Ekonomia

Rindërtimi pas tërmetit/ Miratohet fondi 8.7 miliardë lekë për 3400 shtëpi individuale, garë ndërkombëtare për përzgjedhjen e kompanive

Këshilli i Ministrave miratoi sot fondin prej 8.7 miliardë lekësh për ndërtimin 3400 shtëpive të para individuale për banorët e dëmtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit të shkuar.

Ministri i Shtetit për rindërtimin Arben Ahmetaj, gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së qeverisë deklaroi se është gati gara ndërkombëtare për përzgjedhjen e kompanive për rindërtimin e 3400 banesave të para individuale në bashkitë e prekura nga tërmetit, sipas modeleve të miratuara dhe publikuara paraprakisht”.

“Qeveria miratoi fondin prej 8.7 miliardë lekësh pjesë e Programit të Rindërtimit të miratuar në buxhetin e vitit 2020 prej 20 miliardë lekësh, i cili do ti kalojë të dy njësive zbatuese, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkisë së Tiranës”.

FSHZH, sipas Ahmetaj, do të ketë një fond të alokuar në masën 6.28 miliardë lekësh në zërin shpenzime kapitale për financim të brendshëm për ndërtimin e 2500 shtëpive individuale.

“Janë 683 njësi banimi në madhësinë 1+1, ndërsa 972 banesa do të jenë në madhësinë 2+1 dhe 845 njësi banimi individuale në madhësinë 3+1”, – theksoi Ahmetaj.

Për bashkinë e Tiranës, ministri Ahmetaj informoi se fondi është në masën 2.2 miliardë lekë dhe i alokohet në të njëjtën formë teknike financiare si FSHZH-së.

Me këtë fond, tha ai, do të ndërtohen në bashkinë e Tiranës gjithsej 889 njësi individuale, nga të cilat 312 në madhësinë 1+1, 334 në madhësinë 2+1 dhe 243 në madhësinë 3+1.
“Fondet e mbetura pas procesit të prokurimit do të rikthehen sërish në fondin për rindërtim”, – bëri të ditur ministri.

Gjithashtu ministri Ahmetaj informoi se javën që vjen çelet edhe gara ndërkombëtare nga të dy njësitë për ndërtimin e 3400 shtëpive individuale. Ai ftoi të gjitha sipërmarrjet, dhomat apo shoqatat e biznesit vendase apo të huaja të marrin pjesë në këtë proces.

“Unë personalisht do t’i informoj në ditën zyrtare të hapjes së procesit donatorët, ambasadat në Tiranë, dhomat e huaja dhe vendase të tregtisë, si dhe shoqatat e për fillimin procesit të prokurimit”, deklaroi Ahmetaj.

Kompanitë mund të gjejnë informacion edhe në faqet zyrtare të Ministrisë së Rindërtimit apo Agjencisë së Prokurimit.

Njoftimi, tha ai, do të shpallet edhe në “Financial Times” për të ftuar kompanitë ndërkombëtare.

Ndërkohë ministri informoi se vlerësimi i thelluar po vijon sipas parashikimit.

“Instituti i Ndërtimit e përfundon procesin në 30 mars, ndërsa bashkia e Tiranës në 23 prill. Pasi të kemi shifrat finale të vlerësimit të thelluar do të ketë prokurim të dytë për pjesën e  mbetur të banesave që do të ndërtohen për të prekurit nga tërmeti”, – deklaroi ministri Ahmetaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button