Politika

Shqipëria reale mori mbështetje për hapjen e negociatave, lajmi keq që PD u kthye në një servis figurantësh për presidentin

“Iliri që s’ka asgjë prej Presidenti më, dhe që sot ka çelur faktikisht një fushatë brenda opozitës, mund të firmosë edhe një dekret për t’i shpallur luftë SHBA, por parlamenti nuk do ta njohë”, tha sot Kryeministri Edi Rama në reagim ndaj Presidentit, Ilir Meta, i cili u shpreh se do të shpërndajë parlamentin nëse mazhoranca nuk e merr seriozisht dekretin e firmosur sot në Bulevard.

I pyetur për deklaratën e Metës se do të shpërndajë parlamentin nëse nuk merret parasysh dekreti i tij, Rama tha se, lajmi sot është raporti i KE.

“Ku është e reja këtu? Thashë se mos kishit ndonjë gjë të re. Ndërkohë që sot Komisioni Europian, i riu, ka dhënë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, duke publikuar një progresraport që ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm se Komisioni i ri jep rekomandimin, por sepse Komisioni i ri dhe rikonfirmon, madje përforcon me rekomandimin e tij, rekomandimin e Komisionit të kaluar, vitin e shkuar. Ky është lajmi për mua sot”, tha Rama.

Rama foli edhe për Konferencën e Donatorëve ku Shqipëria arriti të sigurojë 1.15 miliardë euro donacione dhe grante nga partnerët ndërkombëtarë.

“Dhe ndërkohë ka dhe një koincidencë, që ju besoj e keni vënë re. Shkojmë në Bruksel, marrim një mbështetje të jashtëzakonshme, arrijmë një sukses të jashtëzakonshëm, duke siguruar për njerëzit që janë më në hall, financimet për rindërtimin, madje duke tejkaluar çdo pritshmëri të këtushme, dhe duke krijuar përmes asaj mbështetje financiare një bazë për një hov të ri ekonomik dhe po atë ditë presidenti, që president sot s’ka asgjë, del dhe shpërthen përpara jush si një minë e programuar pikërisht për të bërë atë gjë, atë ditë”, tha Rama.

“Sot del në Bruksel një raport që minimalisht duhet ta gëzonte një President të Republikës, por që ta hidhëronte në pikën që të ri shpërthejë përpara të gjithëve kjo është pak për të qarë, pavarësisht se unë qesh sepse për mua është diçka krejtësisht e pritur dhe jo befasuese”, u shpreh Kryeministri Rama.

I pyetur nëse mazhoranca do ta marrë parasysh dekretin e Metës për shpërndarjen e Parlamentit, Rama tha se, “e kam thënë kohë më parë s’dua t’i rikthehem këtij debati. Presidenti i Republikës nuk mund të firmosi dekrete të tilla, ndërsa Iliri që s’ka asgjë prej Presidenti më, dhe që sot ka çelur faktikisht një fushatë brenda opozitës, mund të firmosë edhe një dekret për t’i shpallur luftë ShBA, por parlamenti nuk do ta njohë”.

I pyetur nëse ka një plan konkret në lidhje me amnistinë e shpallur në Kongres, Rama tha se, “do flasim për këtë në vijim. Patjetër që kemi një plan konkret. Por lajmi i mirë sot është që Shqipëria reale ka marrë një tjetër mbështetje të jashtëzakonshme në Bruksel. Ndërkohë që Shqipëria që po bën gjithë këtë progres, po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për ata që u mblodhën sot në shesh, dhe lajmi i keq sot është që Partia Demokratike u kthye në një servis figurantësh për Presidentin”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button