Kosova

Kosovarët të shtangur me rënien e qeverisë në kohë pandemie

Lufta e brendshme për pushtet, përplasjet për mënyrën e menaxhimit të situatës me koronavirus dhe një ndarje e politikës së jashtme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës janë kombinuar për të rrëzuar qeverinë në Kosovë, duke e zhytur vendin në kaos në kohën kur i duhet një përgjigje ndaj pandemisë.

Kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Guardian” në një artikull me të cilin ka dhënë lajmin për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti duke thënë se populli kosovar është i shtangur me veprimet e skenës politike. Kurti u rrëzua të mërkurën në mbrëmje me një mocion mosbesimi që mori 82 vota pro, pas debatit të gjatë 12-orësh.

“Njerëzit janë tejet të zhgënjyer dhe të nervozuar me atë që po ndodh: ata e shohin këtë si egoizëm nga partitë dhe liderët që kanë vendosur të merren me qeverinë në këtë moment, kur na duhet të gjithëve të adresojmë çështjen e koronavirusit”, ka thënë Agron Bajrami, kryeredaktor i Kohës Ditore për “The Guardian”. “Për një ditë të tërë politikanët hidhnin vrer në njëri-tjetrin përderisa sektori shëndetësor ka nevoja që duhet të përmbushen”.

Deri tash janë regjistruar 71 raste me koronavirus në Kosovë, me një që ka vdekur. “The Guardian” shkruan tutje se kriza e re politike është kulminacioni i betejës mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti, që fitoi në zgjedhjet e tetorit. Aty përmendet edhe përplasja që Kurti ka pasur me partnerin e deritashëm, Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, “për shkak se nuk ishte në linjë me qëndrimet politike të qeverisë për koronavirusin dhe mbështeti shpalljen e gjendjes emergjente që do t’i jepte më shumë fuqi Thaçit”.

Beteja, sipas “The Guardian”, ka origjinë lokale, por është nxehur edhe nga ndarja mes Evropës e SHBA-së, me administratën e presidentit amerikan Donald Trump që është i vendosur të arrijë shpejt marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, që refuzon ta njohë Kosovën shtet të pavarur. Shtëpia e Bardhë ka shtyrë arritjen e një marrëveshjeje sivjet, në diçka që do të shihej si triumf i diplomacisë për Trumpin. Përderisa Thaçi ishte i dëgjueshëm, Kurti ishte më skeptik. BE-ja po ashtu dëshiron negociatat, por ka ecur me hapa më të ngadalshëm dhe është më e shqetësuar për një marrëveshje që mund të përfshijë shkëmbime territoriale. Këto tensione kanë dalë në sipërfaqe para mocionit të mosbesimit, me shtetet evropiane që reaguan duke kundërshtuar votimin, edhe pse ambasadori amerikan po e përkrahte.

“Kurrë nuk kemi pasur një ndarje transatlantike ose Perëndimin që flet me zëra të ndryshëm”, ka thënë Agon Maliqi, analist politik.

Tutje “The Guardian” ka cekur se beteja kundër koronavirusit është penguar nga përplasjet politike duke sjellë konfuzion te populli. Të hënën, Qeveria Kurti njoftoi për masa të reja duke ndaluar qarkullimin e qytetarëve në orë të caktuara, ndërsa Thaçi ftoi për injorim të këtyre masave të cilat i quajti anti-kushtetuese.

Në fund është cekur edhe fakti se Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja për 45 ditë, por që duken si të pamundura për shkak të pandemisë. Opsioni tjetër, sipas “Guardianit”, mbetet që presidenti të ftojë liderin e partisë më të madhe për të formuar qeverinë e re, në këtë rast Kurtin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button