Politika

Jo vetëm pagën e tij, Meta i përgjigjet Ramës: Shkurtim dhe të fondit buxhetor të Institucionit të Presidentit

Pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se paga e ministrave dhe deputetëve do të përgjysmohej në kuadër të planit financiar për shkak të situatës me koronavirusin, ndërkohë që këtë rrugë e la të hapur dhe për presidentin Ilir Meta, nuk vonoi dhe përgjigja e këtij të fundit.

Përmes një reagimi për mediat, presidenti Meta pranoi nismën në fjalë, ndërsa theksoi se jo vetëm paga e tij, por do të ketë shkurtim dhe të fondit buxhetor të Institucionit të Presidentit. Mes të tjerash kreu i shtetit i kërkoi qeverise qe te përcaktojë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

REAGIMI I METES

Përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri.

Ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë.

Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për t’u dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve.

Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë public.

Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës është solidarizuar me shkurtimin e fondit të buxhetit vjetor në interes të riadresimit të tyre, në mbështetje të shëndetësisë dhe sektorëve të vijës së parë në këtë përballje me pandeminë globale të COVID 19.

Bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë, duke mundur frikën, me besimin e palëkundur te e ardhmja dhe në Zot.

CFARE DEKLAROI RAMA

Teksa prezantoi masat e qeverisë, Rama falënderoi Presidentin e Republikës Ilir Meta për të cilin tha se qysh se kemi hyrë në këtë luftë po ndihmon si mundet dhe sa mundet por ia la në dorë të vendosë ai vetë nëse do e dhurojë pagën për këtë kauzë.

“Unë në fakt doja që qysh në planin A, të impononim heqjen e diçkaje nga vetja për të gjitha ata që sot fitojnë më shumë si biznes i madh apo kanë një pagë të lartë në sektorin publik por më bindën se ky mund të perceptohej gabimisht si një mesazh i gabuar dhe të hynte pastaj në ato gojët pa perimetër të ekraneve të mbrëmjes nga ku do dilte si arsye se shteti nuk ka para për të paguar rrogat e pensionet, prandaj nuk do prekim hë për hë asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët do marrin gjysmën e rrogës deri në mbarimin e luftës. Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës të cilit, haka e do që t’i bëj një falënderim publik për faktin se qysh se kemi hyrë në këtë luftë po ndihmon si mundet dhe sa mundet apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë këtë gjë ose jo”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button