ArteBota

Ditari im i karantinës, nga një qytet i vogël historik i Italisë

Nga Beppe Severgnini

Një shoqëri e hapur në izolim:është gati një oksimoron, një lojë e mendjes. Derisa ndodh, dhe jeta befas ndryshon. Po ndodh me mua, dhe të gjithë italianët. Duke nisur nga veriu, ku unë jetoj, dhe tanimë në mbarë vendin. Gjithçka është mbyllur: nuk ka më shkollë, as takime, festa, kinema, shfaqje teatrore, nuk ka aktivitete sportive.

Nuk ka asnjë bar dhe restorant hapur. Asnjë dyqan nuk lejohet të hapet, përveç ushqimoreve dhe farmacive. Që nga e enjtja në të gjithë vendin, 15.111 njerëz janë prekur nga koronavirusi (rreth gjysma e tyre janë në spital); 1.016 kanë vdekur, dhe 1.258 të tjerë janë shëruar.

Parulla e ditës e qeverisë italiane përmblidhet ne vetëm 3 fjalë:“Qëndro në shtëpi”. Po çfarë ndodh gjatë një epidemie me jetën e përditshme në një qytet të vogël e të vjetër pranë Milanos?

Krema është e bukur, e pasur dhe krenare. Një komunitet italian ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Për të është folur në shumë libra, dhe këtu është xhiruar filmi i famshëm ‘“Call Me by Your Name”. Jashtë dritares  së shtëpisë sime, unë mund të shoh gjithë sheshin kryesor, Piazza del Duomo.

Ndërsa shkruaj, është ora 10 e mëngjesit dhe sheshi është bosh. Dominon një heshtje e çuditshme. Normalisht, sheshi popullohet me studentë, blerës, fermerë, miq që shkojnë në kafene për kapuçinon e tyre të mëngjesit. Nën dritaren time, pensionistët mblidhen zakonisht për të marrë rrezet e para të ditës.

Sot dielli nxeh tullat e katedrales, i “shqetësuar” vetëm nga një çiklist që pedalon nëpër portën e Torracos. Mesa duket është një grua. Edhe pse është e vështirë të thuhet me siguri për shkak të maskës që ka në fytyrë. Edhe këmbanat e kishës, tingëllojnë ndryshe në qetësinë e zbrazët rreth e  rrotull.

Edhe kur dalin njerëzit, përshëndetin njëri-tjetrin nga distanca. Normalisht ata takohen me përzemërsi, shtrëngojnë duart, puthen dhe përqafohen. Italia është një shoqëri e kontaktit shumë të afërt. Ne priremi të besojmë më shumë tek shqisat dhe intuita jonë, sesa tek idetë madhështore (kjo e fundit është tipike gjermane).

Për ne, jeta është ushqim, verë, muzikë, art, dizajn, peizazh; aromë e fshatit; ngrohtësia familjare dhe përqafimi i miqve. Dhe këto përfshijnë gojën, hundët, veshët, sytë dhe duart. Frika nga Covid-19, na detyron të mos përdorim disa nga këto shqisa. Dhe kjo është e dhimbshme.

Krema ndodhet më pak se 24 km larg nga vatra ku shpërtheu epidemia në Kodonjo dhe Kastiglione d’Ada, dhe spitali ynë është mbushur plot me pacientët e Covid-19. Unë njoh disa njerëz që punojnë aty, mjekë dhe infermierë. Ata janë shumë të lodhur, por nuk dorëzohen. Shërbimi shëndetësor publik në Lombardi është më i miri në Itali, dhe sistemi shëndetësor italian cilësohet gjerësisht si më i miri në Evropë.

Por situata është e vështirë. Që nga e mërkura, vetëm në Krema kishte 91 raste me Covid-19, dhe 263 të tjerë në zonën më të gjerë përreth tij, të njohur si Kremasko. Të martën, 3 të rinj nisën një fushatë për mbledhjen e fondeve për të mbështetur spitalin tonë. Brenda ditës ata grumbulluan 80.000 euro .

“Po çfarë mund të bëni me këto para, nëse mungojnë paisjet mbrojtëse për mjekët dhe infermierët?”- më pyeti një i njohurim im që punon në këtë spital dhe që më ka testuar për koronavirusin. Tani që njerëzit janë të gjithë në shtëpi dhe kanë më shumë kohë të lirë në dispozicion, ju mund të supozoni se posta jonë elektronike do të jetë plot me mesazhe.

Në fakt nuk është kështu. Shumica e postës elektronike, njofton anulimin e ngjarjeve publike dhe ndërprerjen e shërbimeve të ndryshme. Edhe mesazhet e shumta në WhatsApp, që na “përmbytën” smartfonët tanë me lajme dhe shaka në fillim të epidemisë, tani kanë rreshtur.

Vetëm postimet në Facebook vazhdojnë. Njerëzit postojnë manifest të vogla, për t’i treguar botës jashtë se çfarë janë duke menduar, si mesazhet në një “shishe dixhitale”.

Pas drekës – në shtëpi me gruan time, Ortensia:Tubimet e mëdha duhen shmangur. Ndaj dalim për shëtitje me qenin tonë, Mirta. Na lejohet që ta bëjmë këtë gjë. Udhëzimet e hollësishme nga qeveria përfshijnë një listë këshillash, dhe shëtitjet në fshat lejohen “për aq kohë sa nuk ndodhin në grup, dhe ruan një distancë prej 1 metra nga njëri-tjetri”.

Pyetje të tjera të zakonshme? “A mund të shkoj në punë?” (Përgjigje:Po, por duhet të vërtetoni se këtu do të shkoni). “A mund të shkoj të takoj miqtë e mi në një qytet tjetër?” (Përgjigje:Jo). “A mund të iki me pushime?”. (Përgjigje:Harroje!).

Ne shëtisim duke shijuar rrezet e diellit midis fushave të sheshta, dhe monopateve të cekëta, duke pasur në sfond malet e mbuluara me dëborë rreth qytetit të Bergamos. Qielli është blu. Mirta – i racës Labrador – është shumë i pavëmendshëm ndaj epidemisë, dhe entuziast për erën e pranverës së ardhshme italiane.

Përgjatë një shtegu që përdoret normalisht nga fermerët vendas, takojmë disa vrapues. Pershendetje nga distanca. Askush nuk ndalet. Djali ynë Antonio, 27-vjeç, drejton një restorant jo shumë larg nga këtu, buzë një liqeni të vogël artificial të krijuar nga një burim uji nga lumi Serio.

Ai ka të punësuar 6 persona, gati moshatarë më të. Ata u përpoqën të vazhdojnë punën, por në fillim të këtij muaji rregullat e reja detyruan mbylljen e restorantit. Disa punëdhënës në industrinë e madhe turistike në Itali, kanë çuar me pushime stafin e tyre, ose në pushime të detyruara të papaguara.

Antonio vendosi t’i jepte pagat stafit të tij edhe pse restoranti po qëndron i mbyllur. Por, për sa kohë mund ta përballojë këtë gjë? Kthehemi në shtëpi, përgjatë rrugëve gjysmë të shkreta. Ndez televizorin. Serie A, liga kryesore e futbollit në Itali, është pezulluar. Nuk ka ndeshje.

Kthehem në zyrë për të përfunduar shkrimin e kolonës time në “Corriere della Sera”.

Do të shkoj nesër në redaksi. Milano është 48 km larg. Do të më duhet të kem me vete kartën time të gazetarit, dhe në rast se policia më ndalon duhet të plotësoj një formular ku të deklaroj se udhëtimi im është për qëllime pune. Siç e thashë më lart, jeta në redaksi ka ndryshuar. Ata që kanë mundësi të punojnë nga shtëpia, janë të ftuar që ta bëjnë këtë. Stafi aktual në redaksi është reduktuar në minimum.

Shumica e kompanive po bëjnë të njëjtën gjë. Në Itali ne përdorim shprehjen “punëtorë inteligjentë”, ç`ka nënkupton se të shkosh të punosh në zyrë nuk është një veprim aq i zgjuar. Por informimi i publikut është jetik, dhe këtë po e përsërit edhe qeveria.

Kështu që ne vazhdojmë të punojmë në një mënyrë a tjetrën, dhe nuk është diçka e keqe. Ndihemi si zjarrfikës në luftë me një zjarr të madh. Të paktën kemi diçka për të bërë. Pasdite vonë largohem nga Krema dhe kthehem në shtëpi. Ka nisur të errësohet, sheshi është akoma bosh.

Eci përgjatë Duomos, një xhevahir i arkitekturës gotike romane. Ai u dogj nga një perandor gjerman hakmarrës në shekullin XII, pas një rrethimi të gjatë. “Kremaskët” – populli i Kremës – ndërtoi një të re. Provoj të hyj në derën anësore, është e hapur. Brenda është errësirë. Në pjesën anësore, ndodhet një kryq prej druri i gdhendur në shekullin XIII, të cilit njerëzit në qytet iu lutën për ndihmë gjatë murtajës së viteve 1630-1631, dhe më pas asaj të vitit 1747. Sot, përballë tij ndodhet një grua që lutet.

Ajo e ndjen praninë time, por nuk e kthen kokën. Largohem nga kisha. Papritur jashtë ka muzikë. Më në fund zhurmë! Por të gjithë e dimë se çfarë është. Një i marrë që po i kalon këto ditë duke ngarë biçikletën e tij përgjatë rrugëve kryesore, me një boks të madh të montuar në pjesën e pasme të biçikletës së tij.

Disa muaj më parë dikush ia vodhi boksin, dhe banorët në Krema mblodhën para për t’i blerë një boks më të madh. Siç duket, ai i ka qejf hitet e vjetra. Sot kishte vënë këngën “Ti Amo” nga Umberto Toci. Është absurde, por gjithsesi kaq bukur. Mbi të gjitha, jeta në Itali vazhdon.

Shënim: Beppe Severgnini, është opinionist dhe redaktor në të përditshmen italiane “Corriere della Sera”

“The New York Times”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button