Kosova

Anulohet mbledhja e Qeverisë, ka mospajtime për taksën mes LVV-së dhe LDK-së

Mospajtimet rreth asaj nëse duhet të hiqet taksa apo jo, në mes të dy partnerëve të koalicionit qeverisës LVV dhe LDK, kanë bërë që të anulohet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës e paralajmëruar që të mbahej sot në orën 16:00.

Sipas burimeve të Gazetës Express, mbledhja e sotme nuk do të mbahet për shkak të dallimeve në qëndrime rreth taksës 100 për qind mes dy partive që bashkëqeverisin.

Në njoftimin e lëshuar sot gjatë ditës për këtë mbledhje të Qeverisë nuk ishte dërguar fare as rendi i ditës.

Zyrtar të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës përfshirë edhe kryetarin Isa Mustafa janë shprehur pro heqjes së taksës dhe vendosje të reciprocitetit vetën në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, nga LDK-ja kanë bërë thirrje që të largohen vendimet të cilat pengojnë vazhdimin e dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë.

Ndërkohë, qëndrim të pandryshueshëm vazhdon të mbajë Lëvizja Vetëvendosje në krye me kryeministrin Kurti, të cilët pavarësisht presionit dhe kërkesës së Washingtonit nuk dëshirojnë ta heqin taksën.

Albin Kurti, kryetar i kësaj partie, ka thënë se taksa do të hiqet në momentin e parë që vendoset reciprociteti.

Megjithatë, ky qëndrim është në kundërshtim të plotë me kërkesat e Përfaqësuesit Special Presidencial të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell prerë ka kërkuar që të hiqet taksa pa u vendosur reciprociteti. Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pas një takimi që dje ka pasur me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button