më datë 21 shkurt, Meta deklaroi se ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka shkelur ligjin dhe se pret prej saj, deri të hënën (sot) dhënien e dorëheqjes.
“Partnerët janë njohur me shkeljet nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë tentativë për grusht shteti, bazuar në provat që u bënë publike dje rezulton të jetë e përfshirë drejtpërdrejt Etilda Gjonaj dhe institucione në varësi të saj, duke përvetësuar një kompetencë që kushtetuta ia jep presidentit. Gjonaj ka shkelur ligjin për organizimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare. Gjonaj urdhëroi botimin në Fletoren Zyrare të akteve të KED-së, por nuk ka të drejtë të dërgojë për botim këto akte. Sipas kushtetutës, vendimet e KED-së nuk botohen në fletoren zyrtare por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Asnjë diplomat nuk e ka ditur që në Ministrinë e drejtësisë, një grup kriminal ka kryer këto veprime. Ajo, bashkë me zyrtarë të lartë ka kryer disa vepra penale Do të dorëzojmë kallëzim penal në SPAK ndaj Gjonaj dhe disa zyrtarëve. Gjonaj e ka humbur tërësisht besimin e presidentit. Pres deri të hënën dorëheqjen e ministres Gjonaj”, u shpreh ndër të tjera Meta.
Nga ana tjetër, fill pas tij reagoi vetë ministrja:
“Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër. E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button